Para

Qeveria miraton indeksimin e pensioneve në masën 8.6%

Nga Gazeta 'Si'-Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave qeveria ka miratuar vendimin për indeksimin e të gjitha kategorive të pensioneve në masën 8.6%.

Ky vendim mësohet se parashikon indeksimin e pensioneve të të gjitha kategorive duke përfshirë këtu si ato të pleqërisë, invaliditetit apo edhe të tjera.

Zbatimi i këtij vendimi, përfitues të së cilit janë mbi 767 mijë qytetarë në të gjithë vendin, nis nga data 1 tetor.

Ministria e Ekonomisë njofton se vetëm për periudhën tetor – dhjetor të këtij viti efekti financiar në buxhetin e shtetit llogaritet në rreth 3.1 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2024 do të jetë 12.1 miliardë lekë.

"Kjo rritje, mbulon gjithë ndryshimin e çmimeve për periudhën gusht 2022 - gusht 2023, të matur nga INSTAT në mënyrë të dedikuar për kategorinë e pensionistëve (Indeksi i Çmimeve të Konsumit për pensionistët është i ndryshëm nga indeksi i popullatës, pasi merr në konsideratë ndryshimet e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve që konsumojnë pensionistët)", thuhet në njoftimin e ministrisë.

Gjatë vitit të kaluar janë realizuar dy indeksime, në total në masën 9.5%, me efekt financiar 5.4 miliardë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë