Njerez

Pse gjithnjë e më shumë njerëz po vrasin veten në Korenë e Jugut

Moonbin, këngëtari korean u vetëvra këtë të enjte në moshën 25-vjecare dhe ky nuk është rasti i parë i një të riu që vret veten.

26 në çdo 100 mijë njerëz, rreth 13,300 koreanë, vranë veten në vitin 2021, një rritje prej 0.3 për qind në krahasim me një vit më parë, sipas të dhënave nga zyra kombëtare e statistikave.

Në shkurt, të dhënat e reja treguan se Koreja e Jugut, pavarësisht nga përparimi i teknologjisë, ka një nga nivelet më të ulëta të kënaqësisë.

Vetmia, rritja e borxhit të familjes dhe mungesa e kohës së lirë janë përmendur të gjithë si faktorë që kanë ulur të ashtuquajturin "rezultatin e lumturisë" të Koresë në 5.9, shumë nën mesataren e OECD prej 6.7.

Një shoqëri ‘jo bujare’ ndaj gabimeve të njerëzve

Kriza e shëndetit mendor të Koresë së Jugut i është atribuuar gjithashtu mjediseve me presion të lartë në shkollë dhe punë, papunësisë, mungesës së një rrjeti sigurie për të moshuarit dhe përhapjes së vlerave kulturore që stigmatizojnë shëndetin e dobët mendor.

HeaKyung Kwon, psikoterapiste koreano-amerikan në Nju Jork thotë se depresioni është i pranishëm tek të rinjtë dhe të moshuarit që nuk ndihen të fuqizuar.

"Veçanërisht mes të rinjve ka një presion të madh për të qenë gjithmonë brezi model, që mos të gabojnë kurrë”, thotë ajo, duke përmendur konkurrencën e ashpër për të hyrë në një numër të vogël universitetesh elitare të Koresë së Jugut dhe investimet intensive të prindërve në arsimimin e tyre.

“Ata u thonë fëmijëve të tyre, ‘ne po i shpenzojmë këto para, kështu që duhet patjetër të kesh një profesion’, kështu që ata janë nën presion dhe në një moment të caktuar ata ndjejnë se nuk mund ta plotësojnë dëshirën e prindërve dhe pritshmëritë që kanë”, thotë ajo.

Jeta është gjithashtu e vështirë për popullsinë e plakur të Koresë. Përveçse duhet të përballen me izolimin, në vitin 2021, 1.6 milionë qytetarë të moshuar jetonin vetëm pasi vendit i mungon një sistem i fortë shërbimi social.

Rritja e numrit të vetëvrasjeve në Kore ka bërë që Ministria e shëndetësisë ta shohë shëndetin mendor si një problem madhor, diçka që nuk e ka bërë kurrë më parë.

Në një deklaratë këtë javë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies (MOHË) pranoi se mbështetja politike për të ndihmuar në frenimin e problemit ishte " dëshpërimisht e nevojshme ", duke shtuar se kanë gati programin e parandalimit të vetëvrasjeve.

Shëndeti mendor mbetet 'tabu'

Një punim i vitit të kaluar në Harvard International Review tregoi se në Kore, shëndeti mendor vazhdon të jetë një tabu.

“Në vitin 2017, pothuajse një në katër koreano-jugor vuante nga një çrregullim mendor, por vetëm një në dhjetë mori trajtim, duke përmendur një mentalitet që ende e konsideronte temën si "tabu".

Në punim shkruhet se në vend ka programe dhe politika por problemi më i madh është se viktimat janë të parët që nuk janë në dijeni të atyre programeve.

Ekspertët gjithashtu ia atribuojnë shkallën "shumë serioze" të vetëvrasjeve të vendit industrializimit të shpejtë, i cili, thonë ata, e nxori vendin nga varfëria pas luftës së Koresë, por shkaktoi një rritje të individualizmit dhe prishjen e lidhjeve tradicionale të komunitetit.

“Duhet ta ndërtonim vendin tonë nga e para. Ne kemi burime shumë të kufizuara ndaj duhet të konkurrojmë me njëri-tjetrin. Ka një presion të madh për të qenë i suksesshëm”, thotë Kwon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë