Libra

Qendra Kombëtare e Librit rikthen në vëmendje autorin shqiptar

Në një kohë që autori shqiptar është disi i lënë në “hije” dhe duket sikur lexuesi e ka “braktisur”, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, institucioni më i ri dedikuar librit, synon të sjellë një rikthim tek autori shqiptar dhe çdo javë do t’i kushtojë një hapësirë krijimtarisë së një autori.

Qendra me në krye Alda Bardhylin në takimin e parë zgjodhi poetin dhe prozatorin Rudolf Marku, një emër i rëndësishëm në letrat shqipe që pas viteve ’80.

“Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit çdo javë do të vijë me takime me autorë shqiptarë. Ky takim do të pasojë me takime të tjera, të cilat kanë si qëllim kryesor afrimin e lexuesit”, u shpreh Alda Bardhyli.

Takimi ishte konceptuar në formën e një bashkëbisedimi me njerëz dhe miq të librit si Preç Zogaj, Flutura Açka, Natasha Lako, Vera Bekteshi, etj, dhe risolli në vëmendje krijimtarinë e Rudolf Markut, një udhëtim pas në kohë dhe krijimtarinë e tij në përgjithësi.

Gjatë bisedës, edhe shkrimtari Rudolf Marku i mëshoi fort faktit që letërsia shqipe është një letërsi e mirë, e mrekullueshme, por është një letërsi “silent”.

“Ndonjëherë futem në ndonjë librari të Londrës, librari me katër kate dhe nëse të gjithë librat janë falas, nuk mund të marr me vete më shumë se dy apo tri libra. Fakti që botohet në Londër, nuk do të thotë që do jenë libra me letërsi të madhe. Në letërsinë shqipe gjen një letërsi të mrekullueshme, por është një letërsi ‘silent’”, u shpreh ai.

Marku tha letërsia shqipe duhet të prezantohet dhe u shpreh se do të botojë edhe një revistë kulturore në Angli.

“Do botoj një revistë kulturore në Angli, ku do të ketë letërsi ‘fiction’, kritikë letrare, review, dhe do të jetë kryesisht për letërsinë që shkruhet sot. Unë do përpiqem me kontributin tim modest ta krijoj këtë revistë dhe kjo është një ftesë për të gjithë për ta prezantuar letërsinë më të mirë tonën, mendoj që ne kemi nevojë që ta prezantojmë. Do botohet në dy gjuhë në anglisht edhe në shqip”, tha ndër të tjetra Marku.

Ndërkohë, Bardhyli ndër të tjera tha se “QKLL do t’i japë një status autorit shqiptar, duke promovuar e mbështetur vlerat tona më të mira”.

Puna e parë e QKLL ishte vizita në (CNN) Qendrën Kombëtare të Librit në Francë, ku iu prezantua shkrimtarit të madh Ismail Kadare roli si president nderi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, rol të cilin ai e ka pranuar.    


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë