Politike

Qëndrimet e Athinës për Belerin, raportuesja Isabel Santos: Nëse të gjithë do reagonin ashtu, bota do të ishte e tmerrshme

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos, pas takimeve që zhvilloi me përfaqësues të partive politike në vend,  shprehu keqardhje për deklaratat e Athinës zyrtare për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin.

“Jam e keqardhur për këto deklarata nga Greqia. Është një çështje në proces gjyqësor. Nëse të gjitha vendet do të sanksiononin apo të bënin të tilla deklarata kur një shtetas i tyre përballet me një proces gjyqësor, bota do të ishte e tmerrshme. Do dalim në përfundim pasi të flasë drejtësia. Po e ndjek çështjen me vëmendje, por po presim vendimin”, tha Santos.

Duke u ndalur tek ligji për Zonat e Mbrojtura, Santos tha se BE po ndjek nga afër zbatimine këtij dokumenti.

“Po ndjekim nga afër ligjin për Zonat e Mbrojtura. Për të parë sesi zbatimi i këtij ligji të ri do të bëhet” tha Santos.

E pyetur për ecurinë e Reformës Zgjedhore, Santos tha se palët janë ende në kohë për të gjetur konsensus. Nëse nuk do të jetë e mundur, atëherë të gjitha palët, sipas saj, do kenë faj.

“Në vendin tim thuhet që duhen dy veta për tango, për dialogun duhen dy veta. Faji nuk është te njëra palë. Kur ka mosmarrëveshje apo diçka që nuk ecën, faji është i dy palëve. Jemi ende në kohë, mesazhi është që partia në pushtet dhe opozita të gjejnë një konsensus minimal për të ecur përpara në kohë për zgjedhjet e 2025”, tha ajo

Santos tha gjithashtu se duhet të ndërpriten debatet politike që nuk prodhojnë asgjë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë