Politike

Qeveria fut me procedurë të përshpejtuar miratimin e Eurobondit

Qeveria synon që të fusë me procedurë të përshpetuar në Kuvend miratimin e dy ligjeve që i hapin rrugë marrjes së borxhit mbi 500 milionë euro në tregjet ndërkombëtare. Vendimi është marrë në mbledhjen e së mërkurës dhe sipas tij përcaktohet edhe rruga që do të ndiqet për miratim në Kuvend.

Sipas rregullores së Kuvendit, një projektligj futet për miratim në kalendarin trejavor me procedurë të përshpetuar në rastet e masave të jashtëzakonshme, me kërkesë të Këshillit të Ministrave ose një të pestës së të gjithë numrit të deputetëve.

Afati, brenda të cilit duhet të shqyrtohet çështja në komision dhe në seancë plenare, nuk mund të jetë më pak se një javë nga data e paraqitjes së kërkesës nga Kryetari i Kuvendit në seancë plenare. Në rastin kur projektligji shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar, afati i paraqitjes së raportit është të paktën 2 ditë përpara seancës plenare.

Me procedurën e përshpejtuar projektligji mund të kalojë për miratim që në seancën e radhës në Kuvend, për të përmbushur synimin e Qeverisë për të dalë në tregjet ndërkombëtare për borxh brenda këtij muaji, ose maksimumim në javën e parë të muajit nëntor.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha të mërkurën se do të synohet emëtimi i këtij Eurobondi në momentet kur tregjet ndërkombëtare financiare kanë interesat e ulta, megjithëse njohu vështirësitë dhe problematikat në këto tregje për shkak të krizës energjitike dhe politikave monetare të bankave qendrore që kanë shtrënguar kriteret e kreditimit.

Eurobondi ishte njëra nga çështjet e përplasjes Rama-Basha në seancë këtë të enjte. Basha tha se po merret borxh për të mbuluar gropat e korrupsionit dhe se kriza në sektorin energjitik është e sajuar. Rama nga ana tjetër u përgjigj me siguri se dalja në tregjet financiare do të konfirmojë besueshmërinë e tyre për ekonominë shqiptare dhe ecurinë pozitive të saj, sipas tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë