Libra

Pse për Princin e Vogël nuk mjafton vetëm një version shqip?

Suadela Balliu - Ajo  që është e rëndësishme është e padukshme për syrin. Vetëm me zemër njeriu mund të shohë drejt. Ilustrimet e vogëlushit flokartë dhe dhelprës,  më kishin përpirë të gjithën. Ndryshe nga rrëfimtari,  i ulur  me avionin e tij në avari,  shkretëtirave  të Saharasë,  unë sapo kisha zbarkuar në universin që kishte stof ëndrrash dhe kujtimesh fëmijërie...E kisha humbur kuptimin e kohës dhe qëllimin, se kisha hyrë në librarinë “Adrion”, në Pallatin e Kulturës, pranë sheshit “Skënderbej” , për të blerë një libër për nipin tim trevjeçar. Kisha parafytyruar, qysh kur ai lindi, se librin e parë prej vërteti,  jo ato me përralla të thjeshtuara për të vegjlit, as ato me figura e ngjyrosje për të mësuar  numrat dhe shkronjat, atë që do ta mbante në bibliotekën e tij edhe kur të rritej, do t’ia blija unë. Mendoja se nuk kishte libër që do t’u rezistonte kohërave dhe dëshirës për t‘iu  kthyer e rikthyer, edhe në moshë të shkuar, sesa “Princi i Vogël”, i shkrimtarit francez Antoine de Saint-Exupéry. Po të mos qe për djalin që më orientoi në qoshen në fund të sallës, në të majtë, do të kisha dalë duarbosh dhe me ngazëllimin e prerë në mes.  Por ja ku isha, megjithëse pa syzet optike, me librin e madh me ilustrime aq pranë fytyrës, sikur të isha duke kapërcyer një nga ato vorbullat që të degdisin në dimensione të tjera paralele, të realitetit. Botimet “Ideart” , kishin sjellë së fundi një version me ilustrime,  të ndryshme nga ato origjinalet, krijuar nga Manuela Andreani, me ngjyra të gjalla e vizatime magjike, me përkthimin e Artan Mirakës. “Janë edhe këto të tjerat”, shton librari i ri, duke më lënë në dorë tre botime të tjera në shqip të Princit të Vogël, në format më të vegjël dhe kopertina  me ilustrime të ndryshme.

"Princi i Vogël, versioni i botimeve "Ideart", 2017

Në shqip ekzistojnë më shumë se dhjetë botime, të Princit të Vogël, që kanë ardhur me shqipen e Petro Zhejit, Naum Priftit, Shpëtim Çuçkës, Haxhire Lulit, Diana Çulit, Amantia Kapos e shumë të tjerëve. “Përkthimi kishte vështirësitë e tij, si çdo letërsi e madhe”, rrëfen përkthyesja Diana Çuli, e cila e ka sjellë në shqip, përmes logos së shtëpisë botuese “Dituria”. “Së pari sepse ishte përkthyer dhe më parë, disa herë, me sa di, së dyti, sepse nuk ishte e lehtë të përçoheshin të gjitha ngjyrat dhe mesazhet e nënkuptuara të rrëfenjës së Sain-Exupery-së, gjuha e të cilit ishte tepër e rafinuar, e sofistikuar dhe me shumë nën-shtresa kuptimore, ndonëse në dukje ngjante e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë”, thotë Çuli. “Princi i Vogël”u botua për herë të parë në Shqipërinë komuniste, si pjesë e një përmbledhjeje të veprës së Saint-Exupéry –së , në vitin 1986, nga shtëpia botuese “Naim  Frashëri”, shqipëruar nga Petro Zheji. Megjithatë, vepra e botuar fillimisht në vitin 1943, në gjuhën frënge, e kishte parë dritën e përkthimit dhe të botimit në shqip, shumë më herët; më 1965 ishte përkthyer nga Gjylketin Shehu, botuar në Prishtinë nga shtëpia botuese “Rilindja”. Po kjo shtëpi botuese, do ta sillte sërish një tjetër version, më 1985, nga Rifat Kukaj. Një variant më vete i librit “Princi i Vogël” do të vinte më 1968-ën nga Dorina Paço, botuar nga “Naim Frashëri”, e vetmja shtëpi botuese, asokohe në pronësi të shtetit. Varianti i parë gjatë epokës post-komuniste,  do të vinte me përkthimin e Naum Priftit, botuar nga “Toena” . Po kjo shtëpi botuese do të botonte më 2008-ën edhe përkthimin e Shpëtim Çuçkës. Versione të tjera pas viteve 2000, vijnë nga Nikolin Todolli, botuar më 2003-shin nga botimet “Vëllezërit Tafa” , më 2006-ën vjen i përkthyer nga Haxhire Lule, botim i “Konica” .

Më 2008-ën, në Kosovë risjellin përkthimin e Gjylketin Shehut, ndërsa në Shqipëri,  përkthyesja Amantia Kapo, e cila prej vitesh jeton në Francë do të sillte versionin e saj për botimet “Albas” . “Princi i vogël është për mua si udhëtim që duhet ndërmarrë  disa herë  në  jetë,  për të rizgjuar shpirtin kureshtar qe mbartim. Ndërsa kur e përkthen është kurorëzimi i një ëndrre”, më përgjigjet Amantia Kapo, mbi ndjesinë që i la përkthimi i kësaj rrëfenje, me lexues që nuk njohin moshë.  Botimi i fundit është ai i “Ideart”, në format të madh dhe ilustrimet me ngjyra. Ajo që duhet të ishte  lexim për të voglin, u bë në fakt lexim personal. M’u kujtua një poet portugez, i cili pat vizituar Tiranën për një festival letrar, tre vjet më herët e  që më pat kërkuar një kopje në shqip të këtij libri. “E dua për një shoqen time, e cila koleksionon nga një kopje në çdo vend të botës, të Princit të Exupéry –së”, më pat thënë. Duke gjykuar nga mosha e tij rreth të të pesëdhjetave, edhe shoqja e tij e pasionuar pas kësaj historie duhet të kishte pak a shumë të njëjtat vite mbi supe, por edhe dëshirën dhe kureshtjen e paepur të një fëmijë. Nga të gjitha paraqitjet e tij, “Princi i Vogël” vjen si  një libër për fëmijë. Por qysh prej botimit të parë në frëngjisht, më 1943-shin,  rrëfenja e Antoine de Saint-Exupéry –së, ka magjepsur lexuesit e të gjitha moshave. Heroi i dashur i librit, është një vogëlush  flokartë nga asteroidi  B-612,  të cilin e lë për të udhëtuar nëpër galaktikë. Gjatë rrugës, ai viziton një sërë planetësh, secili i populluar nga një njeri i vetëm,  me ndonjë një profesion të pakuptimtë . Kur zbret në Tokë, në mes të shkretëtirës, ai takohet me një gjarpër misterioz.  “Ku janë të gjithë njerëzit? , pyet princi i vogël. “ Po ndihem i vetmuar në këtë shkretëtirë.” “Mund të ndihesh i vetmuar edhe mes njerëzish.”, iu përgjigj gjarpri.   

“Ah, more princ i vogël, ja pra, kështu, pak e nga pak kuptova unë jetën tënde të vogël, të trishtuar. Për një kohë të gjatë, ti s’kishe pasur asgjë për t’u argëtuar, veç ëmbëlsisë që të falnin perëndimet e diellit. Këtë e mësova mëngjesin e ditës së katërt, kur ti më the: E dua shumë perëndimin e diellit”, thotë piloti, të cilit avioni i ka pësuar një avari në shkretëtirën e Saharasë dhe takon aty, vogëlushin  e çuditshëm. “Ishte e vështirë të jepej trishtimi, por edhe ndjenja e fortë e dashurisë, e miqësisë dhe e besimit, edhe mes një vetmie të madhe”, shton Diana Çuli. Përse kjo rrëfenjë, jo vetëm që u shit ngado nëpër botë, po edhe u realizua në filma e vizatimorë? “Është e mbushur me vetmi, por edhe me dashuri e me ndjenja të thella miqësie, me një delikatesë të veçantë, që mishërohet përmes figurës së princit, i cili bie nga një yll në Tokë, në shkretëtirë”, thotë përkthyesja. Libri është shkruar formalisht për fëmijë e të rinj, por në të ka një vëzhgim kaq të mprehtë të natyrës njerëzore, të moralit, të kotësisë apo vendosmërisë e besnikërisë, sa mund të jetë shumë mirë edhe një libër tejet i rëndësishëm për lexuesin e rritur, mendon Çuli, duke shtuar: “Për mua ishte një kënaqësi e veçantë të përktheja në gjuhën shqipe një nga librat më të njohur në botë. Shpresoj të kem mundur të sjell mirë në shqip një nga veprat më të njohura të letërsisë franceze e shpresoj që lexuesit ta lexojnë me ëndje dhe me thellim, si çdo vepër të madhe.”

Sado e parrokshme mund të tingëllojë rrëfenja, shumë e kanë kapur universalizmin e joshjes së kësaj historie.  Në prill të 2017-ës, “Princi i Vogël” u bë libri më i përkthyer në botë, duke përjashtuar tekstet religjioze. Gjendet tanimë në 300 gjuhë, një shumë që nuk përfshin edhe variacionet e përkthimeve  brenda gjuhëve. Në gjuhën koreane gjendet në 50 variante të ndryshme. Deri kohët e fundit, anglishtja numëronte vetëm gjashtë versione. A na duhen aq shumë përkthime të ndryshme? Apo botuesit thjesht përpiqen të fitojnë të ardhura, duke shtuar një autor të famshëm në katalogun e tyre. Por në një nivel më të thellë, stili i Saint-Exupéry –së është veçanërisht i vështirë për t’u përsëritur dhe ndoshta një përkthim i denjë kërkon më shumë sesa një njohje të mirë të gjuhës frënge

https://www.youtube.com/watch?v=w350nXnz3Bs
Version i animuar i "Princi i Vogël"

Jo vetëm më i përkthyeri, por në listën e librave më të shitur, hartuar nga “Goodreads’, ai renditet i treti, pas “Tregimi i dy qyteteve” me 200 milionë kopje dhe “Zoti i unazave” me 150 milionë kopje të shitura.“Princi i vogël”, vepra e fundit e autorit të njohur francez Saint-Exupéry, botuar më 1943, i cili do të zhdukej një vit më vonë, me aeroplanin e tij gjatë një misioni. Konsiderohet si vepra, ku autori projekton idealin e tij për një botë humaniste. Pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, Saint-Exupéry iku në Amerikën e Veriut. Pavarësisht trazirave personale dhe shëndetit të ligë, prodhoi pothuajse gjysmën e shkrimeve për të cilat do të mbahej mend, duke përfshirë një rrëfenjë të butë për vetminë, miqësinë, dashurinë dhe humbjen, në formën e një të princi të që po vizitonte Tokën. Një memoar i hershëm i autorit tregonte përvojat e tij me aviacionin mbi shkretëtirën e Saharasë dhe mendohet se mbi këto përvoja shkroi më pas  Princin e Vogël, në një univers me planetë të vegjël, njerëz të çuditshëm, lule tekanjoze, gjarpërinj të urtë dhe dhelpra që përçojnë mesazhe aq të thella sa edhe vetë universi... Të gjithë e njohin pak a shumë historinë në vija të përgjithshme; një aviator i humbur në shkretëtirë, i gjendur në vështirësi  mbijetese takon një vogëlush jo fort të zakontë dhe,që ka ikur nga shtëpia e tij, një asteroid i largët, ku jetonte i vetëm me një trëndafil. Trëndafili e kishte bërë aq të trishtuar sa, i torturuar nga kjo kishte përfituar nga një tufë zogjsh për të udhëtua në planetë të tjerë. Pas botimit të parë, novela është përshtatur në forma të ndryshme artistike e mediatike, duke përfshirë regjistrimet audio regjistrimet, vënien në skenë, filma, televizione, balete dhe opera.

Ilustrimet e autorit në versionin origjinal të "Princi i Vogël"

Gjashtë njerëzit e pakuptimtë që Princi takoi në udhëtimin e tij, përfshijnë sipas rrëfimtarit, të gjithë botën e të rriturve, që kanë humbur atë magjinë e të mahniturit nga gjërat e thjeshta. Në Tokë ishin  “111 mbretër, 7 mijë gjeografë, 900 mijë biznesmenë, 7 milionë e pesëqind mijë pijanecë, 311 milionë mendjemëdhenj... që do të  thotë 2 miliardë të rritur. Princi i Vogël ka nga një mesazh edhe për ata të rritur, fëmijët e dikurshëm. Nga mësimet e zemrës së dëlirë, tek përkujdesja  për mjedisin, mesazhit e kësaj rrëfenjë janë po aq të rëndësishëm sot, sa kanë qenë dikur. I vogli na mëson të mos lidhemi pas shifrave, sepse ka gjëra edhe më të rëndësishme në jetë, siç na mëson të kujdesemi për planetin, ashtu si për veten tonë. Të mos gjykojmë prej fjalëve, por bëmave dhe të kuptojmë se ajo që e bën jetën të denjë për të jetuar janë marrëdhëniet njerëzore.

Ç’do të thotë "të zbutësh?"

- Është një gjë e harruar prej kohësh. Do të thotë «të lidhesh me dikë...»

- Të lidhesh me dikë?

- Ashtu po, - tha dhelpra. - Ja, ti je hëpërhë për mua vetëm një djalë i vogël, sikundër që ka me mijëra. Dhe ti mua s’më duhesh. Dhe as unë ty gjithashtu s'të duhem. Unë s'jam për ty veçse një dhelpër dokudo, siç ka plot, me qindra mijëra. Por ama, në më zbutsh, ne atëherë po do të kemi nevojë për njëri-tjetrin. Për mua, s’do të ketë tjetër si ti në botë. Ashtu edhe për ty s'do të ketë tjetër në botë si unë.

Një vogëlush i një asteroidi me B612, na mëson ne njerëzve se gjërat më të rëndësishme në jetë, nuk mund të rroken nga syri, por vetëm prej zemrës. Dhe princin e vogël, si e zuri gjumi, e mora në krahët e mi dhe iu vura përsëri udhës. Isha i tronditur. Më dukej sikur mbaja në krah një thesar të brishtë. Jo vetëm, po kisha përshtypjen për më tepër se s'kishte mbi dhe gjë tjetër më të  brishtë se ai. Hetoja në dritën e hënës, atë ballë të zbehtë, ata sy të mbyllur, balluket e leshrave që i merrte era dhe thosha ndërkaq me vete: «Kjo që shoh këtu, është vetëm lëvorja. Më e rëndësishmja është e padukshme...»

Little prince and the fox

Dhe, më e rëndësishmja është të mos harrojmë të ngremë sytë kah qielli e të kundrojmë yjet. Kur ti të shikosh natën qiellin, meqenëse unë do të banoj mbi një prej tyre, meqenëse unë do të qesh mbi njërin prej tyre, për ty atëherë do të jetë njëlloj sikur të gjitha yjet të qeshnin. Ti, i vetmi ndër të gjithë, do të kesh ca yje që dinë të qeshin!”. Pas leximit, si një njeri që dua të mbetem përjetësisht fëmijë, e përpirë në atë botën që t’i bën t’i shohësh qartë, me sytë e kthjellët, edhe pa syzet optike, ato që kanë më shumë rëndësi në jetë, kuptoj se princi më ka zbutur ,ashtu si edhe dhelprën. Më mbetet vetëm t’i them, me të mbyllur kapakun, “Duhet të mbash përgjegjësi përgjithmonë, për çfarë ke zbutur”.  Do i përsëris shpesh, duke parë yjet dhe duke shfletuar, sa herë bota të më ketë shterur, faqet e tij. Nga libraria dal me dy kopje, botime dhe përkthime të ndryshme, një për fëmijën që po rritet dhe një për të rriturën që  ka mall për fëmijën që qe dikur...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë