Keshilla

Qershia, fruti që ju mbron nga shumë sëmundje

Qershia ka origjinë aziatike, ndërsa në Europë është përhapur rreth shekullit të dytë. Sidomos në Japoni, pema e qershisë është shumë e përhapur dhe periudha e lulëzimit të saj është një nga më të bukurat e vitit. Qershitë janë shumë të pasura me vitamina, sidomos me vitaminën C. Maji dhe qershori janë muajit e qershisë. Ky frut piqet në stinën e nxehtë dhe rezervon energjinë "Yang". Në librat e mjekësisë kineze janë shënuar gjerësisht vlerat magjike mjekësore të qershisë, veçanërisht për dobishmërinë që ka ajo për bukurinë e lëkurës. Në librin "Ming Yi Bie Lu" është shënuar që lëngu i qershisë mund të aplikohet direkt në lëkurë dhe redukton rrudhat. Qershia i sjell lëkurës një ngjyrë të këndshme.

Mjekësia kineze sugjeron që qershia të përdoret nga personat që janë të pafuqishëm, për ata që vuajnë nga anemia si dhe ata që kanë mungesë të energjisë "Yang" pas një sëmundjeje apo operacioni.
Qershia përmban vitaminë C, A dhe potas. Por, në të gjenden në sasi shumë të vogla edhe minerale, polifenolë dhe fibra.

Ndihmon shumë në funksionimin e aparatit tretës dhe ka efekte anti-inflamatore. Është një frut shumë i mirë për ata që ndjekin dieta për dobësim, pasi ka shumë pak sheqer dhe kalori. Përmban flavonoidë që kanë veti antioksidante dhe luftojnë radikalet e lira. Sipas disa studimeve, vetitë e qershisë ndihmojnë edhe me problemet e kyçeve, që vijnë nga artriti. Një veçanti e qershisë është përmbajtja e lartë e melatoninës, që njihet për balancimin e ciklit gjumë-zgjim.

Melatonina është gjithashtu një antioksidant i fuqishëm, që ka efekt parandalues ndaj tumoreve të ndryshme. Qershia përmban hekur, një element ky që gjendet më shpesh tek perimet me gjethe jeshile. Konsumi i shpeshtë i qershisë mund të plotësojë kërkesat e trupit për hekur dhe të rifuqizojë hemoglobinën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë