Trend

Pse meshkujt po veshin streçe edhe jashtë palestrës

Moda ka parë trende nga më të ndryshmet, që shpesh herë janë deri diku të çuditshme. Shembulli i fundit? Streçe për meshkuj. Dikur meshkujt kritikoheshin për xhinset e ngushta por sot ata po veshin strece ose siç quhen për gjininë mashkullore “meggings”.

Gjatë shfaqjes së Gucci-t në nëntor, të mbajtur në Los Anxhelos, disa modelë meshkuj sfiluan me streçe. Vitet e fundit, yje si këngëtari i Red Hot Chili Peppers, Anthony Kiedis dhe Mickey Rourke janë parë në skenë dhe në kafene të veshur me streçe dhe kompanitë e reja si Matador Meggings, në Nju Jork dhe Miami, dhe Kapow Meggings, një markë australiane, po shesin streçe të dizejnuara vetëm për meshkuj.

Pantallonat e ngushta të meshkujve nuk janë asgjë e re. Po të shikoni çdo pikturë të Rilindjes do të gjeni figura madhështore që kanë të veshur pantallona të ngushta. Dhe një mori aktivitetesh atletike si baleti, akrobacia apo gjimnastika kërkojnë pantallona të ngushta.

Por jashtë këtyre konteksteve, meshkujt janë përgjithësisht shumë ‘krenarë për t'u futur’ në streçe. Deri kohët e fundit, të vetmit burra që mund të shihnit me streçe ishin ato që ishin duke vrapuar ose duke shkuar në CrossFit. Dhe madje edhe atëherë, ata shpesh vishnin pantallona të shkurtra sipër. "Në fillim u ndjeva paksa në siklet, duke qenë i ekspozuar paksa shumë", tha Jason Lewis, 39 vjeç, një menaxher restoranti në Norristown, i cili filloi të vishte streçe disa vite më parë.

Fillimisht, Lewis mbante streçe femrash, por së fundmi ai ka blerë një palë nga Matador, një nga kompanitë e pakta që ofron streçe posaçërisht për meshkuj.

‘Mbrojtësit’ e Meggings thonë se streçet kanë një avantazh, veçanërisht kur bëhet fjalë për rehati. “Unë punoj në një kompani shitjesh me pakicë kështu që veshja e diçkaje të rehatshme më bën të lëviz lehtësisht nëpër dyqan", tha Rolan Veniegas, 38 vjeç.

"Unë shoh shumë njerëz të veshur me streçe ulur në shtëpi ose duke u qetësuar me miqtë", tha themeluesi i Matador, Valentine Aseyo. Ndërsa produktet e Matador dhe Kapow tregtoheshin kryesisht si veshje palestre (dhe shumë burra i blejnë ato për këtë qëllim), të dyja kompanitë raportuan se vitet e fundit, klientët kanë postuar gjithnjë e më shumë foto në mediat sociale të tyre duke i veshur megging në përditshmëri.

Ndërsa e zeza mbetet një nuancë e preferuar, streçet mund të jenë gjithashtu sensacionale në dizajn. Modelët e Gucci-t kishin streçe me vija të verdha anash, ndërsa Kapow ofron versione me print leopardi kadife.

"Kur jam në humor të mirë, vesh një palë streçe”, tha David Scronce, 62 vjeç, një pensionist në San Francisko. Për Scronce, streçet, të cilat shpesh i kombinon me një pallto sportive, janë "një shprehje kënaqësie".

Më shumë meshkuj duket se po e përqafojnë këtë nivel të kënaqësisë.

"Meshkujt 10, 20, 30 vjet më parë nuk donin të dilnin me streçe sepse kjo mund t'i vinte në qendër të kritikave”, tha Benjamin Barnett, bashkëthemelues i Kapow, "ndërsa sot, mendoj se shihen si unik dhe të ndryshëm”.

Ngritja e Meggings tregon gjithashtu se, ndërsa përflitet më pak se për modën e grave, edhe burrat shijojnë veshjet që nxjerrin në pah fizikun e tyre.

Burimi: The Wall Street Journal. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë