Para

Qeveria miraton pr.ligjin e Bankës: Llogari dhe shërbime falas për shtresat në nevojë

Nga Gazeta ‘SI’ - Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin e hartuar nga Banka e Shqipërisë që u jep akses të gjithë popullsisë në shërbimet bankare.

Drafti i BSH-së “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike” parashikon shërbime me tarifë zero nga bankat për klientët që janë përfitues të skemave sociale dhe ekonomike; të papunët, invalidët, jetimët, përfituesit e pensioneve, bursave etj.

Bankat do të ofrojnë llogarinë e pagesave me shërbime bazike pa aplikuar tarifa ose kundrejt një tarife të arsyeshme. Konsumatorëve, të cilët posedojnë llogari të tjera, përveç llogarisë së pagesave me shërbime bazike, u lind e drejta, me kërkesë të tyre, të pajisen me një llogari pagese me shërbime bazike.

Kjo realizohet duke konvertuar një llogari ekzistuese në një llogari pagesash me shërbime bazike ose duke hapur një llogari të re e duke mbyllur atë ekzistuese.

Metodologjia e përllogaritjes së tarifës së arsyeshme nga bankat përcaktohet me akt nënligjor të Bankës së Shqipërisë, duke konsideruar të paktën nivelin e të ardhurave kombëtare dhe tarifat mesatare të aplikuara nga bankat për shërbimet e pagesave, të ofruara në llogaritë e pagesave.

Llogaria e pagesave me shërbime bazike iu ofrohet konsumatorëve në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha bankat që ushtrojnë aktivitetin në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht nivelit të të ardhurave, statusit të punësimit, historikut të aftësisë paguese të konsumatorëve, brenda Republikës së Shqipërisë.

Bankat kryejnë hapjen e llogarisë së pagesave me shërbime bazike ose refuzojnë aplikimin e një konsumatori për hapjen e një llogarie të tillë, në çdo rast, jo më vonë se 15 ditë pune pas marrjes së aplikimit të plotë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë