Bota

Putin: Së shpejti Ukrainës do i mbarojnë armët. Kemi 617 mijë ushtarë rusë në front

Gazeta Si - Konferenca për shtyp e fundvitit të presidentit rus Vladimir Putin zgjati 4 orë e katër minuta, duke iu përgjigjur 67 pyetjeve të gazetarëve dhe qytetarëve të thjeshtë.

Ai foli për gjithçka, që nga lufta në Ukrainë, te e ardhmja e rendit të ri botëror që po lind, siç e përkufizon ai.

“Në front janë 617 mijë burra: 486 mijë vullnetarë dhe 244 mijë rezervistë të thirrur në armë. Për më tepër, situata në lidhje me disponueshmërinë e dronëve për trupat ruse në front "po përmirësohet".

Presidenti rus Vladimir Putin e tha këtë drejtpërdrejt në TV. Putin gjithashtu theksoi se situata nuk është e thjeshtë, për shkak të gjatësisë së frontit që sipas vlerësimit të Putinit është mbi 2000 km.

Putini po i përgjigjej korrespondentit të luftës të “Kanalit të Parë”, Dmitry Kulko, i cili e pyeti për mungesën e dronëve.

Kreu i Kremlinit tha se situata po përmirësohet dhe i kërkoi gazetarit të pranojë se kjo është e vërtetë. Kulko ra dakord dhe Putin foli për rritjen e furnizimit dhe prodhimit të dronëve.

Sipas tij, “me shumë gjasa ka qenë SHBA-ja që hodhi në erë gazsjellësit Nord Stream dhe Nord Stream 2. Fakti që Evropa nuk merr mjaftueshëm gaz nuk është problemi ynë, ne nuk mbyllëm tubacionet e gazit, nuk hodhëm në erë Nord Stream, ka shumë të ngjarë të ishin SHBA-të”.

Putin tha se “Ukraina po merr shumë armë, por së shpejti ato do të mbarojnë. Gjithçka që vendet perëndimore premtuan t'i japin Kievit, ata i dërguan dhe akoma më shumë. Megjithatë, ushtria ruse vazhdon të shkatërrojë me sukses këto armë”.

Ushtria ruse "po përmirëson" pozicionet e saj përgjatë vijës së frontit ukrainas, sipas asaj që Vladimir Putin deklaroi në konferencë shtypi, duke e cilësuar kundërsulmin ukrainas përgjatë lumit Dnipro si "të dështuar".

“Armiku ka shpallur një kundërofensivë të madhe. Ai nuk ka arritur asgjë askund”, - tha ai në TV live, duke shtuar se forcat ruse po "përmirësonin pozicionet e tyre" përgjatë pothuajse të gjithë vijës së frontit.

"Shtetet e Bashkuara janë një vend i rëndësishëm dhe i domosdoshëm" dhe Rusia është "e gatshme të ndërtojë marrëdhënie dhe të rivendosë marrëdhëniet" me Uashingtonin.

Në të njëjtën kohë, megjithatë, kreu i Kremlinit specifikoi se "nuk ka ende kushtet themelore për të rivendosur marrëdhëniet midis Federatës Ruse dhe Shteteve të Bashkuara", të cilat "së pari duhet të fillojnë të respektojnë të tjerët".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë