Lajme

Qeveria kokëfortë, injoron risqet e PPP-ve, jep Kepin e Rodonit për port jahtesh

Zbulohet arsyeja e kërkesës së Arben Ahmetajt për shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit për koncesionet më 1 tetor 2019. Kjo pasi qeveria kishte një tjetër plan koncesioni. Kepi i Rodonit, porti “Marina Rodon” është gati për koncesion me ofertë të kërkuar për port jahtesh. Afati 35 vjeçar.

Sipas propozimit, koncesioni për portin është projektuar të ndërtohet në vijën bregdetare jugore të Gjirit të Drinit, rreth 7 km larg Kepit te Rodonit.

Periudha e lënë në dispozicion për të paraqitur dokumentet është për 30 ditë (afati ka përfunduar më datën 6 shtator) dhe dokumentet duhet të jenë vetëm në gjuhën shqipe.
Projektligji për koncesionet u hartua në muajin janar dhe do të hynte në fuqi më 1 korrik 2019, por pa shpjegime u la të pluhurosej në zyrat e kuvendit dhe u rishfaq në fund të korrikut kur kreu i komisionit për ekonominë dhe financat Arben Ahmetaj kërkoi shtyrjen e hyrjes së tij në fuqi më 1 tetor 2019.

Ky ishte një nga ligjet e kthyera të Presidentit që tronditi maxhorancën. Mënyra e Financimit të veprave të ndryshme përmes Partnerirtet Publik Privat është kritikuar nga FMN dhe Banka Botërore për mungesë transparence, paqartësi në lidhje me përfituesit dhe risk për buxhetin duke i konsideruar si borxhe të fshehura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë