Dy liderët kryesorë të politikës Edi Rama dhe Lulzim Basha u përplasen në distancë me deklarata për çështjen e zgjedhjeve dhe ndryshimin e Kodit Elektoral.
Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, kryeministri Edi Rama akuzoi rivalin politik se po kërkon pushtet në tavolinë, duke aluduar për negociatat që kanë zhvilluar të dy bashkë vitin e kaluar, që solli paktin e 18 majit 2017, që mundësoi hyrjen e opozitës në zgjedhje.
Por në një deklaratë për mediat, përpara prezantimit të platformës për çlirimin e zgjedhjeve, Basha tha se kurrë nuk ka kërkuar pushtet në tavolinë, ndërsa akuzoi Ramën se po bashkëqeveris me krimin. “Marrëzi dhe gënjeshtra për të mbuluar panikun që e ka mbërthyer nga ajo që e di çdo shqiptar që Edi Rama mbahet në pushtet vetëm nëpërmjet bashkëqeverisjes së tij më krimin dhe se përmes presionit të qytetarëve, të opozitës dhe faktorit ndërkombëtar themelet e këtij pushteti, e kësaj bashkëqeverisje me krimin po tronditen. Kurrë nuk kam kërkuar dhe kurrë nuk do të kërkoj pushtet në tavolinë, as pushtet me dhunë. PD dhe koalicioni ynë do të vijë me votë të lirë. Ejani brenda për të dëgjuar platformën tonë për të çliruar zgjedhjet”, deklaroi kryedemokrati.
PD: Dekriminalizim në zgjedhje, ndryshim sistemi dhe Parlament me 2 dhoma
Partitë opozitare prezantuan platformën e tyre “Çlirimi i zgjedhjeve nga krimi, shitblerja e votës dhe kapja shtetërore”. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë prezantimit të kësaj platforme për zgjedhje të lira e të ndershme, tha se është e domosdoshme një reformë zgjedhore që të çlirojë zgjedhjet nga krimi. Duke prezantuar platformën, kreu i opozitës Lulzim Basha ka bërë edhe dy propozime për reformën zgjedhore. Basha u shpreh për Parlament me 100 deputetë dhe ndarjen e tij në dy dhoma. “Qëndrimi personal, në çfarëdo sistemi të shkojmë, duhet një studim i hapur dhe i thelluar. Reduktim i deputetëve në 100, i cili redukton shpenzimet, të cilat shkojnë për shkolla. Ndarja e Parlamentit në dy dhoma. Këto nuk qëndrojnë sot, por së pari duhet të dilet nga kjo gjendje. Sot detyrë kryesore e opozitës është dekriminalizimi i zgjedhjeve, më pas për të diskutuar për reformën zgjedhore.” u shpreh Basha.
Sipas Bashës, pa ndarjen e politikanëve nga krimi, nuk mund të kemi kurrsesi zgjedhje të lira.
“Sot e dimë që vota diktohet nga krimi, paratë e pista të bëra nga droga apo presioni shtetor. Problematika zgjedhore është evidentuar në raportin e fundit të OSBE-ODIHR, kandidatë me mbështetje kriminale, përdorimi i parave për shit-blerje votash, përfshirje e policëve të inkriminuar për blerje votash, grupe banditësh që diktojnë votën brenda qendrave të votimit, përdorimi i fondeve publike etj. Sot të gjithë shqiptarët bien dakord se kemi nevojë për reformë për çlirimin e zgjedhjeve. Gjëja më e rëndësishme është ndarja e politikës me krimin. Politikanët e lidhur me krimin do e përdorur krimin gjithmonë për të mbajtur pushtet, e krimi do i përdorë për të zgjeruar aktivitetin kriminal. Ngjarjet kriminale të kohëve të fundit kanë pasur një gjë të përbashkët, kudo ku ka krime të rënda ka lidhje me zgjedhjet. Bajrët, përgjimet treguan se flasin më shumë për politikanë se sa kriminelë. E njëjta gjë në Elbasan, nga Çelajt dhe Sanxhaktarët, bandat janë kthyer në faktorin më të rëndësishëm të zgjedhjeve. Saimir Tahiri apo Vangjush Dako në Durrës, në Vlorë kaluam nga Habilajt, në Dibër Ymer Lala, në Tiranë nga Emiliano Shullazi te Dritan Dajti vijojnë të marrin vendimet politike,” tha Basha.
Në emër të LSI foli deputeti Luan Rama, i cili mbrojti idenë e një sistemi të ri politik “Kjo do të thotë se do të na duhet një përmbysje e madhe, për të ndërtuar një sistem të ri politik, që lind dhe ngrihet prej një sistemi zgjedhor përfaqësues, të ndershëm dhe të barabartë për të gjithë. Pra reforma e vërtetë fillon nga dekriminalizimi dhe trajtimi i sistemit zgjedhor që përmes tij të mund mundësohet vlefshmëria e barabartë e votës, pavarësisht se ku voton apo për kë voton. Sistemi politik në vend është i kalbur dhe kërkon reformë të thellë. Kjo reformë e sistemit politik fillon nga zgjedhjet”, theksoi Luan Rama.
Platforma e PD për “çlirimin e zgjedhjeve”
Dekriminalizimi i procesit zgjedhor – Vetting i politikës- pastrimi i Policisë së Shtetit nga lidhjet me krimin. Ky është kushti i parë i opozitës. Për kryedemokratin, “Krerët e policisë, janë palë me krimin, trafikun dhe mbjelljen e drogës, njerëz me zero besueshmëri publike dhe Rama i cili një vit më parë i cili bënte thirrje policisë të mblidhte vota për Rilindjen”.
Kushti i dytë është një sistem masash kundër shitblerjes së votës, që sipas demokratëve është evidentuar si problemi kryesor në raportin e OSBE/ODIHR për vitin 2017. Shitblerja e votës jo vetëm do të konsiderohet korrupsion zgjedhor që trajtohet nga SPAK, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Për PD-në kjo kërkon një sërë masash të tjerash që duhet të nisin që në gjenezën e procesit të blerjes së votës, i cili ndodh tashmë jo javën e fundit, jo muajin e fundit, por gjatë 6-12 muaj para zgjedhjeve.
Pika e tretë është financimi i partive dhe fushatës, e cila parashikon reduktim të shpenzimeve të fushatës elektorale. Financim shtetëror 100% të procesit zgjedhor dhe fushatës së partive. Kriminalizim të financimeve private. Kompani që financojnë parti politike dhe kandidat do të përjashtohen nga përfitimi i tenderave dhe koncesioneve për një kohë të përcaktuar. Kjo masë, sipas Bashës, fakt do të parandaloje korrupsionin dhe trajtimin preferencial të kompanive financuese të partisë fituese të zgjedhjeve në tendera dhe koncesione.
Hapi i katërt është Përdorimi i teknologjive në votim. Identifikimi biometrik, votimi dhe numërimi elektronik. Të gjithë këta hapa u prezantuan nga ana e sekretarit të PD-së për Zgjedhjet, Ivi Kaso.
Në këtë tryezë gjithashtu nga demokrati Oerd Bylykbashi u bë prezent edhe Vettingu në politikë, ndryshimi i Kushtetutës, për të cilën opozita kërkon të votohet sa më parë.
Tashmë kjo pritet të jetë oferta e PD-së për reformën zgjedhore, ku socialistët kanë paraqitur një draft të tyrin, në të cilin nuk përmban një votim apo identifikim elektronik të votuesve.
Drafti i PS-së i është shpërndarë partive politike dhe pritet që opozita të mbajë një qëndrim për amendamentet e paraqitura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.