Treg

Qeveria “konfuze” për qasjen ndaj plastikës, ul përsëri taksën për lëndët primare

Një vit pasi i shpalli luftë biznesit të plastikës me paralajmërimin se në vend për një kohë të shkurtër nuk do të kishte më fare qese plastike, e pasi në kuadër të paketës fiskale 2019 rriti taksën e lëndës primare për produktet e plastikës, në një kohë kur BE ka hequr nga qarkullimi takëmet plastike njëpërdorimshe; qeveria deklaroi se ka gabuar me biznesin e plastikës.

Pasi pranoi se gaboi për rritje të taksës së lëndës primare për produktet e plastikës duke e shpënë 25 lekë/kg, qeveria ka vendosur ta ulë sërish këtë taksë në 10 lekë/kg. Ligji do të hyjë në fuqi në gjysmën e dytë të vitit 2019.

Në relacionin shpjegues të projektligjit që i ka shkuar kuvendit sqarohet se ky propozim ka për qellim: të lehtësojë barrën e taksimit të lëndëve të para për prodhimin e aitikujve të plastikës. Për këtë qëllim propozohet që taksa mbi lëndët e para primare, të cilat importohen për prodhimin e artikujve të plastikës në vend, të ulet nga 25 lekë/kg në 10 lekë/kg.

Gjithashtu projekltligji parashikon të rimbursojë taksën, jo vetëm për ambalazhet që eksportohen, por edhe për çdo artikull tjetër plastik që eksportohet.
Do të përjashtohen po ashtu nga pagimi i taksës, lëndët e para primare apo materialet që përfshihen në kapitullin 39 të plastikes, por që përdoren për në procese teknologjike për prodhimin e mallrave jo plastike.

Në relacion sqarohet se ndryshimet e miratuara në paketën flskale në dhjetor 2019, kanë lehtësuar barrën fiskale të prodhuesëve vendas dhe importuesëve, nëpërmjet uljes së nivelit të taksës, por edhe zgjerimit të bazës së taksueshme, me qëllim eliminimin e shmangieve nga pagimi i saj.

Ndryshimi i paraqitur së fundi, synon të stimulojë më fort prodhimin vendas duke e ulur më tej nga 25 lekë/kg në 10 lekë/kg, pra -60 % nivelin e taksës, si dhe të përjashtojë nga taksa një sërë lëndësh të para dhe artikuj plastikë, të cilët përdoren: në industrinë e ndërtimit në kuadrin e rritjes së efiçencës së energjisë, në industrinë e mobilerisë dhe të prodhimit të bojrave dhe materialeve të ndërtimit.

Ulja e nivelit të takses për lëndët e para primare nga 25 lekë/kg në 10 lekë/kg llogaritet të ketë një efekt rreth 200 deri 225 milionë lekë në një vit të plotë financiar, duke marrë parasysh që në vitet e kaluara janë importuar rreth 15 mijë ton lëndë të para primare që përdoret për prodhimin e mallrave te plastikës.

Në realcion sqarohet se nisur nga fakti që hyrja në fuqi e këtij ligji do të shtrijë efektet rreth gjysmës së dytë të vitit 2019, efekti në buxhet përgjysmohet.
Biznesi i plastikës në vend thërriti një muaj më parë në interpelancë Ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe Eduart Shalsin, ministrin për Sipërmarrjen në lidhje me paketën fiskale 2019, që sipas tyre ka rezultuar dëmtuese për këtë biznes.

Referuar Paketës Fiskale 2019, nuk tarifohen vetëm produktet e plastikës njëpërdorimshe, por edhe lënda e parë për të prodhuar në vend. Tarifat janë respektivisht 25 lekë për kg për lëndën e parë të plastikës që prodhon në vend sende plastike dhe 35 lekë për kg për produktet plastike të importit.

“Ne jemi të bindur që duhet ulur taksa. Fundi i muajit do të na gjejë me një propozim konkret”- do të thoshte në interpelancë ministry Shalsi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë