Politike

Qetësia iku me verën! Politika paralajmëron vjeshtë me “stuhi”

Aktiviteti politik i paradites të së hënës së parë të shtatorit ishte një ‘qetësi para furtunës’. Mazhoranca e nisi ditën me mbledhjen e Kryesisë në ambientet e Pallatit të Kongreseve, ndërsa Lulzim Basha mblodhi grupin e tij parlamentar në ambientet e selisë së PD-së.

Dy takimet u zhvilluan me një orë distancë nga njëri-tjetri. Socialistët e nisën punën e tyre në orën 09:00 dhe të paktën nga ajo që tha publikisht Taulant Balla, këtë vjeshtë nuk do të ketë ndryshime në kabinetin qeverisës, ashtu sikundër u paralajmërua para dhe gjatë mbledhjes informale që Kryeministri Edi Rama zhvilloi me ministrat e tij në Vlorë në fund të muajit gusht.

Vendimi i marrë nga Kryesia ishte thërritja e Asamblesë Kombëtare ditën e premte, ndërsa mes fjalëve të Taulant Ballës nuk përmendej asnjëherë fjala “qeveri”, ndërsa fjala ndryshimi nënkuptohej, por jo në kabinetin qeverisës, por tek organizimi i partisë.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla

“Kemi vendosur një fushatë kombëtare anëtarësimesh të reja dhe një organizim më të mirë strukturor dhe elektoral në përgatitje të zgjedhjeve të reja vendore. Do të nisim një proces më të hollësishëm komunikimi dhe dëgjesash, ku përfaqësuesit vendorë do të rikthehen sipas kësaj fushate që kemi miratuar, në çdo cep për të dëgjuar e mbajtur shënim sepse për ne është me rëndësi qytetari”, deklaroi kreu i Grupit Parlamentar socialist.

Balla shmangu përgjigjet për akuzat e opozitës, por jo shtrirjen e dorës së mazhorancës për disa çështje.

“Ne nuk merremi me valën e shpifjeve të PD. Vëmendja jonë është tek njerëzit, ata që na kanë votuar. Por, dua të them që për PS, dialogu dhe komunikimi me opozitën është thelbësor. Për çdo çështje kemi të gjitha mundësitë të zhvillojmë dialog me opozitën, përveç shpifjeve”, u shpreh ai.

Një tjetër vendim i Kryesisë ishte ngritja e një grupi pune, që si qëllim do të ketë maksimizimin e votave në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Grupi do të drejtohet nga Blerina Gjylameti, në një mision të vështirë për të “komanduar” figura me peshë brenda socialistëve, që nga Gramoz Ruçi, Ditmir Bushati, Taulant Balla, Erion Veliaj, Damian Gjiknuri dhe deri tek Bledi Çuçi.

Në kohën që Taulant Balla njoftonte këto vendime të Kryesisë së socialistëve, Lulzim Basha mblidhte të tijtë disa qindra metra më tej. Grupi Parlamentar demokrat u mblodh dhe diskutimet u përqendruan tek strategjia që do të ndjekë opozita në sesionin e ri parlamentar. “Bojkoti” apo “marrëdhënie e kushtëzuar” me Parlamentin, të paktën për momentin dhe me aq sa mund të mësohet nga diskutimet e zhvilluara me dyer të mbyllura nuk duken dhe aq tabu.

Ajo çfarë është diskutuar ka qenë kanalizimi i debatit politik në tre llogore. Së pari mbetet përballja me qeverinë e Edi Ramës, që PD thotë se është e lidhur me krimin, e rrjedhimisht llogorja e parë për opozitën është përballja me krimin.

Së dyti, demokratët dhe mazhorancën i vendos përballë ekonomia. Për Selinë Blu situata nuk është me ngjyra, ashtu siç e paraqet Kryeministri Rama, por gri e errët falë korrupsionit dhe abuzimit me tenderat dhe skemën e partneritetit publik-privat.

Llogorja e tretë në të cilën PD do të përqendrohet më fort është drejtësia. Në qëndrimin e saj, opozita kujton se e votoi reformën në 2016, kur u dha konsensusi i 140 votave, por këmbëngul se gjatë zbatimit të saj reforma është deformuar dhe qëllimi i Edi Ramës është që përmes standardeve të dyfishta të vettingut të kapë gjithë sistemin e drejtësisë.

Edhe LSI mblodhi grupin e vet parlamentar dhe vendimin e marrë nga kjo mbledhje e dha Petrit Vasili. Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së konfirmoi tërthorazi dhe me fjalë të tjera strategjinë e përpiluar nga Partia Demokratike.

Pak pas mesditës, ishte planifikuar mbledhja e konferencës së kryetarëve. Dy kampet dhe tre partitë kryesore të vendit u ulën në një tryezë. Edmond Spaho tha se në këtë mbledhje nuk duhet të ishte Taulant Balla, i akuzuar nga opozita për lidhje me Edmond Begon, të dënuar nga drejtësia italiane për trafik, por edhe për çështjen e 3 milionë eurove të sekuestruara në dy automjetet tip Toyota Yaris në Portin e Durrësit.

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho

Veç këtij rasti, Spaho iu referua edhe ngjarjeve të fundit në Shkodër, ku brenda tre muajve janë ekzekutuar në mënyrë mafioze 6 persona, përfshirë Arjan Ferracakun, 30-vjeçari që u vra pak ditë më parë.

“Qeveria drejtohet nga krimi e droga dhe deputetët e mazhorancës janë të lidhur me krimin. Reforma në drejtësi ka dështuar, ndaj sot vendi është pa gjykata. Taulant Balla është i lidhur me krimin dhe me të dënuar për drogë. S’duhet të ishte pjesë e konferencës së Kryetarëve bazuar edhe në ligjin e dekriminalizmit”, tha ai.

Një tjetër kërkesë e Spahos ishte edhe tërheqja e ligjit për Teatrin e ri.

Edhe për LSI-në situata është alarmante dhe me emergjente për vendin është rivendosja e një shteti ligjore.

Kreu i grupit parlamenar të LSI, Petrit Vasili

“Edhe ONM po e kundërshton vettingun, pra është goditur zemra dhe themeli i reformës në drejtësi. T’u japim shqiptarëve shtetin e së drejtës që meritojnë”, tha ai.

Ulsi Manja nga socialistët anashkaloi shqetësimet e opozitës për kriminalitetin në vend, por dha një përgjigje për çështjen e Teatrit Kombëtar.

“U kërkuar që dekreti të shtyhet për në seancën e datës 20. Dekreti do të kalojë të gjitha filtrat e nevojshme”, u shpreh ai.

Tensionet e reflektuara në konferencën e kryetarëve paralajmëruan një seancë plenare për nisjen e këtij sesioni ende më të nxehtë se sesioni që u mbyll me korrikun. Por, një lëvizje e opozitës e bëri praktikisht formalitet këtë seancë.

Gramoz Ruçi çeli sesionin e tretë të kësaj legjislature. Pasi përmendi arritjet e institucionit që drejton në sesionin e kaluar, kujtoi se reforma në drejtësi mbetet ende një prioritet. Për opozitën përçoi një mesazh.

“I ftoj të gjithë që të ndajnë luftën e pushtetit nga lufta e përbashkët për integrimin në Europë. Integrimi do të jetë objektiv i pandryshuar i Kuvendit”, tha Ruçi.

Kreu i Kuvendit e lëshoi thirrjen pasi vuri re që ulëset e krahut opozitar ishin që të gjitha të boshatisura. Fjalën ja dha Taulant Ballës, pasuesit të tij në krye të grupit parlamentar socialist.

Balla ishte vënë në dijeni edhe përmes mediave për tryezën e bashkuar opozitare në Shkodër dhe replikën për këtë zgjedhje Lulzim Bashës ja bëri nga foltorja.

“Shifrat janë të tilla që rendi publik prej vitesh ka qenë problematik në Shkodër dhe përsa i përket vrasjeve. Në 2010, kur ministër i Brendshëm ishte Lulzim Basha, ato arritën edhe në nivelin më të lartë, 18 vetëm në Shkodër gjatë 2010, krahasuar me një shifër 8 vrasje gjatë 8 mujorit të 2018. Edhe gjatë 2012 ka qenë 18 dhe mesatarja ka qenë 9 në mandatin tonë të parë”, tha ai.

Por, ashtu si në përfundim të konferencës së kryetarëve, edhe në seancën plenare të parë të këtij sesioni dora e shtrirë për bashkëpunim nga ana e mazhorancës, të paktën publikisht nuk mungoi.

Pas Ballës, fjalën e mori ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. E planifikuar apo rasti, Xhafaj fliste nga foltorja e Kuvendit në të njëjtën kohë që Lulzim Basha i përmendte emrin nga Shkodra si person që minimalisht po mbron krimin.

“Opozita po ushtron sulm agresiv të qëllimshëm për të nxirë imazhin e vendit dhe të policisë. Hetimet për rastet e Shkodrës po zhvillohen me intensitet. Këto janë raste të renda, por ne jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund këtyre ngjarjeve. Operacioni "Forca e Ligjit" po vijon dhe do të japë rezultate”, tha ai.

Nga Shkodra, Lulzim Basha e nisi fjalën me mesazhin e parë, që tha se ishte përcjellë që me zgjedhjen e mbajtjes së kësaj mbledhjeje në qytetin e nënshtruar nga krimi.

“Një lagje e tërë e qytetit është jashtë kontrollit, ku nuk lëvizet pa miratimin e bandave të krimit dhe policia nuk bën dot gjë”, tha ai.

Një përgjigje u ktheu edhe ofertave për bashkëpunim të mazhorancës, që po kërkon konsensusin e opozitës në dy nisma të rëndësishme. E para është nisma për Shkollën e Magjistraturës, që do të zhbllokonte këtë institucion dhe e dyta reforma në drejtësi.

“Me kë të bashkëpunojmë ne, me Fatmir Xhafajn, promotorin e reformës në drejtësi, që vendosi nenin se nëse prokurori apo gjyqtari kapet i fotografuar me një person me precedentë penalë humbet vendin e punës?! Me Fatmir Xhafajn, promotorin e vettingut në polici, që vendosi që polici që kapet me foto me një person me precedentë kriminal largohet nga puna, ndërkohë që vetë mbron vëllain e akuzuar për trafik?! Apo do të bashkëpunojmë me Taulant Ballën, njeriun e Toyota Yaris që ka pranuar se ka miqësi me njeriun e bandës së Aldo Bares?!”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë