Politike

Pse u vonua rindërtimi? Rama drejton gishtin nga gjykatat: Na shoqëroi një proces falsifikimi e korruptimi

Zv.Kryeministri dhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj pati premtuar se në prill të këtij viti nuk do të kishte asnjë gjurmë të tërmetit në Shqipëri. Por, në disa zona rindërtimi vazhdon dhe në të tjera ka ngecur.

Kryeministri Edi Rama e transferoi fajin për këto vonesa jo të qeveria, por te drejtësia.

“Ti merr përsipër të rindërtosh shkollën simbol të arsimit në Tiranë, që u godit rëndë nga tërmeti dhe ta marrin peng se të çojnë në SPAK disa për një ËC aty. E duhet të presësh që të bëhen procedurat, hetimi dhe historia. Këto janë pengesa të natyrës objektive. Aty ku nuk kishim pengesa të tilla ka ecur puna, pavarësisht pandemisë dhe rritjes së çmimeve”, deklaroi Rama.

Ne nuk kemi kujt t’i qahemi, tha Rama, por janë disa gjëra që duhen thënë që njerëzit ta kuptojnë se përse ndodh.

“Rindërtimi ka ecur paralel me një proces të falsifikimesh, ankimimesh e korruptimesh të gjykatësve që janë të krimbur nga koka te këmbët dhe që e dinë që s’kalojnë vettingun dhe tani vazhdojnë të kapin ça ta kapin. Për këtë arsye jemi vonuar në disa raste”, vijoi Kryeminsitri.

Rama premtoi se Qeveria nuk do t’i ndahet rindërtimit. “Deri kur familja e fundit të marrë shtëpinë”, tha ai.

Kryeminstri foli nga Ndroqi, ku mori pjesë në dorëzimin e disa banesave për banorët e prekur nga tërmeti i nëntorit 2019. Në këtë ceremoni shoqërohej nga zv.Kryeministri Arben Ahmetaj dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn. Këtë të fundit ‘e thumboi’ në mbyllje të fjalës.

“Ta merrni tani këtë pronë dhe atë pronën private brenda shtëpive ta gëzoni dhe pronën e përbashkët ta lulëzoni, për fëmijët tuaj jo për mua. Edhe Lali Eri do të vijë këtu që të mbjellë ndonjë pemë që të dalë në televizor”, u shpreh Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë