Treg

Pse ta hedhim në rrugë domaten e Myzeqesë?

Sabina Veizaj-Më shumë se një e treta e shqiptarëve jetojnë sot në varfëri ose me më pak se pesë dollarë në ditë.

Kësaj tabloje prej do kohësh i janë shtuar edhe fermerët e Myzeqesë që prodhimet stok të domateve dhe kastravecëve po i derdhin në rrugë sepse nuk gjejnë treg për ti shitur.
Teksa pak muaj më parë ankoheshim se ishim të detyruar ta blinim 1 kg domate 100 lekë, sot edhe pse ajo kushton 40-50 lekë/kg, nuk kemi ku i shpiem.

Në këto kushte kur fermerët kërkojnë nga qeveria të rimbursojë prodhimin stok të domates dhe qeveria ia hedh fajin vetë fermerëve se kanë mbiprodhuar në sezon të papërshtatshëm, a ka një alternativë për një zgjidhje?

Eduard Sharka, kontabilist, pjesë e shoqatës së fermerëve thotë se nga një vlerësim paraprak fermerëve të Lushnjes, Beratit dhe Fierit iu mungojnë 2 mld lekë të reja të ardhura nga prodhimi stok i domateve të pashitura dhe 1 mld lekë të reja shpenzime.
“Malli stok duhet subvecionuar. Qeveria e ka detyrim ligjor të orientojë fermerët. Në çdo vend të rajonit ekziston një zyrë që studion tregun dhe orienton fermerët. Mungesa e orientimit i ka bërë fermerët viktimë të instikteve të veta.”- shprehet Sharka për gazetën “Si”.

Sipas tij fermerët shqiptarë po goditen nga qeveria. Sharka sqaron se përpos prodhimit stok fermeri taksohet në mënyrë të padrejtë. “Fermerit shqiptar i rëndon TVSH për plasmasin, taksë e mjedisit 35 lekë/kg plasmasi ndërsa ai gjen treg të menjëhershëm për riciklim, akciza e naftës.”- shpjegon Sharka.

Ekspertët mendojnë strategjikisht ndryshe. Disa syreshë gjykojnë se qeveria nuk mund të ndërhyjë në treg, se përndryshe do të ndërhynte edhe në çmim. Ata mendojnë që fermerët duhet të diversifikojnë prodhimin dhe të organizohen në tjetër mënyrë, jo të përballen të segmentarizuar.

Ilir Pilku, ekspert

Ilir Pilku, ekspert në fushën e bujqësisë, thotë për gazetën “Si” se “mbështetja me subvencione për humbjet në fermë nuk është praktikë në asnjë vend të botës. Patjetër që për të eleminuar këtë risk, politikat bujqësore të qeverisë duhet të promovojnë apo edhe të subvencionojnë kompanitë e sigurimit për të zhvilluar politika të sigurimit të prodhimit bujqësor.”

Për të, situata kërkon që shteti nëpërmjet institucioneve të linjës (duke përfshirë edhe përfaqësuesit tregtar në ambasadat tona) të studiojnë përparsitë e tregut botëror, kërkesat dhe kanale të reja e të qëndrueshme tregu.

Patjetër, sqaron Pilku, që një element tjetër i rëndësishëm janë politikat e duhura në lidhje me subvencionet dhe më konkretisht për mbjelljet e reja, plasmasin e serrave, mbështetjen e normave të interesit për kreditë bujqësore. Politikat e subvencionimit, mendon ai, duhet të aplikohen direkt tek prodhuesi.

Por, thotë ai, nuk është zgjidhje që me taksat e popullit të rimbursohen problemet e bujqësisë që kanë lindur nga planifikimi i ulët në fermë dhe mosorientim i duhur nga eksportuesit dhe këshillimi bujqësor.

Agim Rrapaj nga Këshilli i Agrobiznesit thotë se qeveria e ka të pamundur të gjejë një zgjidhje emergjente për një grup të lokalizuar.

Agim Rrapaj, KASH

“Qeveria nuk mund të bëjë tender për një fermer që ka 20 kg domate. Situatë emergjente është për të gjithë feremerët e republikës. Janë 22 shoqata dhe 12 këshilla rajonalë në të gjithë vendin. Prandaj fermerët të ndarë nuk mund të funskionojnë. Fermerët e Myzeqesë duhet të ndryshojnë formën e organizmit, të bashkohen me të tjerët.”- shpjegon ai për gazetën “Si”.

Sipas të dhënave zyrtare në Shqipëri numërohen 354 mijë ferma në të gjithë vendin. 350 mijë janë ndër ato që punojnë për vete, për blegtorinë dhe fare pak për të dalë në treg.
Agim Rrapaj shpjegon se shqetësimet e fermerëve të Myzeqesë dhe gjithë fermerëve të vendit janë me vend, por për sa kohë nuk ekziston ligji për ti subvecionuar, qeveria nuk ka çfarë të bëjë.

Ai thotë që situata zgjidhet përmes shoqërive të sigurimit duke hartuar projekte për sigurimin e produkteve.

Rrapaj sugjeron për situatën zgjidhje afatgjatë, jo në kushte emergjente sepse sipas tij është e pamundur.

Për të duhet të ndryshojë ligji, të ngrihen politika afatgjata, fermerët të organizohen sëbashku me të gjithë zinxhirin dhe të jetësohen marrëveshjet.

Ervin Resuli, sipërmarrës në fushën e bujqësisë, pjesë e Shoqatës së Fermerëve të Myzeqesë thotë se këtë javë protesta e fermerëve do të përshkallëzohet dhe do të nisen drejt Ministrisë së Bujqësisë në Tiranë.

“Nuk ka asnjë komunikim nga qeveria. Politika bën antifushatë. Fermerët ndjehen të frikësuar. Kur nuk mban më ujë pilafi, nuk dihet si shkon”- thotë ai për gazetën “Si”.
Edhe Nikolin Jaka nga Dhoma e Tregtisë e Industrisë Tiranë del në mbështetje të fermerëve.
Për të fermerët shqiptarë kanë duruar shumë.

Nikolin Jaka, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë

“ Ata janë ndër më të diskriminuarit në rajon nga ana fiskale; qoftë me mosnjohjen e TVSH-së, qoftë me mossubvecionimin. Nëse në Maqedoni subvecionohen fermerët për 200 mln euro, në Shqipëri subvecionohen 5-6 mln euro. Po ashtu edhe në Kosovë rimbursohen 120 mln euro. Habitem si kanë duruar deri tani.”- thotë Jaka.

Prej do kohësh fermerët e myzeqesë janë organizuar në një lëvizje duke organizuar manifestime paqësore. Në çdo protestë të kryer në Lushnje përballë prefekturës së qytetit ata kanë demonstruar shqetësimin e tyre duke derdhur në rrugë arkat me domate, prodhimin stok të stinës duke i kërkuar qeverisë subvecionim të tyre me çmim dysheme.

 

Më Shumë