Jete & Stil

Qeni i antidrogës ndërron jetë, trafikantët ngushëllojnë policinë

Rocky, qeni antidrogë i policisë së Viçencës në Itali ndërroi jetë papritur dhe mes mesazheve ngushëlluese që mbërritën në zyrën e policisë ishte edhe një letër nga dërgues të pazakontë.

Letra mbante “vulën” e kriminelëve dhe shpërndarësve të drogës.

“Mund të jemi keqbërës, kriminelë dhe shpërndarës droge, por edhe ne kemi zemër. Një qen nuk mund të jetë kurrë fajtor për atë që ndodh. Ndoshta mendonit se po festonim duke hapur një shishe shampanjë, por ne na vjen keq. Mirëmbetshi agjentë! Gjueti të mbarë! Mirupafshim Rocky”, mbyllet mesazhi në fjalë.

Letra e ngushëllimit e shpërndarësve të drogës. Gazeta Si, 21 nëntor 2019

Për të përforcuar bindjen se letra ishte dërguar nga një apo disa persona që shpërndajnë drogë, basahkëlidhur me të ishte edhe një dozë hashashi. Pikërisht ky detaj i ka bindur policët e Viçencas që nuk bëhet fjalë për një shaka të hidhur dhe egoiste, por për një mesazh të vërtetë ngushëllimi.

Rocky ishte një pastor gjerman i lindur në 2016. Pasi përfundoi trajnimin dhe u “diplomua” si qen antidrogë, ai brenda dy vite u shndërrua në një ikonë të ligjshmërisë dhe zbatimit të ligjit, duke nuhatur me qindra kilogramë drogë të të gjitha llojeve dhe duke çuar në pranga dhjetra kriminelë, të rangjeve nga më të ndryshmit.

Ai ndërroi jetë dy javë më parë si pasojë e një kanceri në stomak.

“Rocky ishte një qen i mrekullueshëm dhe mjaft i zoti në punën e tij. U bë shpejt shumë i famshëm në këtë zonë. Kur ndalonim ndonjë të dyshuar si shpërndarës droge, mjaftonte përmendja e emrit të tij dhe ata menjëherë nxirrnin nga xhepat dozat e drogës, nga frika se do t’i zbulonte qeni.

Rocky është zëvendësuar nga një qen tjetër, por që kërkon ende kohë për t’u trajnuar. Deri kur të “diplomohet” ky qen, policia e Vinçenças thotë se ka marrë me qira një pastor belg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë