Politike

“Qetësia” e Bashës dhe shqetësimi i aleatëve të tij

Partia Demokratike e përcolli rrëzimin e dekretit të Ilir Metës në Kuvend pa ndonjë qëndrim surprizues sa kohë që edhe vetë votimi për kalimin e Kodit të ri Zgjedhor nuk pritej të ishte i tillë.

Gjithçka mbetet në pozicionet e mëparshme kur opozita duhet të bëjë mirë llogaritë mes vedi për formulën më të përshtatshme me qëllim  maksimalizimin e votës në një kohë kur koalicione parazgjedhore nuk do të ketë.

Për këtë arsye ka një nxitje apo ngut nga partitë e vogla të djathta ndaj kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, se si do të vijohet. Po e thekson në çdo takim kryetari i PR-së, Fatmir Mediu dhe në çdo dalje mediatike edhe kryetari i PAA-së, Agron Duka dhe ai i LZHK-së, Dashamir Shehi.

Jo më larg së të premten gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë, kryerepublikani Fatmir Mediu tha se, opozita nuk ka kohë për të humbur dhe se ajo duhet të bashkohet në çdo skaj për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Mediu është shprehur se target nuk mund të jetë gjithnjë kryeministri Rama, por edhe alternativa që duhet të ofrojë opozita.  

Edhe kryetari i PAA-së, Agron Duka kërkon një përgjigje. “Çfarë do bëjmë ne. Mua më duket sjellje e butë e Bashës, megjithëse ka njerëz që thonë se ka vizion perëndimor, unë s’jam dakord për opozitë të dhunshme, por as të rrimë e të shohim këtë (Ramën) se çfarë bën këtu.

Mendoj se ne duhet të bashkoheshim urgjent sot e gjithë opozita dhe të merrnim një vendim si do reagojmë karshi kësaj sjellje të kryeministrit”.

Në të njëjtën linjë janë shprehur edhe dy aleatët e tjerë, Dashamir Shehi dhe Nard Ndoka se kohë nuk ka dhe se llogaritë duhen bërë shpejt.

Dy janë formulat kryesore që po diskutohen brenda opozitës; që partitë aleate me profil të djathte të futen në listën e PD-së për deputet ndërsa ato të majtat nën siglën e LSI si koalicion më vete.

Por nga PD dhe LSI nuk ka ngut deri tani. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është shprehur se paria që ajo drejton është në proces zgjedhjesh që pritet të përfundojnë në fillim të muajit dhjetor. Kryemadhi ka sqaruar deri më tash se LSI-ja do të jetë me siglën e saj në fletën e votimit, dhe ka qenë e hapur me variantin se opozita duhet të shkojë në zgjedhje si dy koalicione.

Edhe Basha në anën tjetër ka një tjetër proces jo pak të diskutueshëm; atë të zgjedhjes së kandidatëve për deputet.

Ndërkohë puna për zgjedhjet nga organet e reja të administrimit zgjedhor ka filluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë