Para

Që në fillim të vitit bankat në Shqipëri perceptuan rreziqe

Në tremujorin e parë të 2020-ës është vënë re një ulje e kërkesës për kredi nga bizneset në bankat tregtare e gjithashtu këto të fundit kanë shtrënguar kriteret e përfitimit të një kredie të mundshme.

Në raportin e vrojtimit të kreditimit të BSH-së për tremujorin e parë të vitit, bankat parashikojnë të njëjtën tablo edhe në tremujorin e dytë të vitit 2020 duke e argumentuar me krizën e shkaktuar nga Covid-19.

Bankat presin shtrëngim të mëtejshëm të standardeve të kreditimit në segmentin e bizneseve.

Referuar raportit të vrojtimit të kreditimit, standardet e kreditimit për bizneset u shtrënguan në tremujorin e parë të vitit 2020. Shtrëngimi i standardeve të kreditimit ishte më i theksuar në kategorinë e bizneseve të vogla e të mesme, si edhe në kreditë dhënë me qëllim financimin e investimeve.

Sipas gjykimit të bankave, shtrëngimi i standardeve të kreditimit për bizneset ishte si rrjedhojë e perceptimit për një rrezik të shtuar lidhur me aftësinë paguese të kredimarrësit, situatën ekonomike e perspektivën për të, si edhe me kolateralin. Po ashtu, edhe toleranca më e ulët e bankave ndaj rrezikut ndikoi në shtrëngimin e standardeve të kreditimit në këtë tremujor. Në të kundërt, shtimi i konkurrencës në sistemin bankar, si edhe kostot e kufizimet më të ulëta që burojnë nga pozicioni i kapitalit apo i likuiditetit të bankave, u raportuan si faktorë me ndikim lehtësues në standardet e kreditimit.

Kushtet dhe termat e përgjithshëm mbi kreditë e reja për bizneset mbetën të pandryshuar nga një tremujor më parë. Megjithatë, kushtet e tjera të shprehura në reduktim të madhësisë së kredisë, kushtëzime më të larta në marrëveshjet e kredive, si edhe ulje të maturitetit maksimal së kredisë akorduar për bizneset janë shtrënguar. Nga ana tjetër,bankat reflektian komisione më të ulëta të aplikuara në disbursimin e kredive në tremujorin e pare të cilat ndikuan në kahun lehtësues të kushteve të tjera joçmim për bizneset. Marzhet mbi kreditë normale vijojnë të raportohen më të ulëta, përkundrejt shtimit të tyre për kreditë me rrezik.

Sipas gjykimit të bankave, kushtet dhe termat e kreditimit u ndikuan negativisht nga perceptimi për rrezik të shtuar, nxitur prej situatës së paprecedentë të shkaktuar prej Covid-19. Nga ana tjetër, kostot e fondeve dhe kufizimet më të ulëta nga bilanci u raportuan si faktorë me ndikim lehtësues në kushtet e termat e kreditimit për bizneset.

Në të njëjtën kohë kërkesa për kredi e bizneseve u raportua në rënie në tremujorin e parë të vitit 2020. Rënia e kërkesës për kredi ishte e shpërndarë në të gjitha kategoritë e madhësisë së biznesit. Gjithashtu, kërkesë e dobët u vlerësua si për kreditë dhënë me qëllim financimin e investimeve, ashtu edhe për mbulimin e nevojave për likuiditete.

Për tremujorin e dytë të vitit 2020, bankat parashikojnë që rënia të vijojë, e shtrirë në të dyja kategoritë e madhësisë së biznesit, më e theksuar në kreditë dhënë me qëllim financimin e investimeve.

Sipas perceptimit të bankave, kërkesa më e ulët për kredi nga ana e bizneseve në tremujorin e parë të vitit 2020, u ndikua nga ndjesia e bizneseve për situatën ekonomike dhe perspektivën e saj, si edhe nga besimi i biznesit. Po ashtu, rritja e përdorimit të burimeve alternative në formën e kredive nga bankat e tjera, apo përdorimit të burimeve të brendshme të financimit, si edhe nevojat më të ulëta për financimin e investimeve u vlerësuan me ndikim negativ tek kërkesa për kredi në tremujorin e parë të vitit 2020.

Si faktorë me ndikim pozitiv në zgjerimin e kërkesës për kredi u raportuan nevojat më të larta për financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues, niveli i përgjithshëm i normave të interesit, si edhe mungesa e burimeve alternative të financimit në formën e kredive nga institucionet financiare jobanka, apo emetimit dhe riblerjes së letrave me vlerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë