Analize

“Deti” në Hagë, kurth i Greqisë apo zgjidhje?

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias nuk e fshehu lumturinë me të cilën mveshi fytyrën në momentin kur Kryeministri Edi Rama njoftoi se dy vendet kishin rënë dakord për t’iu drejtuar Gjykatës së Hagës për të zgjidhur çështjen e detit mes dy vendeve.

Lajmi i marrëveshjes së arritur u përhap me shpejtësinë e dritës, jo vetëm në mediat shqiptare, por edhe tek ato greke. “Kufiri detar çohet në Hagë”, me këtë titull hapej në versionin online greqisht, fill pas deklaratës së Ramës gazeta “Kathimerini”, një prej më të mëdhave në vend. Në brendi të artikullit gazeta kujton se ky ishte edhe objektivi i vizitës së Dendiasit në Tiranë, pra bindja e palës shqiptare për ta dërguar në gjykatat ndërkombëtare çështjen e kufirit detar.

Në fakt, ideja e dërgimit të çështjes së detit në gjykata ndërkombëtare është një ide e hershme, por që ka qarkulluar gjithmonë në Athinë, sidomos pas rrëzimit të marrëveshjes së arritur në 2009-s nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Kjo ide u mpak disi gjatë bisedimeve që nisën mes ish-ministrave Bushati dhe Kotsias, por u rikthye me ardhjen në pushtet të Demokracisë së Re në Greqi. Një prej zërave më të fortë që mbështet këtë ide është ish-ministrja e Jashtme greke, njëkohësisht motra e Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, Dora Bakojanis. Pikërisht në sy të Bakojanisit, Kryeministri Edi Rama e hodhi këtë ide si mundësi zgjidhjeje.

“Ne mund të arrijmë një marrëveshje të mirëbesimit duke ngritur çështjen në një gjykatë ndërkombëtare me një rezultat objektiv dhe të jetojmë drejt të gjithë paqësisht nga atje e tutje. Ishte diçka që vazhdimisht e ndava me Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm”, deklaroi Rama gjatë fjalës së mbajtur në mes të shtatorit në Greqi, ku merrte pjesë në një forum ekonomik, bashkë me Dora Bakojanisin.

Ideja e adresimit në një gjykatë ndërkombëtare ka përçarë ekspertët dhe diplomatët në Shqipëri. Xhezair Zaganjori, i cili gjatë shqyrtimit të marrëveshjes së 2009-s në Gjykatën Kushtetuese ka qenë relator i saj, e mirëpret, e po ashtu edhe Ksenofon Krisafi, pjesë e grupit negociator shqiptar me palën greke.

Por, për Ambasadorin Shaban Murati gjykata ndërkombëtare është një kurth i ngritur nga Greqia. Në një analizë të publikuar në gazetën “Dita”, Murati thotë se nuk ekziston një çështje kufiri detar për Shqipërinë. Ai thotë se ujërat territoriale shqiptare janë të mirëpërcaktuara dhe të njohura ndërkombëtarisht dhe gjykatat ndërkombëtare janë e vetmja mundësi që pala greke t’i vendosë në pikëpyetje këto ujëra.

“Shihni djallëzinë greke: I thotë Shqipërisë për ta çuar në gjykatë ndërkombëtare, por vetë Bakojanis si ministre e jashtme dhe gjithë qeveritë greke që nga 2009 e deri tani nuk e kanë dërguar në gjykatë ndërkombëtare marrëveshjen e detit të anuluar me të drejtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Nuk e dërgon Athina, sepse nuk ka çështje për t’u dërguar. Greqia nuk ka dërguar në gjykatë ndërkombëtare çështjen e caktimit të zonave ekonomike detare me Italinë, ku bisedimet zgjatën 43 vjet. Nuk ka dërguar çështjen e kufijve detarë dhe të zonave ekonomike ekskluzive me Turqinë, që ka nisur bisedimet që në 1973, pra 47 vjet më parë”, shkruan ai.

Murati thotë më tej se me dinakërinë diplomatike greke ia hodhën kurthin e gjykatës ndërkombëtare qeverisë shqiptare. “Athina po e nxit diplomacinë dhe qeverinë shqiptare të bëjnë autogolin e madh të gjykatës ndërkombëtare, autogol që tani e shpall me krenari se ta gjuajë personalisht vetë kryeministri i Shqipërisë”, vijon ai.

Ambasadori rendit tre arsye se përse Shqipëria nuk duhet të shkojë në gjykata ndërkombëtare për çështjen e detit. Së pari, ai thotë se nuk ka konflikt me Greqinë për detin dhe se kjo është pranuar edhe në padinë e Partisë Socialiste që rrëzoi marrëveshjen e 2009-ës, ku thuhej se “kufiri ka ekzistuar. Pra kufiri detar shqiptaro-grek ishte i njohur, i përcaktuar edhe me koordinata dhe i respektuar nga të dyja palët dhe se asnjëherë Greqia nuk e ka kundërshtuar këtë vijë të kufirit detar, përkundrazi e ka respektuar”.

Së dyti, Murati thotë se Greqia nuk do të kishte pritur 80 vjet, por do t’u ishte drejtuar me kohë gjykatave ndërkombëtare për këtë çështje dhe së treti ambasadori thotë se duhet qartësuar se çfarë do të çohet në Hagë, çështje e kufijve detarë, që thotë se është e padiskutueshme, apo çështja e zonës ekskluzive ekonomike, për të cilën nuk ka asnjë konflikt.

Diplomati tjetër i karrierës, Lisen Bashkurti thotë se shtrirja me 12 milje nuk është fakt, por aspiratë e Greqisë për t’u zgjeruar në këtë distancë, që nuk mund të realizohet nëse Athina nuk merret më parë vesh me vendet fqinje.

Ofensivën diplomatike greke për këtë qëllim, ai e përshëndet dhe shton se me Shqipërinë nuk do të përcaktohen ujërat territoriale, por zona ekonomike ekskluzive.

“Në rastin konkret bëhet fjalë për një nismë apo aksion diplomatik të palës greke, i cili për mendimin tim duhet të përshëndetet, sepse synon që Greqia të përcaktojë Zonën Ekonomike Ekskluzive, është një nga hapësirat detare, përveç shelfit kontinental, ujërave territoriale, e me radhë, që ajo ndan me shtetet përreth”, shprehet Bashkurti në një analizë për “Argumentum”.

Ish-ambasadori deklaron se sa u takon ujërave territoriale ato janë të përcaktuara. “Kemi dhe kufi shtetëror kemi patur dhe kemi, pavarësisht se tani shtrohet çështja e korrigjimit sado pak të tij, ndërsa Shelf kontinental me Greqinë dhe Zonë Ekonomike Ekskluzive nuk kemi”, shton Bashkurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë