Lajme

Qeveria pezullon përkohësisht koncesionin për TEC-in e Vlorës

Ministria e Infrastrukturës ka pezulluar përkohësisht dhënien me koncesion të Termocentralit të Vlorës.

Ajo ka sqaruar se: “Në Dokumentet e Procedurës Konkurruese për dhënien me koncesion/PPP të Termocentralit të Vlorës, ka qenë parashikuar një vizitë në terren, me datë 15 Janar 2019, në të cilën morën pjesë 27 përfaqësues nga shoqëri të interesuara. Shumicës së këtyre shoqërive (23) pasi kanë plotësuar dhe dorëzuar Formularin e Konfidencialitetit i është dhënë aksesi në Bazën e të Dhënave (Data Room), administruar nga Konsulenti i angazhuar në këtë procedure – Roland Berger, në të cilat ndodhen të dhëna teknike dhe financiare rreth termocentralit ekzistues të Vlorës.”

Pas vizitës në terren, thotë Ministria, nga ana e operatorëve ekonomikë të interesuar janë bërë tashmë 48 kërkesa për sqarime, kryesisht të karakterit teknik, duke kërkuar informacione shtesë por dhe të karakterit ligjor, që kanë të bëjnë me formën e Kontratës Koncesionare (ROT) për termocentralin dhe ndërtim, forma (BOT) për tubacionin e gazit, që ndikon në hartimin e “Business Plan” të shoqërive.

Ministria e konfirmon se procedura e dhënies së Koncesionit/PPP, nisur nga këto kërkesa, është pezulluar përkohësisht dhe Komisioni është duke vlerësuar të gjitha kërkesat e paraqitura.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në cilësinë e Autoritetit Kontraktor, nisur nga qëllimi dhe parimet e Ligjit, për nxitjen e pjesëmarrjes dhe rritjen e transparencës dhe konkurrueshmërisë në këtë procedurë konkurruese, ka pezulluar procedurën me qëllim shqyrtimin dhe sqarimin e palëve të interesuara në lidhje me kërkesat e paraqitura prej tyre në AK, me synim mundësimin e pjesëmarrjes të sa më shumë ofertuesve në këtë objekt procedurë koncesionare, i cili është mjaft i rëndësishëm për sistemin elektro-energjetik Shqiptar dhe zhvillimin e sektorit të Gazit në Shqipëri.”- argumenton Minsitria.
Afati për për dorëzimin e ofertave të kompanive pjesëmarrëse në garën e tenderit është mbyllur më 28 shkurt.

Mësohet se në vizitën në terren që u bë pranë termocentralit ku ishin 27 kompani, shumica prej të cilave ishin të huaja, por pas një raporti të firmës konsulente e ministrisë në këtë tender, procedura është pezulluar.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave nuk mund të vlerësojë ofertat për 10 ditë deri në sqarimin e pikave që ka lënë eksperti ndërkombëtar. Mësohet se kompania konsulente ka zbuluar parregullsi në këtë procedurë.

TEC-i i Vlorës është ndërtuar në vitin 2011 dhe ka kushtuar 110 mln euro. Prej asaj kohe nuk ka punuar asnjë ditë. Kjo sepse kostot e prodhimit të energjisë me naftë janë tepër të larta dhe për shkak të një defekti që u shkaktua në turbinën e ftohjes. Për këtë çështje vendi ynë është paraqitur për vite me radhë në Gjykatën e Arbitrazhit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë