Ekonomi

Qeveria “pastron” imazhin, paratë e Thumanë-Kashar shkojnë për studentët

Sabina Veizaj - Në daljen e parë publike si Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi veprimin e parë të ndërmarrë; anulimin e tenderit për rrugën Kashar-Thumanë me argumentin se fondi i planifikuar për rrugën, do të shkojë në favor të Draft-Paktit për Universitetin, të prezantuar pak kohë më parë nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve.

“Ky është komunikimi im i parë zyrtar. Uroj që të kemi një bashkëpunim të shkëlqyer. Kam vendosur të bëj ndërprejen e Partneritetit Publik-Privat të aksit Kasharë-Thumanë. Buxhetin e saj do t’ia dedikojmë Paktit për Universitetit. Për ne ky aks vazhdon të jetë i rëndësishëm”, është shprehur në konferencën e shkurtër për shtyp Ministrja Balluku.
Ministria e Infrastrukturës shpalli fitues për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Thumanë-Kashar” kompaninë “Gener 2” të sipërmarrësit Bashkim Ulaj në korrik 2018, katër muaj pasi qeveria i akordoi 8.5 për qind të pikëve si bonus për propozimin e pakërkuar.
Projekti qe pjesë e paketës “1 miliardë për rindërtim”, i dyti me një fitues të shpallur, pas Rrugës së Arbrit.

Kompania ofroi 225.8 milionë euro, nga 245 milionë euro që ishte fondi limit i vendosur nga qeveria në nisje të procedurës së prokurimit, para që tashmë do t’i kalojnë projektit Paktit për Universitetin.

Menjëherë pas konferencës për shtyp të ministres së re të infrastrukturës, u bë publik lajmi se vetë Ministrja Balluku kishte dërguar një kërkesë në Bordin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit për shkarkimin e drejtorit Klodian Gradeci (i cili ka dhënë menjëherë dorëheqjen) pas skandalit në lidhje me kompaninë fantazmë DH Albania.
Në të njëjtën kohë tek shpallej fituese e tenderit me vlerë rreth 18 milionë euro për ndërtimin e lotit 1 të Unazës së Madhe, kompania fantazmë “DH Albania” fitonte edhe një tender tjetër si degë e kompanisë mëmë, “Dunwell Haberman”.

Bëhej fjalë për tenderin që do të pasonte ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 220 kV, Burrel-Peshkopi prej rreth 11 milionë eurosh.

Por menjëherë pasi plasi skandali se kompania “Dunwell Haberman” kishte falsifikuar firmën e Sekretarit të Shtetit të Delauerit, Operatori i Sistemit të Transmetimit anuloi kontratën.

Gazeta “Si” mësoi në atë kohë nga burime pranë OST-së, se operatori kishte derdhur në arkat e “DH Albanias” 2.4 milionë euro, ose 20 për qind të vlerës totale të tenderit në bazë dhe sipas parashikimeve të kontratës.

Gazeta “Si” zbuloi gjithashtu se, derdhja paraprake e shumës në emër të “DH Albania” u krye pa u lidhur kontrata me Operatorin e Sistemit të Transmetimit, si autoriteti kontraktues, i cili kishte bërë edhe pagesën.

Të dy tenderat e anuluar tashmë janë nën hetim nga ana e prokurorisë.
Firma “DH Albania” në regjistrat kombëtarë rezultonte me përfaqësues 26-vjeçarin Avdjol Dobi.

Pas shpërthimit të skandalit në atë kohë, “Zëri i Amerikës” hodhi dyshimet se pas kompanisë DH Albania fshihej biznesmeni shqiptar Bashkim Ulaj. Para një muaji nga skandali, përfaqësuesi i firmës e ka transferuar adresën e tij në kullën “ABA Business Center”, në pronësi të zotit Ulaj. “Zëri i Amerikës” kishte mësuar në atë kohë se zoti Dobi, ka lidhje familjare me biznesmenin Ulaj, por që nuk arriti të konfirmohej si pasojë e mosdhënies një përgjigje nga ana e Z. Ulaj.

Bilanci i kompanisë Dunwell Haberman, i dorëzuar në Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve në Tiranë, rezulton të jetë përkthyer nga zonja Shenda Kruja, e cila nuk figuron në listën e përkthyesve zyrtarë, të miratuar nga Ministria e Drejtësisë. Ajo rezulton në rrjetet sociale si specialiste pranë kompanisë GENER 2 të zotit Ulaj.

Aktualisht janë 16 kontrata koncesionare, të cilat në total kapin një vlerë prej 210 miliardë lekësh. Qeveria nuk ka dhënë ende arsye pse pikërisht nga gjithë kjo shumë, është zgjedhur të hiqet nga lista PPP-ja e GENER 2 për autostradën Thumanë-Kashar. Nëse do të merrnim të mirëqenë se pas “DH Albania” është kompania e zotit Ulaj, që i shkaktoi shtetit shkatërrim të imazhit në lidhje me koncesionet, për të cilat qeverisë iu është tërhequr fort veshi nga organizmat ndërkombëtare, zoti Ulaj është detyruar të lëshojë pe në heqjen dorë të ndërtimit Thumanë-Kashar.

Ky do të ishte pazari i dytë që qeveria bën me këtë kompani brenda një kohe shumë të shkurtër pas skandalit me projektin tek “Unaza e Re” ku "DH Albania" u përjashtua. Qeveria pastron në këtë mënyrë imazhin e vet, madje duke u kujdesur t’u bëjë makijazh parave dhe duke i shpënë në një vepër të mirë si investim për studentët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë