Bota

Putin: Rusia gati të bisedojë me Ukrainën, por nuk heqim dorë nga qëllimet tona

Gazeta Si - Presidenti Vladimir Putin, tha se Rusia do të jetë e përgatitur që të bisedojë me Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe Evropën lidhur me të ardhmen e Ukrainës, nëse ata duan, por Moska do të mbrojë interesat e saj kombëtare.

Putin, i cili nisi luftën e paprovokuar kundër Ukrainës më 2022, vazhdimisht ka thënë se do të ishte i përgatitur që të bisedonte për paqen, edhe pse zyrtarët perëndimorë kanë thënë se ai po pret që të mbahen zgjedhjet presidenciale amerikane në nëntor, para se të bëjë një përpjekje të mirëfilltë.

“Në Ukrainë, ata që janë agresivë kundrejt Rusisë, në Evropë dhe SHBA – a duan ata që të negociojnë? Le ta bëjnë. Por, ne do të negociojmë, duke u bazuar në interesat tona kombëtare”, tha Putin gjatë një mbledhje me udhëheqjen e mbrojtjes në Moskë.

“Ne nuk do të heqim dorë nga ajo që është e jona”, tha Putin, duke shtuar se Rusia nuk synon që të luftojë me Evropën.

Rusia kontrollon rreth 17.5 për qind të territorit që ishte njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Ukrainës kur kolapsoi Bashkimi Sovjetik më 1991.

Rusia ka aneksuar Krimenë më 2014 dhe vitin e kaluar tha se edhe katër rajone të tjera të Ukrainës, të cilat kontrollohen pjesërisht nga trupat ruse, tani janë pjesë e Rusisë. Kievi ka thënë se nuk do të ndalet derisa të dëbojë nga territori i Ukrainës të gjitha trupat ruse.

Gjatë takimit me krerët e mbrojtjes, Putin tha se tani trupat ruse kanë iniciativën në fushëbetejë.

“Ne nuk do të heqim dorë nga qëllimet e operacionit të posaçëm ushtarak”, tha Putin, duke iu referuar pushtimit të paprovokuar të Ukrainës. Ai shtoi se Rusia ka nevojë për komunikim më të mirë ushtarak dhe aftësi satelitore.

Putin tha se gjatë vitit 2023, ushtrisë ruse u janë bashkuar 490.000 ushtarë me kontratë dhe vullnetarë. Qëllimi për vitin tjetër, sipas tij, është që ky numër të arrijë në 745.000./REL/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë