Lajme

Putin letër Vuçiçit: Taksa ka cënuar jetën e popullit serb!

Nëpërmjet një letre drejtuar presidentit serb, Vladimir Putin ka akuzuar Kosovën se po provokon Beogradin si me krijimin e ushtrisë ashtu edhe vendosjen e taksave.

Ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandër Çepurin i ka dhënë Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç një letër nga vëllai i tij i madh në Rusi, para ditës së pavarësisë së Serbisë.

Në letrën e dërguar kreu serb, Putin thotë se taksa e Kosovës mbi mallrat serbë ka cënuar jetën e qytetarëve serbë, të cilët jetojnë Kosovë. Presidenti rus ia ka dalë në krah Beogradit zyrtar, duke akuzuar Kosovën se vendosja e kësaj takse ishte një veprim i papërgjegjshëm nga pala kosovare.

Presidenti Putin akuzoi Prishtinën zyrtare se kishte ndërmarrë një sërë hapash provokative, si vendimi i për t’u bërë me ushtri, një masë që sipas kreut të Kremlinit kishte rritur tensionet me Serbinë dhe mund të destabilizonte rajonin.

“Dua që edhe njëherë t’ju falënderoj për mikpritjen e ngrohë që më bëtë mua dhe delegacionit rus në Beograd.  Besoj në vazhdimin e dialogut tonë konstruktiv dhe vazhdimin e punës në agjendën e përbashkët ndërkombëtare. Sinqerisht ju uroj shëndet të mirë dhe suksese, kurse popullit vëllazëror serbë mirëqenie dhe prosperitet”, thuhet në letrën e presidentit Putin.

Vladimir Putin dhe Aleksandër Vuçiç

Edhe pse ka qëndruar gjithnjë në hije të dialogut Kosovë-Serbi, Rusia ka shprehur ambicien për të marrë rolin e ndërmjetëses, së bashku me Shtetet e Bashkuara.  Për shumë ekspertë kjo është edhe arsyeja pse Putini takoi Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi gjatë Forumit të Paqes në Parisit dhe me sa duket i foli atij në gjermanisht, një gjuhë që të dy liderët  e flasin rrjedhshëm. Në një postim në Facebook pas takimit, Thaçi vuri në dukje se Rusia mbështet një marrëveshje politike midis Kosovës dhe Serbisë për të zgjidhur mosmarrëveshjet e gjata.

Presidenti rus duket se i është bashkuar administratës së Trump dhe zyrtarëve të lartë të BE, Mogherini, duke mbështetur propozimin për shkëmbimin e territorial dhe duke dënuar çdo vendim që largon Beogradin dhe Prishtinën nga tryeza e bisedimeve, si vendosja e taksës ndaj mallrave serbe.  Rusia ashpërsoi edhe më shumë tonet pas vendimit të Kosovës për të krijuar ushtrinë e saj, duke e akuzuar Prishtinën se po provokonte konflikte të tjera në rajon.

Putin e sheh Kosovën si një problem për Perëndimin dhe duket se po vepron sipas parimit "nëse nuk mund ta kesh, duhet ta shkatërrosh”.

Ndërkohë që BE-ja dhe SHBA po i bëjnë presion të dyja palëve për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve, sidomos Kosovës, Rusia po përpiqet të marrë rolin e një lojtari konstruktiv të hapur për dialog me të gjitha palët.

Ajo duket e vendosur në rimëkëmbjen e terrenit të humbur në vitin 2010, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) në favor të pavarësisë së Kosovës, kur Serbia vendosi të çojë këste çështje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku Rusia është një anëtare e përhershme.

Vladimir Putin dhe Hashim Thaci

Sot, diplomatët rusë po kritikojnë BE-në se ka dështuar të çojë përpara procesin e normalizimit dhe po dëmtojnë imazhin e Kosovës në aferën ndërkombëtare duke e akuzuar si pengesën kryesore të këtij procesi.

Gjatë vizitës së tij në Beograd, Presidenti Vladimir Putin i ofroi Vuçiçit mbështetjen e Moskës për të arritur një marrëveshje për normalizimin e lidhjeve me Kosovën, duke thënë se do të ishte e pranishme përgjatë gjithë këtij procesi.  Vuçiç tha nga ana tjetër se nuk do firmoste asnjë marrëveshje për të cilën Rusia nuk do të ishte dakort.

Sipas gazetarit britanik, Tim Judah, Rusia po shtyn drejt ndarjes së Kosovës sepse do të përfitonte shumë nëse rezultati i negociatave Beograd-Prishtinë do të ishte njohja e Kosovës dhe shkëmbimi i territoreve.

“Rusia mund të përdorë këtë precedent për të siguruar marrëveshje të ngjashme për territoret e shkëputa nga kontrolli i saj në Moldavi (Transnistria) dhe Gjeorgji (Osetia e Jugut dhe Abkhazi), ka thënë Judah për agjencinë Beta. Duke komentuar takimin Putin-Thaçi, Judah kujton se në vitin 2014, kur Rusia mori Krimenë, Putini e përmendi Kosovën si precedent.

Vladimir Putin dhe Aleksandër Vuçiç

“Pra, është logjike që në të ardhmen Kosova të përdoret për përfitimin e Rusisë”, shtoi ai. Sipas gazetarit britanik, takimi mes dy presidentëve në Paris ishte një shenjë se Rusia do të mbështeste idenë e shkëmbimit të territoreve.

“Putini tha se do të mbështeste gjithçka për të cilën do të bihen dakort Serbia dhe Kosova. Nëse do të ishte kundër, do ta thoshte qartë, si kancelarja gjermane Angela Merkel, por ai tha se do të mbështeste çfarëdo marrëveshje që arrijnë Prishtina dhe Beogradi, dhe ky është thelbi i asaj që po diskutohet”, shprehet Judah. Sipas vlerësimit të analistit, mesazhi i dërguar nga takimi Putin-Thaçi për presidentin serb Aleksandar Vuçiq është:”Vazhdo”.

“Për Putinin është më mirë të mbështesë ndryshimin e kufijve të Kosovës, veçanërisht pasi Rusia ka njohur Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë dhe tani ka një problem me Ukrainën”, deklaron gazetari. “Ndryshimi i kufijve të Kosovës do t’i hapte rrugën Putinit që Rusia të legalizojë konfiskimin e territoreve nga shtetet fqinje”, tha Judah.

Në fakt, pavarësia e Kosovës ishte një humbje e madhe shpirtërore si për Serbinë, ashtu edhe për Rusinë, e cila u detyrua të pranonte një rezolutë paqeruajtëse, pas sulmeve ajore amerikane kundër Serbisë, pavarësisht lidhjeve të Moskës me Beogradin dhe interesave ruse në Ballkan. Ky hap pasqyroi dobësinë ushtarake, ekonomike dhe diplomatike të Rusisë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Pavarësisht zemërimit ndaj veprimeve ushtarake së NATO-s në vitin 1999, ka pasur pak udhëheqës rusë që mendonin se mund t’i kundërpërgjigjeshin ndërhyrjes së Perëndimit në Kosovë. Megjjithatë, “hakmarrja” e Rusisë erdhi disa vite më vonë, kur Putin aneksoi Krimenë nga Rusia, duke ngritur paralele të ngjashme midis saj dhe Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë