Para

Qeveria bujare me tenderat. Por deri në 2013 kursehej më shumë

Mentor Kasa - Ligji e detyron Qeverinë që kur thërret në tendera publikë kompani private për të kryer një punë, a për të ofruar një shërbim për qytetarët, të respektojë dy parime kryesore. I pari është kryerja e punës dhe ofrimi i shërbimeve cilësore, ndërsa i dyti synon që përmes garës së operatorëve ekonomikë privatë të ulet kostoja e tyre dhe të kursehen paratë e taksapaguesve.

Për cilësinë e shërbimeve dhe të punëve publike që u janë ofruar shqiptarëve ndër vite treguesi kryesor është perceptimi i qytetarëve. Po për koston? Sa para të shqiptarëve kanë kursyer qeveritë ndër vite përmes tenderave publikë?

Autoriteti i Prokurimeve Publike publikoi raportin për vitin 2018, vit ku u prodhuan disa skandale të mëdha në fushën e prokurimit publik. Por, Autoriteti i Prokurimeve Publike, një institucion në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit, pretendon se në vitin që lamë pas “ka përmirësuar dukshëm treguesit e sistemit të prokurimit krahasuar me një vit më parë”.

APP sjell në shifra atë që e cilëson "përmirësim të performancës". Njëri prej këtyre treguesve është numri i procedurave të prokurimit publik për 2018, ku autoriteti thotë se ka një rritje me 326 procedura fituese më shumë në krahasim me vitin 2017. Pra, qeveria mat suksesin në punën e saj me rritjen e numrit të tenderave që ka dhënë në vitin ku u prodhuan disa prej skandaleve më të mëdha në këtë sektor, ku më i bujshmi mbetet ai i Unazës së Madhe dhe DH Albanias.

Por, sa para të taksapaguesve u kursyen përmes tenderave në këtë vit? Sipas shifrave të publikuara nga APP, në 2018 fondi i vënë në dispozicion nga Qeveria për prokurimet publike ka qenë rreth 98,1 miliardë lek për 5116 tendera të fituar. Nga gara mes operatorëve ekonomikë privatë, kjo shifër është ulur në rreth 91,7 miliardë lek. Pjesa që mbetet, pra rreth 6,3 miliardë lekë, ose 6.45 për qind e fondit total të prokuruar për procedurat e fituara, janë paratë që iu kursyen xhepave të shqiptarëve.

Në 2017 kursimi arriti në 8.9 për qind të vlerës totale të prokuruar për procedurat e fituara. Pra, të paktën në termat e kursimit të parave të shqiptarëve, 2018 ka qenë një vit me performancë më të dobët. Por jo vetëm në krahasim me 2017. Shifra prej 6.45 për qind kursim nga vlera totale e parave të shpërndara nëpër tendera është më e ulta në dhjetë vitet e fundit.

Shifrat e tenderave në dhjetë vitet e fundit, sipas raporteve të publikuara nga APP

Kjo tabelë e ndërtuar sipas të dhënave të publikuara në raportet vjetore të Autoritetit të Prokurimeve Publike na paraqet, ndër të tjera, edhe shumat kursyera në dhjetë vitet e fundit nga tenderat. Shumat e tenderuara, ato të fituara dhe të kursyera ndryshojnë nga viti në vit, ndaj për të patur një krahasim më të saktë treguesi kryesor është përqindja e kursyer.

Shifrat na tregojnë se 2010 është viti me fondin limit të prokuruar më të ulët, 2011 me fondin e kursyer më të lartë, ndërsa 2018 me fondin limit të prokuruar më të lartë dhe fondin e kursyer më të ulët.

Gjithashtu, vërehet se në 2009,2010,2011 dhe 2012, fondi i kursyer nuk ka zbritur nën 10 për qind, ndërsa pas 2013, kjo shifër është nën 10 për qind e fondit total limit të prokuruar. Pra, në terma më të thjeshtë, tenderat e dhënë nga 2013 deri në 2018 patën një kosto më të lartë se tenderat e dhënë nga 2009 deri në 2012.

Rritja e kostos totale të tenderave mund të justifikohet me rritjen e kërkesës për cilësi të punimeve dhe shërbimeve që kërkon qeveria dhe institucionet e tjera, por rrallë kjo cilësi reflektohet në terren dhe dëshmitarët më të mirë për këtë janë qytetarët.

Duke u rikthyer tek viti i fundit, 2018-ta ka qenë viti i skandaleve të mëdha me tenderat, koncesionet dhe partneritetet publike-private, ku më i bujshmi ishte ai i Unazës së Madhe me DH Albanian. Kjo kompani fitoi lotin e parë me ofertën prej 18 milionë eurosh, të bërë në kufijtë e fondit limit, që ishte pak më shumë se 18 mln euro. Zbulimi i falsifikimit të dokumentacionit nga ana e kësaj kompanie në këtë tender, çoi në anulimin dhe përsëritjen e tenderit.

Fondi limit ishte i njëjti. Kompanitë që morën pjesë në rihapjen e garës paraqitën oferta më të ulta, duke kursyer pak më shumë se 3 milonë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë për realizimin e të njëjtit projekt. Por, edhe me rihapjen e tenderit akuzat nuk munguan. Partia Demokratike fliste për një fitues të paracaktuar, që ishte kompania “Gjoka Konstruksion”, e njëjta kompani që po ndërton “Rrugën e Arbrit”.

Autoriteti Rrugor Shqiptar fillimisht mohoi akuzat, por më vonë e anuloi tenderin dhe skualifikoi të gjitha kompanitë që merrnin pjesë në garë me argumentin se nuk plotësonin kushtet, por pa specifikuar se cilat kushte.

Por, jo vetëm ky rast. Një pjesë e mirë e tenderave me vlera të mëdha financiare kanë lënë pas hije dyshimi, për kostot e larta, gara fiktive dhe paracaktim të fituesit, pa përmendur këtu skemën e partneritetit publik-privat, aq fort të kritikuar si nga ekspertët vendas, ashtu edhe nga institucionet ndërkombëtare, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë