Politike

Punimet e Kuvendit/ ISP: Opozita rol destruktiv, mazhoranca, abuzim me mbipushtetin

Instituti i Studimeve Politike vëren se, nga një analizë që i ka bërë seancave të fundit parlamentare, “opozita ka kohë që ka nisur një aksion destruktiv  duke tentuar bllokimin e punës në komisione dhe seancë”.

“Kërkesa dhe debatet janë politike dhe Kuvendi është institucioni ku zhvillohet politika, pra që ka edhe mekanizmat e zgjidhjes politike. Por mazhoranca në Kuvend ka vendosur të bëjë të njëjtën gjë si opozita, - të iniciojë akte destruktive në raport me parimet dhe normat e Rregullores dhe praktikave të mira parlamentare. Ajo, pa praninë e opozitës, ka ndryshuar dy elementë thelbësorë të punës në Kuvend, - kalimin e mbledhjeve të komisioneve online, si dhe të gjithë rendin e ditës të përcaktuar më 1 nëntor, duke futur në agjendë 5 nisma ligjore të opozitës  midis të cilave ndryshimet në ligjin mbi taksat kombëtare, mbi prokurimin publik, mbi Kodin Penal, etj. Ndryshimi u bë jo për të respektuar opozitën, por për të refuzuar në bllok dhe pa debat nismat e saj, të cilat kanë rreth një vit që presin të futen në agjendë. Rezultati dihet, - seanca votoi në 10 minuta dhe në kushte të jashtëzakonshme rrëzimin e të gjitha propozimeve të opozitës, pa debat, pa numërim votash, pa respektuar procedurat parlamentare dhe vetë Rregulloren”, nënvizon ISP.

ISP vëren gjithashtu se, “incidentet penguese të opozitës penalizohen rregullisht dhe me të drejtë nga Sekretariati i Etikës në Kuvend, por aktet e mazhorancës në shkelje të Rregullores mbeten pa penalizim, përkundrazi, hyjnë në fuqi si akte ligjore”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë