Treg

Qeveria propozon zgjatjen e afatit të bonove të privatizimit deri në 2027

Nga Gazeta 'SI' - Qeveria ka propozuar zgjatjen e afatit të bonove të privatizimit deri në 2027-n.

Deputetja socialiste Antoneta Dhima, ka depozituar në Kuvend ndryshimet në ligjin përkatës, pasi ka ende hapësirë për t’i përdorur ato.

Afati i bonove përfundoi më 31 dhjetor 2023.

Aktualisht, një numër i konsiderueshëm i objekteve që administrohen nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, organet e pushtetit vendor etj, nuk janë privatizuar ende.

Shumë prej këtyre objekteve shtrihen në tokat e pronarëve të ligjshëm, të cilëve u është njohur, apo kthyer prona me vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave. Sipas deputetes Dhima, duke qenë se pronarët e trojeve kanë të drejtën e parablerjes së objekteve që ngrihen mbi to, kjo masë do t’i ndihmojë ata për të likuiduar një pjesë të vlerës së këtyre objekteve me bono apo lekë privatizimi.

Gjithashtu, punonjësit e shoqërive aksionare mund t’i përdorin bonot dhe lekët e privatizimit për blerjen e aksioneve të këtyre shoqërive. Ndërkohë, një numër i konsiderueshëm objektesh, apo banesash janë në procesin e legalizimit, nëpërmjet ALUIZNI-t dhe bonot e privatizimit mund të përdoren edhe në këtë proces.

Në privatizimin e objekteve shtetërore të dhëna me kontratë qiraje apo enfiteozë kur këto objekte u shiten drejtpërdrejt qiramarrësve, të cilët mund të paguajnë deri në 80% të vlerës me bono, apo lekë privatizimi.

Shpërndarja e bonove të privatizimit nisi në vitin 1995 me qëllim privatizimin e objekteve dhe pronave shtetërore, ndërsa që nga ai vit e deri më sot procesi ka kaluar përmes zvarritjesh dhe shtyrje me disa herë të vlefshmërisë së këtyre letrave. Aktualisht, nuk ka të dhëna zyrtare për përdorimin e tyre.

Por, sipas këtyre të dhënave që i referohen fillimit të vitit 2022, në total janë emetuar 74.9 miliardë lekë bono privatizimi, prej të cilave u janë shpërndarë publikut 51.2 miliardë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë