Bota

Qeveria e Malit të Zi, me zv.kryeministër shqiptar e ministra serbë: Kushtet që u pranuan

Gazeta Si - 11 parti firmosën për krijimin e qeverisë së re të Malit të Zi. Në mesin e partive që firmosën janë 5 partitë shqiptare, që ishin ndarë në dy koalicione politike, ‘Forumi Shqiptar’ dhe ‘Aleanca e Shqiptarëve’.

Lideri i ‘Forumit Shqiptar’, Nik Gjeloshaj, do të jetë zv.Kryeministër i Malit të Zi për çështje Ekonomike në Qeverinë e 44-t dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik. Nga radhët e ‘Forumit Shqiptar’, në krye të Ministrisë së Administratës Publike do të mbetet Marash Dukaj.

Fatmir Gjeka nga ’Aleanca Shqiptare’ do të jetë Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave. Partive Shqiptare u takon edhe vendi i nënkryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, ku përflitet edhe emri i Genci Nimanbegut. Kryetar i Parlamentit do të jetë lideri i partisë pro serbe, Andrija Mandiç.

Nik Gjeloshaj ndërkohë ka bërë të ditur se me liderët e ‘Lëvizjes Evropa Tani’ kanë rënë dakord për kushtet, të cilat lidhen me faktin se në përbërje të qeverisë Spajiç do të ketë edhe nga partitë serbe.
“Në bazë të marrëveshjes së propozuar, 4 çështje kyçe të politikës së jashtme për ‘Forumin Shqiptar’, të cilat nuk mund dhe nuk do të vihen në dyshim, do të konfirmohen nga të gjithë përbërësit e qeverisë së re me nënshkrimin e marrëveshjes, konkretisht janë: 1.Shteti i Malit të Zi është anëtar i NATO-s; 2.Shteti i Malit të Zi ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës; 3.Shteti i Malit të Zi dënoi agresionin rus dhe mbron të drejtat e Ukrainës; 4.Shteti i Malit të Zi vendosi dhe mbështet sanksionet e BE-së kundër Rusisë”, - shprehet Gjeloshaj.

Ai thekson se ka marrë garancinë se nuk do të ndryshojë përbërja e qeverisë dhe politika e jashtme. Marrëveshja u nënshkrua nga kryeministri i ardhshëm dhe lideri i ‘Lëvizjes Evropa Tani’ Milojko Spajiç dhe liderët e Demokracisë së Re Serbe Andrija Mandiç, Partisë Popullore Demokratike Milan Knezheviç,

Demokratit Aleksa Beçiç, Partisë Popullore Socialiste Vladimir Jokoviç, CIVIS Srdan Paviçeviç, dhe liderët e pesë partive shqiptare, tre prej të cilave përbëhen nga Forumi Shqiptar: Nik Gjeljoshaaj, Ivan Ivanaj dhe Ferhat Dinosha dhe dy që janë në koalicionin Aleanca Shqiptare: Fatmir Xheka dhe Genci Nimanbegu.
Në qeverinë e re ministra do të kenë edhe Levizja Evropa Tani, Demokratët dhe SNP. Brenda 2 javësh pritet të votohet formimi i qeverisë së re, si dhe drejtuesit e rinj të Parlamentit malazez.

Qeveria e re pritet të formohet nga Millojko Spajiç, do të jetë e treta që nga largimi i Partisë Demokratike të Socialistëve të Millo Gjukanoviqit nga pushteti, në gusht të vitit 2020.

Qeveria e parë e Zdravko Krivokapiçit, e formuar nën ndikimin e Kishës Ortodokse Serbe, zgjati 14 muaj. Qeveria e dytë, në krye shqiptarin Dritan Abazoviçin, lider i Partisë Ura, u përball pas tre muajsh me votë mosbesimi dhe deri më sot ajo funksionon me mandat teknik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë