Bota

Putin flet për herë të parë për vdekjen e Prigozhin: Tragjedi, ishte njeri me talent!

Gazeta Si - Presidenti rus, Vladimir Putin, ka folur për herë të parë për vdekjen e Jevgeni Prigozhin nga rrëzimi i avionit, me të cilin ai udhëtonte. Kreu i Kremlinit ka theksuar se grupi Wagner ka "dhënë një kontribut domethënës në luftën kundër nazizmit në Ukrainë, nuk e harrojmë kurrë. Prigozhin ishte një njeri me fat të vështirë, por plot talent".

Putin i ka shprehur ngushëllimet e Kremlinit familjes së themeluesit të Wagner. "Hetimi do të jetë i thellë, tani po kryen të gjitha ekzaminimet gjenetike dhe teknike, do të duhet kohë”, - ka thënë presidenti rus.

Putin dhe Prigozhin. Gazeta Si, 24 gusht 2023

Më tej Putin thekson: “Prigozhin ka arritur rezultatet, për të cilat kishte nevojë si për veten, kur ia kërkova edhe për qëllimin e përbashkët. Siç ka ndodhur muajt e fundit. Ishte një njeri me talent, një njeri biznesi. Ka punuar jo vetëm për vendin tonë, por edhe jashtë, në Afrikë veçanërisht, duke u marrë me naftën, gasin, metalet e çmuara dhe gurët”.

"E njihja Prigozhinin prej shumë kohësh, - vazhdon Putin, - nga fillimi i viteve ’90. Dua t’u shpreh ngushëllimet e sinqerta familjeve të të gjitha vitkimave. Është një tragjedi”.

Putin ka premtuar një hetim të thellë të ngjarjes: “Ajo që është e qartë ka të bëjë me faktin se komisioni investigativ ka hapur një hetim për këtë incident dhe këtij hetimi do t’i shkohet deri në fund. Të shohim çfarë do të thonë hetuesit në të ardhmen".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë