Treg

Qeveria: Gabuam me biznesin e plastikës. Biznesi: Jemi rënduar

Biznesi i plastikës në vend thërret në interpelancë Ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe Eduart Shalsin, ministrin për Sipërmarrjen në lidhje me paketën fiskale 2019, që sipas tyre ka rezultuar dëmtuese për këtë biznes.

Referuar Paketës Fiskale 2019, nuk tarifohen vetëm produktet e plastikës njëpërdorimshe, por edhe lënda e parë për të prodhuar në vend. Tarifat janë respektivisht 25 lekë për kg për lëndën e parë të plastikës që prodhon në vend sende plastike dhe 35 lekë për kg për produktet plastike të importit.

“Ne kemi kundërshtuar 25 lekëshin sepse është shumë e ngushtë diferenca, 25 për prodhimin vendas me 35 për produktin e gatshëm. Për më tepër, që kjo vlen vetëm për kodin 39 të nomenklaturës së mallrave, që do të thotë që e gjithë lënda e parë futet aty dhe merr taksë 25 lekë për kg. Kurse jo çdo produkt që ka përmbajtje plastike futet në S kode. Dhe duke mos u futur në këtë kod, nuk merr taksë 35 lekë për kg. Psh. marrim një karrike që ka skeletin metalik dhe ka ulësen e mbështetësen plastike, nëse kjo vjen e gatshme nga importi, kjo klasifikohet në kod tjetër dhe nuk paguan doganë për pjesën plastike që ka. Nëse një prodhues i këtyre karrikeve, do të blejë plastikën këtu për të bërë karriken në vend, automatikisht ai paguan 25 lekë për kg. Kjo është pjesa e fshehur”, do të thoshte për Gazetën “Si” Vullnet Haka drejtuesi i Shoqatës së Konvertuesëve të Plastikës disa muaj më parë.

Shoqata në një dëgjesë të asaj kohe në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese do të kërkonte mbrojtjen e prodhimit vendas duke ulur tarifën doganore për lëndën e parë në 10 lekë për kg nga 25 lekë për kg që u propozua duke u shprehur se nëse Ministria e Financave nuk ndryshon propozimin e saj, ndikimi që parashikojnë aktorët e sektorit është 20% mbi vlerën e lëndës së parë, por nuk u dëgjua nga ministri i asaj kohe Arben Ahmetaj.

Nga janari kur ka hyrë në fuqi ligji deri më tani, sipërmarrjet thonë se janë dëmtuar shumë, prandaj thirrën në interpelancë ministritë e linjës.

Qeveria ka pranuar gabimin dhe është zotuar ta korrigjojë.

Ministrja e Financave Anila Denaj është shprehur se qeveria është e gatshme të rishikojë aplikimin për taksimin e lëndëve të para që në final nuk shkojnë dhe nuk prodhojnë një produkt që ndot ambientin. Sipas saj, ligji pati qëllim kryesor rishikimin e taksës së plastikës, për ndikimin e drejtpërdrejtë që pati kjo taksë në kostot e biznesit.
“Ky takim, është në vazhdën e bashkëbisedimeve të vazhdueshme që ne zhvillojmë me biznesin për çështje të ndryshme. Nëse ka produkte të lëndës së pare që në final nuk shkojnë dhe prodhojnë një produkt që ndot ambientin, jemi të gatshëm të rishikojmë aplikimin e mëparshëm të regjimit të taksimit, pasi taksimi është për produktet që ndotin ambientin”- tha Denaj.

Për të disa nga produktet u ndeshën me rëndimin e taksës në të gjithë zinxhirin e tyre, pasi sipas saj, udhëzimet nuk erdhën në kohë, por dolën në shkurt dhe kjo krijoi një shqetësim.

Ministrja shpjegoi se, rishikimi i taksës për plastikën në Paketën e re Fiskale 2019, pati në thelb mbështetjen e komunitetit të biznesit dhe të mjedisit. Për këtë qëllim u konsiderua që ulja e saj nga 100 lekë në 35 lekë, do të ishte një impakt pozitiv si për biznesin dhe në çmimin final që paguan konsumatori.

“Me publikimin e udhëzimit, mendoj se kemi adresuar 80% të shqetësimeve që keni pasur,” tha ajo.

Vullnet Haka, nga Bashkimi i Prodhuesve ngriti shqetësimin e në këta muaj kur ka hyrë në fuqi taksa, ka vënë në vështirësi biznesin.

Haka nënvizoi se taksa ka prekur shumë sektorë të tjerë, si ndërtimi, prodhimi i bojëra, sfungjerit, dhe të prodhimit të materialeve të ndërtimit. “Në këto kushte, vetëm duke iu referuar taksës për lëndën e parë, kemi taksuar lëndën e parë me 20%, ndërsa për produktet e gatshme e kemi taksuar në vlerë rreth 15%. Kjo është një taksë diskriminuese për prodhimin vendas,”- sqaroi ai.

Ministri për sipërmarrjen Eduart Shalsi, u shpreh se taksa e ambalazhit, nga 100 lekë u vendos 35 lekë ka qenë propozim i biznesit.

"Në morinë e të dhënave që dispononin, output nuk përputhej me outputin. Sasia e granulatit nuk përputhej me outputin e tij, pra kishte evazioni. Spektri i produkteve ishte shumë më i madh nga ai që kishim diskutuar. Shkaktoi anomali në treg. Udhëzimi i muajit shkurt synoi që të korrigjonte atë pjesë nga ndryshimet e taksës. Referenca ishte kodi 39. Në këtë sektor kemi një masë të madhe informaliteti", tha Shalsi.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2088539584780206/

Ai bëri me dije për biznesin se taksa prej 25 lekë për kg për importet e lëndëve të para, pjesë e Kodit 39, është duke u shqyrtuar me shumë kujdes dhe përgjegjësi dhe se qeveria shumë shpejt do të ndryshojë masën.

“Ne jemi të bindur që duhet ulur. Fundi i muajit do të na gjejë me një propozim konkret”- tha Shalsi.

Neritani Male, i cili operon në sektorin e termoizolimit shpjegon se është prekur nga taksa, duke sjellë një rritje të çmimeve për produktet e termoizolimit me 15%, duke i bërë jo atraktive. Kjo taksë sipas Males po aplikohet mbi një produkt miqësor me mjedisin.
Shalsi argumentoi se rasti i biznesit të zotit Male, apo ai i prodhimit të bojërave, ishin kategori që nuk ishin parashikuar.

“Kemi ngritur një grup për një zgjidhje finale të problemit, ndryshime ligjore. Ka një shqetësim që duhet ta marrim në konsideratë, zbatimi i udhëzimit nga Doganat dhe Tatimet. Çdo udhëzim merr dhe fazën e axhustimit. Tashmë jemi në fazën e axhustimit institucional. Disa prej drejtorive po azhurnohen me vështirësi”,- shpjegoi Shalsi.

Vullnet Haka,u kërkoi të dy ministrave që të kthehet siguria te sipërmarrësit duke propozuar që taksa të shkojë 5 lekë për kg, të ketë përcaktim të përjashtimeve të qartë në ligj për materialet që shërbejnë për sektorin e ndërtimi.

Luftën ndaj biznesit të plastikës, kryeministri Edi Rama do ta paralajmëronte më herët gjatë vitit 2018-ë kur do të miratonte më 26 prill të atij viti një VKM për heqjen nga qarkullimi të qeseve plastike që përdoreshin në atë kohë dhe zëvendësimin e tyre me qese plastike të biodegradueshme që plotësonin një sërë kriteresh.

Në muajin maj, Komisioni Europian propozoi disa norma për të reduktuar mbetjet plastike në det, mes tyre do të ishte mospërdorimi i serviseve plastike njëpërdorimshe dhe produkte të tjera.

Po në maj, vetëm pak kohë pas miratimit të VKM-së kryeministri Rama nga Landfilli i Durrësit deklaroi se “do t’i ndalojmë fare qeset. Vendim i dhimbshëm është, por do t’i ndalojmë”

Në këtë kohë bëhet publike paketa fiskale, e cila ndër të tjera reflekton edhe ndryshimin e tarifave doganore për produktet plastike dhe lëndën e parë.
Në biznesin e riciklimit janë të punësuar në mënyrë të drejpërdrejtë mbi 2300 njerëz, por në sektorin e riciklimit ka një rrjet individësh grumbullues të cilët mendohet të jenë 35 mijë në të gjithë Shqipërinë.

Xhiroja vjetore që realizon gjithë industria e riciklimit; metale, metale me ngjyrë, letër, plastikë etj., shkon në mbi 150 mln euro dhe industria e riciklimit të plastikës zë mbi 30%.

Aktualisht në vendin tonë ushtrojnë aktivitetin e riciklimit të plastikës 25 kompani, 10 prej të cilave janë kompani të mëdha. S.V


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë