Politike

Qeveria, partia dhe… Ronaldo

Të premten mediat online e nisën ditën me lajmin e mbledhjes informale të qeverisë në Vlorë. Thuajse në të gjithë artikujt e publikuar flitej për një takim ku Kryeministri do të bënte bilancet për ministrat e kabinetit të tij.

U tha se bilanci do të bëhej në bazë të një raporti vëzhgimi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të drejtuar nga Arben Ahmetaj. Ky dikaster ishte urdhëruar që në pranverë nga Edi Rama që të monitorojë zbatimin e projekteve nga ministritë e tjera.

Mbledhja u mbajt paraditen e së premtes tek vilat qeveritare në Vlorë jashtë vëmendjes mediatike. Edhe ata pak gazetarë që tentuan që t’i afrohen vendit ku po zhvillohej takimi nuk u lejuan që ta bëjnë një gjë të tillë.

Të premten nuk doli asnjë informacion zyrtar se çfarë ishte diskutuar në atë takim dhe nuk u dha asnjë sinjale se në çfarë konkluzioni kishte arritur Kryeministri Edi Rama për ministrat e tij, megjithëse mediat zienin me lajme për ndryshime në kabinet në shtator.

Mbledhja vazhdoi edhe të shtunën dhe ashtu si të premten mediat sërish nuk u lejuan. Por, ndryshe nga e premtja, e shtuna prodhoi më shumë lajme. Por, në kohën që shqiptarët prisnin të mësonin se ccfarë do të ndodhte me qeverinë, lajmet që dolën lidheshin më shumë me partinë.

Socialistët kanë dalë me një vendim që të mbledhin Asamblenë Kombëtare. Thirrja e Asamblesë do të realizohet brenda 10 ditëve të para të shtatorit dhe pikërisht nga kjo Asamble mund të mbërrijnë më vonë ndryshimet në Qeveri.

Pra, dita e gjykimit të punës për kabinetin “Rama 2” do të jetë dita kur do të mblidhet Asambleja. A do të pasojë kjo mbledhje ndryshime në qeveri? Kësaj pyetjeje nuk mund t’i jepet një përgjigje e prerë në këto ditë të fundit të gushtit, por mbledhja interpretohet edhe si një parapërgatitje për zgjedhjet vendore në sfond dhe një “auditim” për punën e koordinatorëve të PS-së në qarqe deri më tani.

Nëse takimet informale me ministrat në vilat qeveritare Kryeministri Edi Rama arriti që ta mbajë larg vëmendjes së mediave, udhëtimin me charter drejt Torinos për të ndjekur ndeshjen e parë në shtëpi të Juventusit nuk mundi ta fshehë.

Lajmi i përhapur se Kryeministri kishte udhëtuar për në Itali me shpejtësi pas takimit me ministrat u prit fillimisht me dyshime, por më vonë ai e konfirmoi vetë këtë, duke postuar fillimisht një “story” në Instagram ku shfaqej me Presidentin e Juventusit, Andrea Agnelli në tapetin e blertë të “Allianz Stadium” dhe më vonë përmes një fotoje “historike” me Cristiano Ronaldon.

https://www.facebook.com/edirama.al/photos/a.10151850199621523/10156060463011523/?type=3&theater

Të dyja rastet përçanë ndjekësit e Kryeministrit në rrjetet sociale, ku komentues jo të paktë në numër e akuzonin për abuzim me paratë publike. Ndoshta i nxitur edhe nga ky reagim, nga Partia Demokratike reagoi Edi Paloka.

“Ekzaktësisht më 13:44 , Kryeministri i vendit më të varfër në Europë, pasi ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit nga Vlora me helikopter Cougar, është nisur për në Torino me një charter tip Cesna 550, të Serbise YUBTB. Arsyeja; ndeshja Juventus-Lazio që zhvillohet në orën 18:00”, shkruan deputeti demokrat në rrjetet sociale.

Deklarata e Palokës u konfirmua më vonë pjesërisht nga Kryeministria. U pranua që Rama kishte udhëtuar drejt Torinos për të ndjekur ndeshjen Juventus-Lacio dhe për të shkrepur disa foto me Agnellin dhe Cristiano Ronaldon, por u hodhën poshtë akuzat se për udhëtimin, hyrjen në stadium dhe takimet e zhvilluara atje ishin paguar me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

“Është plotësisht e vërtetë që Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar sot drejt Torinos, së bashku me Drejtorin Sportiv të Lazios, Igli Tare. Ata janë nisur nga Rinasi me një avion të prenotuar nga klubi i Lazios për drejtorin sportiv, Igli Tare, i cili pasi ka kaluar disa ditë pushime në jug të Shqipërisë është kthyer sot në detyrën e tij. Kryeministri është i ftuar nga Presidenti Agnelli për ndeshjen e parë në shtëpinë e juventinëve dhe do të kthehet nesër në mëngjes”, deklaronte për Report TV, Drejtori i Komunikimit të Kryeministrit Rama, Endri Fuga.

Ai vijon në reagimin e tij se Kryeministri Edi Rama udhëton në Economy Class, ashtu si gjithë ministrat e kabinetit dhe mohon që nga buxheti i shtetit të jetë paguar ndonjëherë për udhëtimet private, apo familjare të tij.

“Nëse do të më kërkonin të zgjidhja një absurditet mes plot të tillëve në listën e akuzave ndaj Kryeministrit, është akuza se Edi Rama është i dhënë pas luksit, veseve e parave. Një budallallëk me brirë!”, vijon ai.

Ky reagim ngjalli kundërpërgjigjen e Edi Palokës, që në Facebook publikonte dy tabela, e para që tregonte shifrën 27.2 miliardë lekë si shpenzime të qeverisë Rama në katër vjet vetëm për avionët dhe e dyta që tregonte se si shifra e këtyre shpenzimeve kishte ardhur duke u rritur që nga 2014 e në vazhdim.

Në gjithë këtë debat, e sigurtë është që Edi Rama u kthye në Shqipëri për të pritur samitin informal të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Durrës me kujtimin e shtrëngimit të duarve dhe fotografisë së shkrepur me Cristiano Ronaldon dhe… trepikëshin e Juventusit, që fitoi 2-0 përballë skuadrës së Igli Tares.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë