Lajme

Përleshja në Tirana-Partizani/ Procedim për 9 persona, një prej tyre i dënuar

Ndeshja Tirana-Partizani, e zhvilluar dje në stadiumin “Selman Stërmasi”, u parapri nga një sherr mes dy tifozërive, ku pati edhe të lënduar nga goditjet me sende të forta. Për këtë ngjarje, Policia bën me dije se po procedohen 9 shtetas. Nga këta, një është arrestuar, dy janë shpallur në kërkim, ndërsa 6 persona po procedohen në gjendje të lirë. Akuzat janë “Prishja e qetësisë publike”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

I arrestuari është shtetasi E.B., 29 vjeç, banues në Tiranë. Personi në fjalë, i cili është konfliktuar me tifozët e Partizanit, rezulton të jetë me masën “Arrest shtëpie”. Një masë që e ka thyer, duke dalë nga shtëpia. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, për “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, “Shkelje e rregullave mbi lëndët plasëse dhe radioaktive”, po procedohen në gjendje të lirë këta shtetas:
M.M., 22 vjeç, banues në Tiranë;
A.M., 19 vjeç, banues në Tiranë;
Th.B., 25 vjeç, banues në Tiranë;
B.L., 46 vjeç, banues në Tiranë;
G.Q., 28 vjeç, banues në Tiranë;
E.B., 29 vjeç, banues në Tiranë;

Në kërkim janë edhe dy shtetas, të cilët akuzohen për veprat penale “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe radioaktive” “Dëmtime të tjera me dashje”, “Prishja e qetësisë publike”. Policia ka dyshime se këta dy persona kanë hapur gjatë natës para derbit tre gropa pranë tribunës ku ishin vendosur në stadium. Gropat ishin të mbushura me lëndë piroteknike dhe do të komandoheshin nga një mekanizëm me ndezje elektrike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë