Njerez

Pushimet u kthehen në makth, do shkonin në Vjenë për të festuar Krishtlindjet, turistët grekë bllokohen në autobus për 17 orë

Nga Gazeta Si - Rreth 100 turistë grekë nga Selaniku të cilët po udhëtonin drejt Austrisë për të festuar Krishtlindjet, mbetën të bllokuar për 17 orë brenda një autobusi në mes të një stuhie dëbore në rrugën që të çon nga Praga për në Vjenë.

Udhëtimi i tyre nisi mëngjesin e djeshëm me avion nga Selaniku. Ata zbarkuan në Pragë dhe prej andej hipën në dy autobusë të agjencive turistike të nisura për në Vjenë. Mirëpo moti ekstrem nuk i lejoi të arrijnë në destinacionin e tyre.

Mediat greke shkruajnë se stuhia e fortë e borës kishte paralizuar rrjetin kombëtar të vendit, për pasojë 100 pasagjerët grekë mbetën të bllokuar për më shumë se 17 orë, pa ujë dhe ushqim, në një distancë prej 200 kilometrash nga Vjena. Mes tyre kishte të moshuar, fëmijë të vegjël, por edhe persona të grupeve vulnerabël.

Më në fund, pas 17 orësh dhe me ndihmën e ambasadës greke, një borëpastruese mbërriti në autobusët e bllokuar për t’u hapur rrugën turistëve të rraskapitur nga pritja e gjatë brenda në autobus.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë