Mjedis

Qeveria po na kërcënon me destabilitet ekonomik duke dëmtuar zonat e mbrojtura

Nga raporti i Forumit Ekonomik Botëror, risku i dytë që kërcënon stabilitetin në vendin tonë është dëmtimi i mjedisit nga dora e njeriut.

Besjana Guri nga EcoAlbania thotë për Gazetasi.al se një nga sektorët më të kërcënuar në vendin tonë është rrjeti i zonave të mbrojtura dhe lumenjtë. “Zonat e mbrojtura në Shqipëri janë nën presion të vazhdueshëm nga nevoja për zhvillim dhe shfrytëzim nga operatorët privat”, thotë Guri e cila tregon edhe se nga ana tjetër, edhe institucionet futen në “dëmtimin nga dora e njeriut” pasi sipas saj, vetë institucionet kanë nisur një proces që synon tkurrjen e rrjetit të zonave të mbrojtura, për t'u hapur rrugë pikërisht projekteve zhvillimore infrastrukturore, siç është aeroporti i Vlorës apo hidrocentralet.

Guri thotë se ndërsa bumi i ndërtimeve të hidrocentraleve në 15 vitet e fundit ku janë planifikuar të ndërtohen mbi 700 HEC-e, praktikisht “nuk ka lënë pa prekur asnjë lum apo përrua”, duke përfshirë edhe ato në zona të mbrojtura. Guri shton se lumenjtë në Shqipëri i kishin shpëtuar mrekullisht valës së shfrytëzimit për hidro-energji në kohën kur hidroenergjia shihej si alternativa më e mirë për përftimin e energjisë.

Por sot, kjo gjë ka ndryshuar pasi shtetet e BE po synojnë drejt diversifikimit të burimeve të energjisë duke nxitur energjinë diellore si një nga alternativat me më pak ndikim në mjedis dhe “vendi ynë ka një potencial të madh të pashfrytëzuar nga energjia diellore dhe ajo e erës, të cilat nëse do të kombinohen me energjinë ekzistuese të hidrocentraleve do të mund të ruante edhe lumenjtë dhe të zhvillonte turizmin dhe ekoturizmin”, kështu duke shpëtuar edhe mjedisin.

Nga ana tjetër, eksperti i mjedisit Lavdosh Ferruni thotë se ndërkohë që dora e njeriut po ndërhyn në të gjithë sektorët në botë, “deri edhe në kozmos me mbetjet hapësinore që po krijohen aty”.

Lavdosh Ferruni, Gazeta "Si", 13 Janar, 2022.

Sipas Ferrunit, dëmi më i madh në vendin tonë është në prerjen e pyjeve si dhe devijimi i lumenjve për HEC-et e vegjël.

Më herët, eksperti i mjedisit, Aleksandër Trajce ka treguar për Gazetasi.al se basenet ujore të lumenjve janë shpyllëzuar masivisht.

"Në 30 vitet e fundit ka pasur një degradim të jashtëzakonshëm të pyjeve në pjesën e lartë të baseneve. Sipas ekspertëve, shkatërrimi i pyjeve është një nga shkaqet më direkte për përmbytje dhe për pasojë edhe shkatërrimit të mjedisit nga dora e njeriut.

Një problem tjetër që Gazetasi.al ka trajtuar më herët janë edhe zjarret që kanë rënë vazhdimisht në vendin tonë, sidomos këtë vit.

Ekspertët e mjedisit u shprehën se dëmi i shkaktuar nga zjarret që shpesh herë shkaktohen edhe nga banorët që duan të djegin parcelën apo tokën e tyre, është i pakthyeshëm pasi habitati dhe shërbimet e ekosistemit që ofroheshin nga ai habitat tani më i djegur, janë tjetërsuar.

Nëse vazhdohet me këto hapa, Ferruni thotë që se e ardhmja është fatale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë