Njerez

Punonjës bamirësie nga Anglia vijnë këtë javë në Tiranë: Pse po ikin të rinjtë?

Prestigjiozja britanike “The Mirror” ka publikuar një artikull, ku tregon se punonjës britanikë të institucioneve të bamirësisë do të vijnë në Shqipëri këtë javë. Nga sa raportohet, në fokus të kësaj vizite është emigrimi i qytetarëve shqiptarë, në përpjekje për të mësuar arsyet përse kaq shumë të rinj rrezikojnë jetën duke shkuar me gomone drejt Britanisë së Madhe.

“The Mirror” shkruan se studiuesit nga Fondacioni “Sanctuary”, të udhëhequr nga Dr. Krish Kandiah, kanë marrë një “mision”, duke kërkuar të gjejnë mënyra për të bindur të rinjtë që të mos bëjnë udhëtimin e rrezikshëm. Ndërkohë në shkrim nuk specifikohen cilat do jenë mënyrat.

Ata do tentojnë që të gjejnë mënyra për të ndihmuar zonat e varfra të vendit, në mënyrë që të rinjtë të shohin një të ardhme në Shqipëri.

Rreth 12,301 njerëz nga Shqipëria kanë shkuar në Mbretërinë e Bashkuar me gomone përgjatë kanalit vitin e kaluar.

Kandiah, i cili ka jetuar më parë në Shqipëri për tre vjet, tha se shpreson të “zbulojë se çfarë mund të bëjnë shoqëria civile, grupet e besimit dhe Fondacioni Sanctuary për të inkurajuar të rinjtë shqiptarë që të qëndrojnë të sigurt në vendin e tyre dhe të jetojnë këtu në vend që të bëjnë udhëtime të rrezikshme duke kaluar kanalin me varka të vogla”.

Ai niset të martën dhe këtu do të ketë një tryezë të rrumbullakët me drejtues të shoqërisë civile dhe besimtare, si dhe do të takohet me të rinjtë që jetojnë në kryeqytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë