Trend

Shqiptarët i ka marrë malli për punimet me dorë, si nga nëna dhe gjyshja

Gazeta Si

Lidhja që kemi ne shqiptarët me punimet me dorë është një dashuri e vjetër e që na lidh me një kohë të shkuar kur të gjithë ishim të varfër. Nga duart e nënave apo gjysheve kemi veshur të paktën një triko të bërë me dorë apo dhe mund të ketë ndodhur që në pantallonat e grisura të na qëndisnin një lule.

Kjo e shkuar që e kujtojmë me nostalgji, po rikthehet tashmë në trend. Shumë njerëz po preferojnë të kenë bluza apo çanta të punuara me dorë.

Anxhela është një 24-vjeçare të cilën izolimi për shkak të koronavirusit e bëri të niste një kapitull të bukur dhe aventure në jetën e saj.

Ajo filloi të bënte çanta pikërisht në atë periudhë pasi pa se punimet me dorë ishin trend në vende si Turqia.

"Fillimi ishte pak i vështirë, pasi nuk kisha punuar asnjëherë me diçka të tillë" tregon Anxhela.

Asaj i desh fillimisht të bënte disa çanta provë për të kuptuar gabimet dhe për të qenë sa më perfekte në punën e saj. Te përmasat dhe modeli, llogaritet dhe koha që i duhet Anxhelës për të bërë një çantë.

"Nëqoftëse marrim një mesatare, më duhen 2-3 ditë për të përfunduar një çantë", thotë ajo.

Një çantë mesatare e punuar me makineri ka një çmim që varion nga 1500 apo 2500 lekë ndërsa një çantë e punuar nga Anxhela kushton 2000 lekë, një çmim që lidhet me kohën e shkurtër që ajo ka në këtë biznes. Ndërkohë ka të tjera artizane që një çantë të punuar me dorë e shesin 70 euro apo dhe më shumë.

Dashuria e Anxheles për çantat e punuara me dorë është e madhe siç ajo i thotë Gazetës "Si". Nuk është zhgënjyer pasi çdo javë merr më shumë se 4 porosi, duke llogaritur këtu që është ende në fillimet e saja.

“Tek unë vijnë njerëz që duan të kenë diçka të veçantë, që nuk e ka asnjeri”, thotë ndërkaq Zoi, vajza që ka faqen “Art of Zoi” në Instagram ku edhe shet produktet e saj të bëra me dorë.

Ajo na tregon se klientët janë të prirur të kërkojnë dizejno nga më të ndryshmet, por gjithmonë me një mesazh shumë personal. Produkti që kërkojnë më shumë janë bluzat e personalizuara si për veten e tyre, si për të bërë dhuratë. Pas bluzave vijnë qëndisjet me gjergjef. Kohët e fundit, Zoi ka vënë re se njerëzit kanë filluar të preferojnë çanta që mbahen vetëm në dorë dhe nuk hidhen në qafë apo në kuriz.

Më parë ajo merrte vetëm 2 ose 3 porosi në ditë për çanta të punuara me dorë, ndërsa tani, thotë se “edhe kur i shkruajnë për të pyetur apo porositur bluza apo gjëra të tjera, shumica përfundojnë duke blerë çanta.”

Shtysën e ka marrë nga një mik që ka biznes qëndistarie dhe ka parë që njerëzit kanë filluar t'i preferojnë punimet me dorë.

Gazeta “Si” foli dhe me Anën, vajzën e “Detaje_qendisje_pasion” e cila na tregoi se ajo i sheh punimet me dorë si një art më vete ku çdo detaj simbolizon diçka nga klienti që e kërkon.

“Po vërehet një rritje në kërkesën e klientëve për punimet në gjergjef”, punime të cilat mund të vendosen në mur, në biblioteka ose në çdo kënd të shtëpisë.

Gjithashtu ajo ka vënë re se ka pak kohë që klientët i kërkojnë punime ku janë njerëz të kthyer me kurriz dhe flokët që punohen 3D e përshtatet ngjyra e perit në bazë të ngjyrës së flokëve të porositësit.

Këto punime shoqërohen me thënie, shprehje, dizejno lulesh ose simbole të tjera.

“Preferohen dhe punime që i quajmë certifikata e lindjes” tha ajo. Në këto punime qëndisen emri, data dhe ora e lindjes, pesha dhe dizajno të tjera shoqëruese.

Shtizat dhe peri i gjysheve shqiptare ka kaluar kufijtë dhe tani po “shkëlqejnë” dhe në Amerikë ku stilistja e njohur nga Kosova, Lirika Matoshi po çmend botën pikërisht me ato triko që dikur gjyshet tona na i vishnin.

Ka krijuar dy stile trikosh, njëra me re dhe tjetra me qershi. E veçanta është mënyra se si ato bëhen, nga gra shqiptare që dinë shtiza.

Kur e kanë pyetur Lirikën se përse nuk i punon trikot me makineri ajo është shprehur se i beson punës që bëhet me dorë dhe se kjo është pikërisht e veçanta e tyre.

Ajo ka treguar se zonjave u duhen 2 ditë për të përfunduar një triko që shitet 270$.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë