Futboll

“Pulat” e Vlorës dhe “të kuqtë në litar” të Tiranës, Disiplina në provë

Faktet janë shumë të qarta. I kanë parë të gjithë, dikush “live” dhe dikush nga televizori apo shtypi i përditshëm. Banderola e shpalosur nga ultrasit e Tiranës në fillim të derbit me Tiranën kalonte çdo kufij edhe të tifozëve më radikalë. Njerëz të ekzekutuar, të varur në litar, me duar të lidhura pas dhe me yllin e kuq në kurriz, simbolin e Partizanit. Një banderolë që ndjell urrejtje jashtë logjikës njerëzore dhe që asgjë nuk e lidh me atë që sporti në të vërtet përçon. Urrejtje ekstreme, që i ka lënë të gjithë pa fjalë. Edhe vetë pjesëtarët e klubit Tirana as që mund të kishin imagjinuar se rivaliteti mund të arrinte deri në këtë pikë.

Dënimi është i sigurt. Skandali nuk mund të mbulohet, e panë të gjithë në natën me drita, që duhej të ishte shumë më ndryshe për tifozët, disa prej të cilëve e panë veten të gjakosur pa nisur loja. Tirana, drejtuesit e saj dhe një pjesë e madhe e tifozëve bardheblu do të paguajnë për këtë makabritet të disa ultrasve. Ky është një test shumë i rëndësishëm për Komisionin e Disiplinës në FSHF, që pak javë më parë e përkëdheli Tiranën për shishet e hedhura në fushë gjatë ndeshjes me Teutën. Ngjarja e së dielës në mbrëmje është shumë e rëndë dhe e rëndësishme për atë që do të ndodhë tani me Komisionin e Disiplinës, sa korrekt do të jetë ai në analizimin e situatës dhe sa do t’i përputhet masa që do të marrë asaj banderole shokuese në stadium.

Banderola ironike e tifozëve të Flamurtarit sezonin e kaluar. Gazeta Si, 30 shattor 2019

Sezonin e shkuar Flamurtari dënohej me një gjobë prej 2 milion lekësh për një banderolë, që nuk kishte përmbajtje urrejtjeje dhe as perversiteti. Ishte një thumb tipik vlonjat: “Pulave u ka hije të kakarisin në kotec”. Një batutë nga filmi “Kapedani”, pa emër konkret, por që i referohej presidentit të FSHF-së, Armand Duka (i njohur edhe për biznesin e vezëve). Disiplina e mori shumë seriozisht atë parullë për shefin e saj dhe menjëherë mori masa ndëshkuese. Por tani me Tiranën? Është një situatë shumë, shumë më e rëndë. Nuk ka në shënjestër një person të vetëm, është një akt urrejtjeje që ndoshta edhe në grupimet ultras më ekstremiste nuk mund ta gjesh. Disiplina është para një prove, që duhet medoemos ta kalojë me sukses. Me “pulat” e Vlorës u mor seriozisht, tani ka në dorë një rast ekstrem. Mesazhet që përcjell futbolli janë të tjera. Rivaliteti i jep bukuri garës, thumbat dhe kunjat janë pjesë e tifozllëkut, ndërsa mbjellja e një urrejtjeje të tillë, është shokuese.

Disiplina tani ka pjesën më të rëndësishme dhe është një nga ato raste ku duhet vepruar me “dorë të hekurt”, por nuk është vetëm ajo. Përgjegjësi kanë edhe zyrtarët e FSHF-së për ndeshjen në fjalë (delegati), si dhe policia dhe klubi organizator. Jo çdo banderolë ultrasish mund të shpaloset në shkallët e stadiumit dhe të qëndrojë aty sa t’u dojë qejfi atyre që e mbajnë në duar. Ka një kontroll për këtë pjesë, që me sa duket nuk është bërë. Ajo që të habit edhe më shumë është heshtja e klubit të Tiranës, që ende nuk është distancuar nga veprimi i ultrasve të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë