Keshilla

Pudrat e fëmijëve kanë asbest, rrisin rrezikun e kancerit

Çmimet e aksioneve të gjigandit të produkteve farmaceutike dhe mjekësore Johnson&Johnson u ulën 10 për qind të premten, pas disa lajmeve, që treguan se kompania ishte në dijeni prej dekadash se përbërësit e përdorur në pudër, përmbanin ndonjëherë edhe sasi të vogla të asbestit, një element që mund të shkaktojnë kancer.   

Kompania e mohoi fuqishëm artikullin e Reuters, që botoi një investigim të gjatë duke cituar dokumente, shumë të vjetra, që kanë dalë në gjyq. Reuters tha se të paktën nga viti 1971 deri në vitin 2000, pudra e papërpunuar e Johnson&Johnson rezultoi pozitive në testin për përmbajtjen e asbestit, edhe pse pati materiale që nuk treguan asbest.

Artikulli i Reuters thoshte se zyrtarët e kompanisë u shqetësuan për rezultatet e testimit duke e mbajtur informacionin privat dhe duke mos i bërë ato publike. Johnson&Johnson e quajti artikullin e Reuters-it "të njëanshëm, të rremë dhe si një teori komploti".
Kompania ka qenë në qendër të disa padive nga paditësit të cilët pretendojnë se përdorimi i “Johnson&Johnson baby” pudër ka shkaktuar një formë të kancerit të quajtur mesothelioma, i cili më së shumti shkaktohet nga ekspozimi ndaj asbestit. Kompania gjithashtu i është nënshtruar padive nga paditësit që pretendojnë se kanceri i tyre në vezore është shkaktuar nga produktet e saj.

Një gjykatë në St. Louis këtë vit dha $ 4.7 miliardë për 22 gra që pretendonin se produktet shkaktuan kancerin e tyre në vezore. Kompania Johnson&Johnson tha se do ta apelonte këtë vendim dhe vazhdoi të mohonte se produktet e saj shkaktuan dëm.
Disa dokumente janë zhdukur si pjesë e proceseve gjyqësore, por Reuters tha se kishte arritur të kishte akses në mijëra të dhëna të kompanisë. Pluhuri talk është bërë nga një lloj minerali, i cili ndonjëherë përmban disa gjurmë të asbestit, sipas raportit në faqen e internetit të Shoqërisë Amerikane të Kancerit. Industria e kozmetikës në vitin 1976 miratoi udhëzime, ku specifikohet se pudrat nuk duhet të përmbajnë asbest.   

Shumë nga dokumentet e cituara nga Reuters janë korrespondenca të brendshme të Johnson&Johnson mes drejtuesve që debatonin për praninë e sasive të vogla të asbestit në pudra. Drejtuesit e kompanisë u përpoqën të bindnin rregullatorët se prezencat e asbestit ishin të vogla dhe jo të dëmshme.
Avokatët Johnson&Johnson i thanë Reuters se rezultatet e testimit që zbuluan asbestin ishin nga pjesa e pudrave të destinuara për përdorim industrial, jo për foshnjat.
"Mijëra testime të pavarura nga rregullatorët dhe laboratorët kryesorë të botës tregojnë se pluhuri ynë për foshnja nuk ka pasur asnjëherë asbest", tha Johnson&Johnson në deklaratën e saj.

Përdorimi i pudrës pa azbest gjithashtu ka qenë temë për debat edhe më herët. Në vitin 2006, një pjesë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë nxori një deklaratë, ku thoshte se pudra që përdoret në zonat gjenitale mund të shkaktojë kancer në vezore, por Shoqata Amerikane e Kancerit e kundërshtoi, duke thënë se pretendimi është i paqartë.
"Gjetjet janë të përziera, me disa studime që raportojnë një rrezik të ulët dhe disa nuk raportojnë rritje të rrezikut. Shumë studime kanë dalë në konkluzion se përdorimi i asbestit në pudër ka një rritje të vogël të rrezikut", thuhet në faqen e internetit të Shoqatës Amerikane të Kancerit. 

Edhe agjencia amerikane për ushqimin dhe drogat është ballafaquar me këtë çështje më herët. Në vitin 2014, ajo hodhi poshtë një kërkesë për të shtuar një etiketë paralajmëruese për rrezikun e kancerit që mund mbartin pluhurat pudër që përdoren te foshnjat. Washington Post raportoi vitin e kaluar se një studim kishte gjetur se efektet e pudrës në indet e sistemit gjenital të femrave nuk janë hetuar në mënyrë korrekte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë