Sport

Qerimaj denoncon Federatën: Fshehu një rast dopingu, Gjoza mashtrues! FSHP mohon akuzat

Gazeta Si – Erkand Qerimaj, një nga peshëngritësit më të mirë të Shqipërisë, ka denoncuar sot një skandal të Federatës së Peshëngritjes. Me një postim në faqen e tij në Facebook, sportisti shkodran akuzon institucionin se ka fshehur një rast doping për të mbrojtur federatën dhe presidentin e saj Elez Gjoza.

“Skandali i fundit në Federatën e Peshëngritjes, rasti i fundit i një sportisti që është kapur me doping është mbajtur i fshehur nga federata dhe institucionet për të mbrojtur federatën dhe Elezin. Mendimi im është që urgjentisht Elez Gjoza të japë dorëheqjen dhe të bëhen zgjedhje të reja”, - shkruan Qerimaj.

Më tej peshëngritësi kalon në akuza direkt ndaj kreut të FSHP-së: “Drejton federatën që në vitin 2013 dhe ka bërë 3 mandate me shumë skandale. Fondi dhe Federata është për sportistët e tranjerët, jo për të shkuar në xhepat e mëdhenj të presidentit. Ky realizon turizëm me njerëzit e familjes me lekët e taksapaguesve!!! Shporru nga federate Hajdut… Mashtrues. Mendimi im, Erkand Qerimaj, kampion Europe, Bote që nga viti 2002”.

Qerimaj nuk përmend asnjë emër në postimin e tij dhe nuk dihet se kujt i referohet për rastin e fshehur të dopingut. Peshëngritësit kryesorë tanët, me në krye Briken Caljen, në fakt konkurruan në Europianin e Sofjes, kështu që nuk mund të jenë ata. Mund të jetë ndoshta një rast i vjetër.

Peshëngritja shqiptare thuajse gjatë gjithë kohës ka qenë e mbushur me skandale dopingu, pavarësisht medaljeve të fituara. Edhe vetë Erkand Qerimaj ka qenë protagonist negative në këtë drejtim. Po ashtu, skandalet kanë shoqëruar edhe zgjedhjet presidenciale të kësaj federate.

Pas postimit të Qerimajt ka ardhur edhe reagimi i FSHP-së, që ka mohuar çdo akuzë të sportistit. Pasi mohon të ketë një rast dopingu të fshehur prej saj për ndonjë peshëngritës kuqezi dhe shpërdorimin e fondeve nga presidenti Elez Gjoza, Federata pretendon se qëndrimi i Qerimajt vjen për faktin se ai nuk do që të mbështeten shtangistët e rinj.

Në reagimin e FSHP-së madje thuhet se një ditë më parë është shmangur një incident mes Qerimajt dhe presidentit Gjoza, me sportistin që kërkonte nga kreu i Federatës që të mos fokusohet te të rinjtë, por te më të vjetrit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë