Art dhe Kulture

Puthja që i dha lamtumirën luftës, tani edhe në version shqiptar

Një marinar i veshur me uniformë të bardhë, kapelën karakteristike mbi krye mbërthen pas vetes një vajzë, e përkul dhe i jep një të puthur. Fotografia bardhezi, sfondi pas tyre dikur stacioni i trenit, ku sot qëndron një lokomotivë e vjetër të ndërmend fotografinë ikonë të amerikanit  Alfred Eisenstaedt, me marinarin që puth një infermiere të panjohur në sheshin Times, në Nju Jork, ndërsa sapo ishte bërë e ditur se japonezët ishin dorëzuar dhe Luftës së Dytë Botërore i kishte ardhur fundi. Ishte 14 gushti i vitit 1945. Njujorkezët kishin dalë të festonin një epokë të re paqeje dhe shprese, imazhi i së cilës u mbërthye nga fotografi Eisenstaedt.

Marinari i Maratonës Swing, në trenin Tiranë -Shkodër. Foto Ergys Zhabjaku

Vitet ’40 –’50 , periudha e luftës më të egër të historisë së njerëzimit, por edhe e prosperitetit që erdhi pas saj, ishte fokusi i maratonës swing, Në Ditën Ndërkombëtare të Xhazit, më 30 prill.Për të katërtin vit radhazi, organizatorët e “Hemingway Fan Club Albania”, ofruan një udhëtim retrospektiv me tren drejt qytetit të Shkodrës, ndërsa 18 muzikantë italianë xhazi luajtën live në tren për më se katër orë, në pedonalen e Shkodrës e për ta përmbyllur me një koncert në teatrin Migjeni.

Foto gjatë Swing Marathon, Ergys Zhabjaku

E ndërsa pjesëmarrësit, më shumë se 500 këtë vit, u kujdesën të gjenin veshjet e përshtatshme të epokës, kishte nga ata si çifti i mbërthyer nga fokusi i fotografit Ergys Zhabjaku që kishin menduar edhe përtej. Nëse ka një imazh simbol që përfaqëson dekadën ’40 –’50, ajo është fotografia legjendare e shkrepur në Times Square, gushtin e 1945-s. Fotografia u botua një javë më vonë në revistën “Life”, mes shumë fotografive të kremtimeve në ShBA dhe shumë shpejt u kthye në një ikonë kulturore.

Marinari që puth, foto nga Alfred Eisenstaedt, 14 gusht 1945.

Historia pas fotografisë legjendare

“Në Times Square, Ditën e Fitores mbi Japonezët,  pashë një marinar që ngarendte  nëpër rrugë duke kapur çdo vajzë që i rrekte syri. Qoftë kjo gjyshe, e kolme, thatime, nuk bënte dallim. Po vrapoja para tij me aparatin tim Leica dhe befas, vetëtimthi pashë diçka të bardhë që po mbërthehej. U ktheva dhe shkrepa çastin ku marinari po puthte infermieren. Nëse do qe veshur me fustan të errët, nuk do e kisha shkrepur kurrë. Nëse marinari do të kish veshur uniformë të bardhë, e njëjta gjë. Shkrepa katër fotografi gjithsej. Ndodhi e gjitha në pak sekonda", ka rrëfyer në një prej librave të tij fotografi amerikan.

Statuja e çiftit që puthet, vendosur në San Diego, Kaliforni.

Fotoreporteri i Flotës amerikane, Victor Jorgensen mbërtheu një tjetër pamje në sheshin Times. Ai e titulloi fotografinë “Puthja e lamtumirës së luftës”. Ndryshe nga fotografia e Eisenstaedt, që është e mbrojtur nga e drejta e autorit, fotografia e flotës është publike, duke qenë se është prodhuar nga një punojë i qeverisë federale në detyrë.

Marinari i puthjes së famshme

Dekada më vonë çifti i panjohur u identifikua si marinari amerikan George Mendonsa, ndërsa infermieria si Greta Zimmer Friedman. Greta Friedman ishte 21 vjeç, ditën e 14 gushtit të 1945-s. Pasi dëgjoi lajmin në klinikën e dentistit se Japonia ishte dorëzuar dhe se Lufta e Dytë Botërore kishte përfunduar. Ajo doli në shesh, kur një marinar që kalonte aty e mbërtheu në një përqafim të papritur. “Nuk e pashë tek vinte dhe përpara se ta kuptoja më kishte mbërthyer” do të rrëfente ajo në një intervistë më 2012-n. “Nuk ishte zgjedhja ime të puthesha. Ai erdhi dhe më kapi. Ishte shumë i  fortë. Unë nuk po e puthja. Ai po më puthte.

Puthësi ishte 22-vjeçari George Mendonsa nga  Newport, Rhode Island.  Ai ishte me leje nga The Sullivans (DD-537) dhe po shihte një film me bashkëshorten e tij të ardhshme, Ritën, në Radio City Music Hall, kur dyert u hapën dhe njerëzit n isën të thërrasin me të madhe se lufta kishte mbaruar. George dhe Rita iu bashkuan festimeve në rrugë. Aty George pa gruan me fustan të bardhë, e mbërtheu në krahët e tij dhe e puthi. “Kisha pirë ca gota atë ditë dhe e konsiderova si pjesë të trupave – ajo ishte infermiere.” Fotografia ikonike, së cilës i është kushtuar edhe një statujë në San Diego pranë muzeut të flotës amerikane, në brigjet e Kalifornisë, është riprodhuar nga shumë fotografë që kanë gjetur frymëzim në të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë