Treg

Qeveria: Nuk do të ketë subvencion për fermerët e fruta-perimeve

Fermerët e fruta-perimeve nuk do të subvecionohen, ashtu si fermerët e qumshtit. Këta të fundit do të kenë një subvecion tavan deri në 7 mln lekë për fermë.

Ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi, ka sqaruar se fokusi i qeverisë është tek blegtoria, pasi ky nënsektor i bujqësisë nuk përfiton nga TVSH zero të inputeve, në të kundërt me prodhimet fruta-perime.

Ministri Çuçi në një interpelancë me një përfaqësi fermerësh nga i gjithë vendi, ka sqaruar vendimin e qeverisë për subvecionimin e pjesës së uljes së kompensimit të TVSh-së me skemën e re fiskale.

“Maksimumi që ju do të humbnit ishte 5 lekë/litër. Por ne kemi vendosur ta kompensojmë 10 lekë/litër. Nuk do të ketë kufizime të numrit të lopëve për qumshtin e dorëzuar. Mjafton të dorëzoni faturat e shitjes në agropikat dhe drejtoritë e bujqësisë që janë 35 në gjithë vendin dhe kompensimi do të bëhet menjëherë. Për këtë do të duhet autofatura tatimore dhe sëbashku me të, ndryshe nga herët e tjera do të kërkohet një afat tre mujor i pagimit të sigurimeve shoqërore”, shpjegoi ministri Çuçi.

Sipas ministrit të bujqësisë, kjo mbetet e vetmja skemë, sepse ndryshe, tha Çuçi nuk do të shkonte rimbursimi tek fermerët, siç është provuar.

Vendimi i qeverisë ka fuqi prapavepruese, që do të thotë se kompensimi ndaj fermerëve të qumshtit nis nga 1 janari, kur ka nisur edhe regjimi i ri i TVSH-së.

Fermerët përpos problematikës së skemës së re të TVSH-së, ngritën edhe shqetësime të tjera të sektorit që nga vaditja, matrikulimi dhe çmimi i lartë i naftës.

Ministri Çuçi bëri me dije se qeveria po diskuton për një skemë që të lehtësojë fermerët nga disa taksa të panevojshme që janë barrë për fermerin kur bëhet fjalë për çmimin e naftës.

Gjithashtu qeveria ka vendosur të njohë matrikulimin në shumën10 mijë lekë për krer. Për këtë vit matrikullimi është firmosur për gjethin.

Në lidhje me çështjen e tokave, Çuçi tha se qeveria me ligjin e ri, do të heqë problemin e mbivendosjeve, prandaj ky ligj sipas tij, do ti japë hakën të zotit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë