Analize

Shqipëria nuk është e detyruar të shkojë në Hagë

Me nota ironike, kryeministri Edi Rama tha në konferencën pa pyetje me gazetarët se për çështjen e Detit nuk do të ketë “pushtim” nga ana e Greqisë, duke shpërfaqur kënaqësinë se kjo çështje do t’i kalonte një gjykate ndërkombëtare, pa specifikuar se cilës.

E ”ndihmoi” ministri grek Nikos Dendias i cili duke lexuar një deklaratë të përgatitur paraprakisht tha se ishte rënë dakord mes dy palëve që kjo çështje të kalojë në Hagë. Një qëndrim që kaloi në heshtje nga Rama dhe me një buzëqeshje nga Dendias. Dhe jo më kot. Një kërkesë e hershme e Greqisë dhe e thënë publikisht edhe në do intervista mediash ndërkombëtare nga ish-ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis.

Ndoshta Greqia mund të ketë pretendimet e saj për këtë çështje edhe pse vetë ajo nuk u bë kurrë iniciatore e një lëvizje të tillë. Por pyetja që shtrohet është;  A është e detyruar Shqipëria ta çojë këtë çështje në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës? Dhe çfarë duhet të çojë? Për çfarë është në konflikt Shqipëria me Greqinë? Deri me tash ka vetëm disa pretendime për Zonat Ekonomike Ekskluzive. Për kufijtë detarë nuk ka të tillë dhe këtë u përpoq ta theksonte disa herë edhe kryeministri Edi Rama në një fjalim të gjatë në një nga ditët e shtatorit në Kuvend. Ashtu siç e ka theksuar edhe vetë PS-ja në padinë e para do viteve të çuar në Gjykatën Kushtetuese për marrëveshjen e Detit se asnjëherë Greqia nuk ka kundërshtuar vijën e kufirit detar. Deri asokohe. Atëherë cili është konflikti? Me çfarë teze apo pikash duhet të shkojë Shqipëria në Hagë?

Konstitucionalisti i njohur dhe profesori shqiptar i së Drejtës ndërkombëtare Xhezair Zaganjori shprehet në një prononcim për gazetën “Si” se “duhet bërë e qartë ku qëndron problemi dhe ku dallojnë palët në qëndrimet e tyre”.

Në muajin Shtator, kryeministri Edi Rama u rrek të theksonte në Kuvend se nuk ka negociata në zhvillim me Greqinë që nga ndryshimi i qeverive dhe se negociatat mes dy  palëve nuk përfunduan as në atë kohë. “Nuk ka marrëveshje dhe mos u bëni qesharakë”, u shpreh Rama para deputetëve të Kuvendit.

Por Xhezair Zaganjori,  relatori i çështjes së marrëveshjes së detit më Greqinë në vitin 2009 në Gjykatën Kushtetuese, nënvizon në shpjegimin e tij shterues se  Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pra vetë Gjykata e Hagës duhet të ketë marrëveshjen mes palëve për gjykimin e konfliktit, ku të përcaktohen qartësisht pozicionet e palëve si dhe pyetjet konkrete të cilave ajo duhet t’i kthejë përgjigje. Përndryshe, – nënvizon ai, - nuk ka se si ta pranojë kërkesën e tyre.

Zaganjori i shton argumentit të tij se duhet pritur një informacion më i plotë e zyrtar nga të dy palët.

Sepse për një çështje kaq delikate, edhe transparenca duhet të jetë akoma me madhe.  Dhe këtu pastaj hyjnë në lojë edhe mekanizmat e tjerë.

Zaganjori sjell shembullin e mosmarrëveshjes mes Kroacisë dhe Sllovenisë për ndarjen e hapësirave detare në Gjirin e Piranit, ku dërgimi i çështjes në një gjykatë arbitrazhi është dashur të kalojë fillimisht përmes miratimit me referendum në Slloveni dhe, në Parlament në rastin e Kroacisë; “Sovrani duhet ta dijë se përse bëhet fjalë. Cilat janë pretendimet konkrete të palëve dhe ku e përse lind mosmarrëveshja apo konflikti mes tyre që shtron nevojën për të shkuar në një mekanizëm ndërkombëtar...”.

Pra, me pak fjalë, marrëveshja e shumë pritur për Detin nuk ka shkuar në një pikë zgjidhje, por në vdekje klinike që me dërgimin e topit drejt një gjykate ndërkombëtare veçse do të marrë kohë dhe në fund edhe detyrimin për ta zbatuar cilado qoftë vendimi i saj.

Kthesa e papritur e Edi Ramës në vizitën e tij të fundit në Greqi për ta çuar këtë çështje në një gjykatë ndërkombëtare dhe pritja e topit edhe nga ana e Lulzim Bashës, veçse ka kënaqur një pretendim grek (që mund t’i shërbejë në konfliktin e hapur me Turqinë) dhe ka lënë në vend numëro një zgjidhje që koha e ka treguar se edhe mund të arrihej, nëse do t’i referohemi negociatave Bushati- Kotzias...

...Kryeministri Edi Rama u mor gjatë me buzëqeshjen e Lulzim Bashës të vitit 2009 kur ky i fundit firmosi marrëveshjen në kundërshtim me Kushtetutën me palën greke për Detin. “Ishte buzëqeshja më e gjatë që kam parë ndonjëherë në portretin  e Lulzim Bashës”, është shprehur disa herë ai me nënqeshje.

Por ja që historia përsëritet dhe po për “Detin” vjen një tjetër buzëqeshje (jo fort e gjatë) por domethënëse e Nikos Dendias përballë Edi Ramës.

Edi Rama, njeriu që kundërshtoi marrëveshjen e vitit 2009 dhe negocioi mbi 1001 zgjidhje për një tjetër pakt detar me Greqinë, nuk ka pse të dorëzohet tek vatha e diplomacisë greke për t’ju drejtuar  Hagës me ”bekimin” e Shqipërisë nga e cila vetë vendi ynë nuk është se ka dalë ndonjëherë e fituar. Të paktën deri tani. Haga nuk është detyrim pasi njeh sovranitetin e vendeve dhe mbi të gjitha nuk kemi pse shkojmë me barrën e "fajit" që grekët na e paskan ofruar ta ndajmë së bashku. Por nëse shkohet, vendimi prej andej është i detyrueshëm....Historia na tregon qysh herët se ishin grekët që shpikën Kalin e Trojës dhe Iliria ( në Butrint) që priti pasojën, trojanët e mbetur nga mizëria e inatit helen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë