Bota

Putin paralajmëron Finlandën fqinje: Hyrja në NATO do të sjellë ‘probleme’

Gazeta Si - Hyrja e Finlandës në NATO do të krijojë “probleme” në marrëdhëniet me Rusinë. Në një intervistë në televizionin “Rossiya-1” të transmetuar nga agjencitë ruse të lajmeve, presidenti Vladimir Putin ka paralajmëruar.

"Ne kishim marrëdhëniet më të përzemërta" me Helsinkin, por tani që Finlanda është "tërhequr zvarrë në NATO", Moska do të krijojë distriktin ushtarak të rajonit të Leningradit dhe do të përqendrojë forcat ushtarake atje. “Pse kishin nevojë për të hyrë në NATO? Është e pakuptimtë”, shtoi Putin.

Ai ka thënë se do ta riaktivizojë distriktin ushtarak Leningrad, hap administrativ që mund të rezultojë me rritje të numrit të ushtarëve në rajonet lindore me Finlandën.

“A kemi pasur ndonjë problem me ta? Të gjitha problemet, përfshirë ato territoriale, prej mesit të shekullit 20, janë zgjidhur”, ka thënë Putin.

“Nuk kemi probleme këtu. Tani do të ketë, sepse do të krijohet distrikti ushtarak Leningrad dhe do të përqendrohen disa njësite ushtarake atje”. Zyrtarët finlandezë nuk i kanë komentuar këto deklarata.

Deklarata që vijnë teksa rriten tensionet mes dy vendeve fqinje, si rezultat i luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt 2022 dhe vendimit të shpejtë të Finlandës për t’iu bashkuar NATO-s.

Javëve të fundit, Finlanda i ka mbyllur tërësisht kufijtë me Rusinë, për shkak të rrijtjes së numrit të migrantëve, kryesisht prej Lindjes së Mesme, me kërkesa për azil.

Numri në rritje i migrantëve të mbledhur në pikat kufitare i ka forcuar bindjet e Finlandës që autoritetet ruse po tentojnë t’i shtyjnë migrantët për të udhëtuar drejt Finlandës, me qëllim të destabilizimit të shtetit.

 “Ne kemi dëshmi që tregojnë se për dallim nga e kaluara, autoritetet kufitare ruse, jo vetëm që po i lejojnë njerëzit pa dokumente që të nisen drejt kufirit finlandez, por edhe janë duke iu ndihmuar vazhdimisht”, ka thënë ministrja e Jashtme finlandeze, Elina Valtonen.

Finlanda ka hequr dorë nga politika e saj e neutralitetit, pak pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe këtë vit është bërë anëtarja e 31-të e NATO-s.

Prej atëherë, Finlanda ka rritur numrin e njësiteve ushtarake në misione trajnime, dhe u ka lejuar aeroplanëve të NATO-s që të patrullojnë zonën ajrore, veprim që e ka zemëruar Rusinë.

Në fakt, popullsia finlandeze e ka rritur interesimin për NATO-n, qysh prej nisjes së luftës në Ukrainë.

Putin është pyetur edhe për deklaratat e presidentit amerikan, Joe Biden, i cili ka pretenduar këtë muaj se Rusia do të sulmojë një shtet të NATO-s, nëse e fiton luftën në Ukrainë.

“Është krejtësisht pa asnjë kuptim, dhe besoj se presidenti Biden e kupton këtë, - ka thënë Putin. - Rusia nuk ka arsye, as interes, as gjeopolitik, as ekonomik, politik dhe as ushtarak, të luftojë me shtetet e NATO-s”, shtoi lideri rus.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë