Para

Qeveria miraton dy hua nga Gjermania: 70 mln euro për energjinë dhe zhvillimin e disa zonave rurale

Nga Gazeta ‘SI’ - Në mbledhjen e sotme të qeverisë (8 mars) janë miratuar dy marrëveshje financimi me bankën gjermane për zhvillim, KFW.

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku tha se, 50 mln euro do të huazohen nga banka gjermane për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit energjetik. Ajo tha se ky financim i afrohet më shumë qëllimit të qeverisë për ta bërë Shqipërinë një eksportues neto të energjisë, me prodhim të parashikuar vjetor, 4 terravat deri në 2029-n.

Balluku shtoi se në ditët në vijim do të përfundojnë dhe proceset finale të Bursës së Energjisë, për të nisur funksionimin dhe daljen e plotë në treg të lirë.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, njoftoi për një tjetër marrëveshje huaje me KFW, prej 20 mln eurosh me qëllimin zhvillimin e zonave rurale në bashkinë Pogradec dhe Pustec.

Pyetur për mbështetje tjetër sociale të pensionistëve gjatë prillit, ministrja tha se nuk ka një plan të tillë.

“Ne kemi parashikuar në buxhet për këtë vit një fond i cili i dedikohet mbështetjes sociale. Po punojmë për rritjen e pagave dhe do synojmë që pagat të rriten gjatë vitit. Një ndër hapat që ndërmorëm është rritja e pagës minimale. Jo vetëm në administratë. Sa u përket pensioneve kemi në politikë të konsoliduar në bazë të inflacionit. Gjatë vitit të kaluar u indeksuan dy herë. Nuk kemi përcaktuar një politikë të dhënies së shpërblimit në prill.”- tha Ibrahimaj.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tregoi se në mbledhje u miratuan ndryshimet në ligjin për policinë e burgjeve, nga heqja e kriterit të moshës deri tek hapësirat e reja të punësimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë