Bota

Putin paralajmëron Poloninë: Kush prek Bjellorusinë, ka prekur Rusinë

Gazeta Si - Spostimi i trupave ushtarake polake në kufirin me Bjellorusinë duket se ka shqetësuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Në një dalje publike për mediat ai ka akuzuar Poloninë se ka ambicie territoriale në ish-Bashkimin Sovjetik.

Mes tjerash, Putin ka thënë se çdo agresion kundër Bjellorusisë do të konsiderohet sulm ndaj Rusisë dhe se Moska do ta mbronte shtetin fqinj me të gjitha mjetet që ka në dispozicion.

Presidenti i Rusise, Vladimir Putin

‘Komiteti i Sigurisë në Varshavë ka marrë vendim të mërkurën për t’i dërguar disa njësite ushtarake në lindje të Polonisë, pasi anëtarë të grupit mercenar rus Vagner kanë arritur në Bjellorusi’, - ka thënë agjencia shtetërore e lajmeve PAP, duke e cituar sekretarin e komitetit.

Të mërkurën, shefi i Vagnerit, Yevgeny Prigozhin, është parë në një video duke i mirëpritur luftëtarët e tij në Bjellorusi, duke u thënë se nuk do të marrin më pjesë në luftën në Ukrainë, mirëpo do të përgatiten për në Afrikë, teksa e stërvitin ushtrinë bjelloruse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë