Treg

Punonjësit informalë u prekën më shumë nga Covid-19, por nuk i denoncuan pronarët

Bashkëshorti i Anisës nuk e ka marrë ende pagën e luftës. Ai rezulton ndër përfituesit, por ankesa e tij e tretë nuk është shqyrtuar ende.

Kurse ajo vetë, prej gjashtë vitesh punon në mënyrë informale tek sipërmarrja e një fqinje.

“Bashkëshortit i kanë premtuar një punë dhe po presim të nisë javën tjetër. Unë po merrem me fëmijët se nuk ka kush mi mban. Ime më iku në Greqi tek vëllai. Po jetojmë me shumë vështirësi. Kisha kohë që nuk e dija çfarë do të thotë të blesh me listë. Pandemia ma rikujtoi. Unë kam punuar prej shumë vitesh në të zezë. Kam pranuar se isha pa eksperiencë, edhe pse kisha diplomë të shkollës profesionale. Rutina të merr dhe nuk lëviza më që aty sepse ishin të rregullt me pagat. Por nga mbështetja e qeverisë nuk përfitova. Ata thanë që duhet të denoncoja që të më vinin në listpagesa, por nuk mund ta bëja për fqinjën që më ka mbajtur me bukë”- thotë Anisa.

Por ajo është vetëm një thërrime e tortës së tregut informal të punës në Shqipëri, i cili nga Organizata Botërore e Punës vlerësohet të jetë mbi 30% përpara Pandemisë, por që me siguri është rritur gjatë saj edhe pse ende nuk ka një vlerësim konkret.

Pavarësisht se është vështirë të dedektohet me saktësi informaliteti në tregun e punës, kjo kategori sipas Forumit Botëror Ekonomik është kategoria më e riskuar si në aspektin e mbijetesës, po ashtu edhe nga ana shëndetësore.

Qeveria Shqiptare do të vendoste në dispozicion përmes Akteve Normative dhe Vendimeve të Këshillit të Ministrave:

Dy Paketa Financiare si mbështetjen sociale për qytetarët dhe bizneset;

• Buxhet shtesë për sektorin e shëndetësisë;

• Buxhet shtesë për sektorin e mbrojtjes për punën e tyre humanitare;

PAKETA 1 – Mbështetje për Biznesin e Vogël dhe Qytetarët

Masa 1 – ndihmë financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri 14 000 000 lekë, për periudhën pas ndërprerjes së aktivitetit ekonomik për shkak të gjendjes së pandemisë së shkaktuar nga COVID19, duke përfshirë:

• personat fizikë të vetëpunësuar;

• punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar;

• të punësuarit në personat fizikë tregtarë;

• të punësuarit në personat juridikë.

Por asnjë nga paketat mbështetëse nuk do ti vinte në ndihmë as në mënyrën më të tërthortë të punësuarëve informalë, të cilët kanë qenë kategoria më e lehtë për t’u hedhur në rrugë nga punëdhënësit gjatë krizës së pandemisë ku u mbyllën gati të gjithë aktivitetet ekonomike.

E vetmja rrugëdalje do të ishte që hallexhinjtë të spiunonin punëdhënësit e mandej do të shpërbleheshin duke u vendosur në listëpagesa për të përfituar pagën minimale të luftës.

Por me sa duket, askush nuk e pa si zgjidhje këtë opsion të qeverisë…

Sipas Organizatës Botërore të Punës, ka më shumë se 2 miliardë njerëz që punojnë në mënyrë informale. Kjo është rreth 62% e fuqisë punëtore globale.

Dhe ata janë nën rrezikun më të madh nga ndikimi ekonomik i krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Sipas Bankës Botërore "Punëtorët joformalë mesatarisht kanë të ardhura 19% më të ulëta se punonjësit formalë dhe kanë kursime të kufizuara".

Ata gjithashtu kanë më pak të ngjarë të kualifikohen për programet qeveritare për të përfituar ndihmë, të cilat numërohen deri në 9 trilion dollarë në të gjithë botën deri më tani.

Ata me më pak vuajnë më shumë

Edhe pse ekziston në të gjitha ekonomitë - qoftë të zhvilluara apo në zhvillim, me të ardhura të larta ose me të ardhura të ulëta, puna informale është veçanërisht e përhapur në vendet me të ardhura më të ulëta.

Midis viteve 2010 dhe 2016, puna informale përbënte rreth 40% të PBB-së në të gjithë Afrikën Sub-Sahariane, Euopën dhe Azinë Qendrore, dhe Amerikën Latine dhe Karaibet. Një tregues kryesor i madhësisë relative të sektorit informal të punës është se sa njerëz klasifikohen si të vetëpunësuar.

Banka Botërore vlerëson se 50% -60% e punëtorëve janë të vetëpunësuar në Afrikën Sub-Sahariane, Azinë Jugore, dhe Azinë Lindore dhe Paqësorin.

Ata gjithashtu kanë tendencë të jenë pjesë të botës që nuk disponon instrumenta të sigurisë sociale. "Në një të tretën e EMDE [tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim] me informalitetin më të përhapur, përfitimet nga statusi i papunësisë, janë në dispozicion vetëm për më pak se 2.5% të popullsisë," paralajmëron Banka Botërore.

Punëtorët joformal gjithashtu kanë më pak të ngjarë të kenë mbrojtjen e tyre financiare, thotë ILO, duke iu lënë atyre zgjedhje të egra: "Të vdesin nga uria ose nga virusi"- kjo është dilema tejet e vërtetë me të cilën përballen shumë punëtorë informalë të ekonomive të botës përfshi Shqipërinë".

Uria, sëmundja dhe pasiguria e ujit

Efekti kumulativ i punës informale, mungesa e strukturave mbështetëse dhe pandemia e koronavirusit është se uria kronike po bëhet një mënyrë jetese për miliona njerëz më shumë. Programi Botëror i Ushqimit vlerëson se numri i njerëzve që vuajnë nga uria e thellë mund të rritet në 270 milion deri në fund të vitit. Kjo është një rritje prej 82% në nivelet parandemike. Ndërkohë, Oxfam po paralajmëron se 12,000 njerëz në ditë mund të vdesin nga uria e shkaktuar nga kriza COVID-19.

Varfëria dhe sëmundja shkojnë shumë shpesh dorë për dore. Në shumë vende me të ardhura të ulëta, mungesa e ujit është një betejë e përditshme. Ndryshimi i klimës, konflikti dhe mungesa e infrastrukturës do të thotë që miliona njerëz nuk kanë një burim uji të sigurt afër vendit ku ata jetojnë.

Nëse nuk ka ujë të pastër, nuk mund të lani duart - një nga këshillat më të qëndrueshme në lidhje me kontrollimin e koronavirusit. Dhe përsëri, ekziston një lidhje midis higjenës publike dhe punës joformale.

Në ato ekonomi në zhvillim me nivelet më të larta të punës informale, "objektet sanitare janë të arritshme për vetëm 34% të popullsisë", thotë Banka Botërore. Kjo krahasohet me 80% në vendet e ngjashme me më pak punëtorë informalë.

Mendimi i unifikuar

Lufta ndaj kërcënimit të sektorit informal bën thirrje për një mendim të bashkuar, këshillon ILO. Shqetësimet për shëndetin dhe financat nuk duhet të ndahen nga njëri-tjetri, por adresohen nga një plan veprimi koherent.

Sigurimi i mbështetjes adekuate financiare është një faktor i rëndësishëm. Sigurisht, do të bëjë të mundur që njerëzit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të sigurojnë veten dhe familjen e tyre. Por atyre gjithashtu duhet t'u jepet qasje e shpejtë në shërbimet mjekësore, si dhe këshilla se si të kufizohen gjasat që ata të përhapin virusin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë