Sheshi “Skënderbej” ka parë shumë koncerte, por ndoshta kurrë më parë një ngjarje muzikore nuk i ka bashkuar shqiptarët kaq shumë në numër si të hënën e 15 korrikut. Përveç atij viti jo fort të largët mbi një dekadë më parë, kur shqiptarët masivisht nën logon e Top Channel, me audiencë absolute, u mblodhën për të mbrojtur fjalën e lirë të medias që rrezikohej nga dhuna e pushtetit...
Qysh prej asaj kohe, në një maratonë festimesh që nisi në orën 6 pasdite, për t’u mbyllur në 1 pas mesnate dhe me disa nga zërat më modernë të muzikës shqiptare, 15-vjetori i Digitalb e populloi sheshin me një publik që i përfaqësonte të gjithë brezat e me gjasë të gjitha ngjyrat, edhe ato politike...
A thua ishte hyrja falas ndaj pati kaq shumë njerëz?..
Bashkia e Tiranës, koncerte me hyrje të lira ka organizuar me dhjetëra në atë shesh. Për Net të Bardha apo Krishtlindje, ndërrim vitesh apo evente të veçanta me yje të famshëm shqiptarë si Rita Ora, Eleni Foureira apo Ermal Meta, e kanë joshur publikun t’u bashkohet prej emrave dhe hyrjes pa bileta. Por mos harroni se në çdo lloj qeverisjeje – qendrore apo vendore – nuk ka asgjë falas. Nuk u pagua për biletën për koncertet vërtetë, por ama ajo ishte akaparuar nga taksat e paguara në buxhetet e bashkisë, me të cilat u buluan shpenzimet e këtyre eventeve.
Në koncertet e Tiranës që çelen zakonisht me një fjalë të kryebashkiakut Veliaj, i cili parapëlqen të thirret tanimë me nofkën “Lali Eri”, ai merr thuajse të gjithë protagonizmin e mbrëmjeve njësoj si të ishte një “rock star” e po ashtu edhe meritat se ka sjellë në Tiranë yje botërorë, edhe pse këtë do ta kishte të pamundur ta arrinte vetëm me fuqinë e tij mbushamendëse.
Vetëm një vit pasi Veliaj kishte marrë mandatin si krye bashkiak, ai do të investohej për të sjell në Tiranë këngëtaren e dashur italiane Giusy Ferreri apo Emily Sande e shumë emra të tjerë, në vitet me vonë. Në mbyllje të vitit të tij të parë si kryebashkiak, Veliaj organizoi në sheshin “Nënë Tereza” një koncert “falas”, ku performuesja e nderit ishte artistja shqiptare Dua Lipa.
Këngëtarë që për nga fama dhe suksesi, afërmendsh që kanë tarifat e tyre për koncerte live, në sheshe, të cilët megjithë përpjekjet e “Lalit” për t’i bindur që të performojnë në sheshin e kryeqytetit të një vendi të vogël të Europës Juglindore, nuk kanë ardhur falas.
Për këngëtaren e famshme me origjinë shqiptare, Rita Ora e cila u shfaq në koncertin e organizuar një vit më parë me mbështetje të bashkisë, u tha se ishte paguar 300 mijë euro. Shifër që Veliaj u rrek ta përgënjeshtronte, duke shtuar se as Ora e as Ermal Meta –i pranishëm në po të njëjtin koncert – nuk kishin marrë asnjë qindarkë.
“Të gjitha kanë qenë falas sepse këtë kemi dashur të bëjmë që në fillim e këtë kemi bërë. Unë besoj se të rinjve shqiptarë duhet t’u jepet mundësia të shohin një koncert falas”, shprehej kryebashkiaku atëkohë. Por nëse dy artistë ndodh të këndojnë pa pagesë në një koncert të bashkisë, e njëjta nuk ndodh me organizimin, me skenën, me foninë e çdo detaj tjetër që nevojitet për koncerte të tillë të hapur. Cila do të ishte ajo kompani private që do t’i ofronte pajisjet falas sa herë që kryebashkiaku i Tiranës mendon të organizojë koncerte në Tiranë, të cilat i numëron si suksese të qeverisjes së tij vendore?!
Shqiptarët e mbledhur në sheshin “Skënderbej”, por jo vetëm, e kuptojnë këtë ndaj ishin të shumtë në numër sepse e ndien që oferta e Digitalb, nuk ishte e rreme , por një qasje e sinqertë për të festuar të lirë/falas, së bashku si një shenjë mirënjohje dhe jo një vjedhje të pjesëmarrjes për protagonizëm.
Por solidariteti për t’ju bashkuar “Digitalb” në festë i kalon caqet e financës.
Koncerti i “Digitalb” nuk i ngjan atyre të organizuar nga bashkia. Jo vetëm që organizoi një maratonë të gjatë dhe ngjiti në skenë artistë të njohur të Shqipërisë e Kosovës si Aurela Gacce, Ledri Vula, Elvana Gjata, Alban Skënderaj, Ylli Limani, Soni Malaj e të tjerë, por ishte njëmend falas. Sepse si subjekt privat, “Digitalb” nuk mbahet tek taksat e bashkisë për të organizuar një koncert dhe as nuk e përdori për protagonizëm. Mbrëmjen e së hënës komunikimi ishte mes artistëve dhe publikut, të cilit i dedikohej një mbrëmje falënderimi, që e kanë pranuar platformën televizive si pjesë të familjes.
Në koncertin e 15 –vjetorit kishte nga ata që ashtu si platforma televizive kanë lindur në vitin 2004, nga ata që përjetuan dhe përjetojnë emocionet e sportit, ithtarët e muzikës, të pasionuarit pas filmave artistikë, kureshtarët e historisë, të eturit për shkencë, por edhe ata që e kanë mësuar shqipen standarde nga filmat e dubluar...pasi në një dekadë e gjysmë “Digitalb” ka hapur një dritare për të gjitha shijet në shtëpinë e madhe të programeve.
Koncerti i së hënës ishte kulmimi i një nisme që kapërceu përtej biznesit për t’u kthyer në mision. Digitalb i ka bërë shqiptarët të ndihen të bashkuar, edhe pse të shpërndarë nëpër botë , duke bërë atë që politika shqiptare në thuajse 30 vite tranzicion e ka pasur të pamundur.
Nëse rrëzimi i regjimit komunist dhe mbërritja e pluralizmit politik prodhoi emigracionin më të madh që ka njohur historia e Shqipërisë me më shumë se 1 milionë të larguar prej fillim viteve ’90, u desh një platformë si “Digitalb” për të zgjuar ndjenjën e identitetit, të përkatësisë, për ta ndjerë më afër vendin tënd, si të mos ishe larguar kurrë. Tokësore apo satelitore apo edhe aplikacion telefonik, platforma televizive ia ka dalë të bashkojë shqiptarët, jo vetëm para ekranit por përpara një ndjenje përkatësie, të cilën as një forcë politike nuk mund ta sjellë aq të plotë e unifikuese.
Në 15 vite jetë, mund të thuhet se “Digitalb” e kreu misionin e tij për t’i bashkuar shqiptarët, ashtu si edhe mbrëmjen e së hënës në sheshin “Skënderbej”, duke ofruar një koncert ku të gjithë ishin në qendër të vëmendjes e jo të përjashtuar. Ndaj, Gëzuar ditëlindjen Digitalb!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.