Analize

Pse është kthyer Shkupi në “Brukselin” e Ballkanit?

Xhuliana Toci- Shkupi është kthyer këto kohë në “Brukselin” e Ballkanit. Kur ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Maqedonisë u takuan në Prespë në qershor të këtij viti, për të firmosur marrëveshjen e emrit,  askush nuk do ta kishte menduar se pas vitesh të tëra harrese, Ballkani do të kthehej sërish në qendrën e vëmendjes së Perëndimit. Europa dhe SHBA-ja kanë bashkuar forcat në një ofensivë të madhe diplomatike për të çuar përpara referendumin në Maqedoni. Kryeministri Zoran Zaev po pret një nga një pothuajse të gjithë udhëheqësit perëndimorë, në përpjekje për të bindur qytetarët maqedonas të shkojnë drejt kutive të votimit.

Pas Merkel, Kurz dhe Shefit të NATO-s, të enjten në Shkup mbërritën shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini dhe ndihmësi i sekretarit amerikan i shtetit për çështjet europiane Wss Mitchell. Këto vizita të pashembullta për një rajon periferik si Ballkani do të pasohen nga ajo e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Jim Mattis, i cili ka ngritur alarmin se Maqedonia është në rrezik nga ndërhyrja ruse.  A sinjalizojnë vizitat e nivelit të lartë në Shkup se Perëndimi është rikthyer më fuqishëm se kurrë në Ballkan? Pse është kaq e shqetësuar SHBA-ja për ndërhyrje e Moskës dhe sa e rrezikshme është situata në Maqedoni?

Shkup

Angazhimi pa kushte i Bashkimit Europian

Bashkimi Europian e ka bërë të qartë se çdo negociatë për anëtarësim do të varet nga referendumi për ndryshimin e emrit. E veshur me të bardha, Federia Mohgerini bëri një shëtitje të gjatë nëpër Shkup së bashku me Kryeministrin Zaev, duke u kërkuar qytetarëve të votojnë pro ndryshimit të emrit.

"Dyert e BE-së janë të hapura për ju", u tha Mogherini shumicës së qytetarëve që pati rastin të takonte. "Së bashku mund të arrijmë shumë, për të gjithë njerëzit tanë, për prosperitetin, për sigurinë dhe për stabilitetin tonë. Tanimë keni një mundësit historike në duar”, shtoi përfaqësuesja  e lartë para mediave.  Sipas Mogerini qytetarët maqedonas "janë ata që mbajnë çelësat e të ardhmes së vendit të tyre".

“Nuk duhet të heshtni dhe të humbisni mundësinë për të shprehur mendimin tuaj mbi të ardhmen që duhet të ketë vendi juaj", deklaroi ajo ndërkohë që Zaev pohoi lehtë me kokë. Por ndryshe nga ajo, kancelarja gjermane Angela Merkel zgjodhi të vizitonte Shkupin Ditën e Pavarësisë, kur vetëm 27 vjet më parë, qytetarët votuan në një tjetër referendum historik për pavarësinë nga ish- Jugosllavia. Kohët e fundit liderja “de fakto” e Europës ka pritur në Berlin një sërë liderësh ballkanik, duke filluar nga kryeministri kroat, kreu malazez dhe lideri bullgar.  Këto vizita të njëpasnjëshme janë interpretuar nga ekspert si sinjale se rajoni është kthyer tanimë në një përparësi për Brukselin.

Federika Mogerini viziton Shkupin 

“Ky është një shans historik që këtij brezi i jepet vetëm një herë. Mos qëndroni në shtëpi: Shfrytëzoni mundësinë demokratike dhe thoni atë që mendoni për të ardhmen e vendit tuaj”, tha Merkel javën e kaluar në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Zaev.  

 Drejt Shkupit janë “turrur” javën e kaluar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe kancelari austriak Sebastian Kurz.

SHBA-ja rikthehet në rajon

Ashtu siç ka treguar edhe historia, aty ky është Rusia është edhe SHBA-ja. Në të njëjtën ditë me Mogerinin, në Shkup mbërriti edhe Ndihmëssekretari Amerikan për Çështjet Europiane. Ëess Mitchell ofroi mbështetje "të përzemërt dhe të thellë" për Maqedoninë, duke këmbëngulur se vendimi për rrugën që do të marrë vendi qëndron në duart e  votuesve.

”Shtetet e Bashkuara kanë një rol thelbësor në Ballkanin Perëndimor në stabilitetin dhe prosperitetin e këtij rajoni kaq të rëndësishëm", tha Mitchell pas takimit me ministrin e jashtëm Nikola Dimitrov. Për të treguar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë angazhuar fuqishëm në Ballkan, edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes do të niset të dielën drejt Shkupit. Në një konferencë në Pentagon, James Mattis premtoi të tregojë mbështetjen e SHBA-së për Maqedoninë dhe angazhimit e Amerikës për paqen dhe sigurinë në mbarë rajonin. Mattis u tha gazetarëve se ishte i shqetësuar për ndërhyrjen e Rusisë për të bllokuar rrugën e Maqedonisë për anëtarësimin në NATO. "Ndërhyrja negative që Rusia ka praktikuar në Estoni, Shtetet e Bashkuara, Ukrainë ka mbërritur tani edhe në Maqedoni ... aq sa unë jam i shqetësuar", u shpreh ai.

Wess Mitchel dhe Zoran Zaev

“Do shkoj të shoh miqtë tanë maqedonas. Po shkoj atje për të bërë të qartë se qëndrojmë krah popullit maqedonas”, deklaroi Sekretari amerikan i Mbrojtjes. Ai theksoi gjithashtu se dëshironte "të sigurohej se do të jenë miqtë tanë maqedonas ata do të vendosin për të ardhmen e vendit të tyre dhe jo të huajt".

Ndërhyrja ruse

Dëbimi i dy diplomatëve rusë nga qeveria e Athinës ka nxjerrë në pah ndërhyrjen ruse në Ballkan. Veprimet e Moskës për të penguar arritjen e një marrëveshjeje mes Maqedonisë dhe Greqisë ka ngjallur shqetësime në qarqet e BE-së dhe NATO-s. Ambasadori i SHBA-së në Athinë, Geoffrey Pyatt, e ka konsideruar si një rikthim të “ndikimit të keq të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

"Alarmi për ndërhyrjen ruse bazohet në një spektër të gjerë sjelljesh, nga manipulimi i tregut të energjisë, në manipulimin e Kishës Ortodokse, e deri në sulmin frontal nëpërmjet grushtit të shtetit në Mal të Zi në tetor të 2016-ës”, deklaroi ai.

Greqia dhe Maqedonia janë porta jugore e Ballkanit. Kontrolli dhe ndikimi politik i kësaj zone, është sipas ekspertëve ndërkombëtarë një fenomen që nuk duhet të nënvlerësohet. Ajo mund të jetë pjesë e strategjisë politike, ekonomike dhe industriale të Rusisë për dobësimin e BE-së dhe NATO-s.

Kundërshtarët e marrëveshjes midis Greqisë dhe Maqedonisë protestojnë në Shkup

Në një intervistë me revistën “BuzzFeed” në korrik, kryeministri maqedonas Zoran Zaev akuzoi disa ndërmarrës greko-rusë se kishin tentuar të “sabotonin" Marrëveshjen e Prespës midis Greqisë dhe Maqedonisë,  me qëllim që të bllokonte anëtarësimin e Shkupit në NATO. Në atë kohë ai nuk ishte i vetmi që ngriti alarmin për ndërhyrjen ruse (dhe jo vetëm). Kryeministri bullgar Bojko Borisov u bëri thirrje autoriteteve europianë të nxitonin të “ankoronin” njëherë e përgjithmonë Ballkanin në Perëndim, përndryshe Rusia, Turqia dhe Kina do të zaptojnë çdo pëllëmbë të rajonit. Para Borisovit një alarm i ngjashëm ishte ngritur edhe nga Kryeministri grek Alexis Tsipras gjatë një takimi me homologun portugez Antonio Costa. Tsipras shprehi nevojën për ngritjen e  strategjie kundër veprimeve ruse në Ballkan.  Alarmeve për ndërhyrje ruse iu bashkuan edhe politikanët shqiptarë në Shkup. Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami ngriti gjithashtu alarmin në një intervistë për Gazetën Si, për ndërhyrjen e Rusisë në vendin fqinj, duke deklaruar se Kremlini po ndërmerr një sërë përpjekjesh për diskreditimin e shqiptarëve dhe bojkotimin e referendumit.

Burimet: Western European Balkans , The Hill, Buzzfeed


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë