Libra

Pse Dita e Librit nuk është thjesht një udhëtim falas në urban

“I zgjata paratë faturinos dhe më tha: Jo, zonjushë, ti sot nuk paguan, sepse po lexon një libër!”, shkruante një nga mikeshat virtuale në facebook, e cila kishte zgjedhur ta shprehte habinë për udhëtimin pa pagesë, në gjuhën angleze. Ndoshta lexuese  e rregullt, që shfrytëzon ndërkohët në transport publik,  ishte e çiltër në rrëfimin e saj, edhe pse për t’ i shkruar ata dy rreshta i është dashur të mos e ndjekë këshillën e kryetarit të bashkisë së Tiranës, që nxiste një ditë më parë qytetarët t’i linin smartphona-t e të merrnin në duar librat.

Si udhëtare e rregullt e transportit publik, tablo si e sotmja, mbushur me pasagjerë që shfletojnë, e kam të pamundur të ndërmend e aq më pak ta quaj si fenomen krejt të zakonshëm. Megjithëse gjithnjë me një libër në çantë, shpesh për punë,  ku më duhet të shkruaj një recensë a artikull për botimet e reja apo  me një libër të hapur elektronik, në ato aplikacionet që ofrojnë libra falas, kryesisht në gjuhën angleze (falë zotit që ekzistojnë!), as nuk e çova ndërmend të nxirrja “abonenë”  e 23 prillit, por as nuk pashë, ashtu si në fotografitë e postuara nga ministrja e Kulturës në rrjetet sociale, as edhe një pasagjer që nxirrte librin përpara faturinos apo lexonte i ulur në ndonjë ndenjëse pranë xhamit.

Foto të udhëtarëve në urban, në Ditën Ndërkombëtare të Librit

Ashtu si edhe me udhëtimin falas për vajzat dhe gratë më 8 mars, edhe për çështje krejt të ndryshme, nisma m’u duk e padobi dhe në kufijtë e qesharakes. Përtej simbolikës së Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe të të Drejtave të Autorit – vendosur nga UNESCO – më 1995-n, një ditë që përkon me ndarjen nga jeta të kolosëve të letërsisë si Ulliam Shekpsir, Migel de Servantes apo Garcilaso de la Vega, ideja e joshjes financiare për të lexuar, duket si pa fryte. Aq më tepër kur, si Bashkia e Tiranës ashtu edhe Ministria e Kulturës, e kanë provuar edhe herë të tjera nismën e udhëtimit falas nëpër urbanët e kryeqytetit, nëse shfaqesh aty me një libër në duar.

Foto të udhëtarëve në urban, në Ditën Ndërkombëtare të Librit

Nisma nuk është as e re e as e panjohur. Të ngjashme ka edhe në vende perëndimore, herë me një kafe falas e herë edhe me një udhëtim. Së fundi, Holanda ka vendosur që një fundjavë në vit, kush paraqitet te kontrollori me një libër në dorë, udhëton me tren pa paguar. Por, fotografitë si ato të sotmet shpërndarë në rrjetet sociale, jashtë janë më të zakonshme. Po përtej moralizmit apo nihilizmit kur vjen puna tek të gjykuarit ashpër, qoftë politikat shqiptare në nxitje të leximit, qoftë edhe lexuesit.

Nisma  si “Tirana lexon” apo edhe Fushata Kombëtare e Leximit me sloganin "Takohemi për një libër", që vihen në jetë në ditë apo javë të caktuara të vitit, duket se e kanë jehonën, sa edhe efektshmërinë, vetëm në kohën e organizimit. Por edhe shifrat me 1 milionë shqiptarë që nuk lexojnë, nuk kanë pse interesohen domosdo si mungesë kulture e shqiptarëve, që u largohen gjithnjë e më shumë dijes së shtypur.  Nuk është vetëm interneti dhe rrjetet sociale ai që i largon shqiptarët, e veçanërisht të rinjtë prej librit. Nga biseda me gjimnazistë, edhe me ata që i lexojnë katër apo pesë libra në muaj, kupton se libri shpesh është financiarisht i paarritshëm për ta. Shkurt është mall luksi dhe një adoleshent nuk mund të shpenzojë tre apo katër mijë lekë të reja në muaj. Për këtë do të shërbenin bibliotekat.  Por  në kushtet pas përmbytjes Biblioteka Kombëtare të paktën për një kohë e ka kufizuar shërbimin e librave, edhe pse sot çeli ekspozitën mbi trashëgiminë e librave në Bibliotekën Kombëtare.

Nga fushata e leximit "Takohemi për një libër"

Ndërsa bibliotekat e lagjeve, edhe pse po marrin formë e po restaurohen si nismë e bashkisë e madje edhe po pagëzohen me emra gjithëpërfshirës, nga një e persekutuar e regjimit tek një persekutues i regjimit të shkuar ( por kjo është çështje tjetër), ofrojnë pak tituj të rinj për lexuesit. Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, do të thoshte para disa kohësh se bibliotekat e lagjeve, shpenzojnë para në materiale ndërtimi, por kanë vite që nuk furnizohen me tituj të rinj. Ngjashëm edhe me bibliotekat e shkollave. Një mësues gjimnazi, teksa rrëfente sesa lexojnë të rinjtë sot, nisur nga përvoja e tij më se tridhjetë vjeçare si arsimtar në lëndën e letërsisë, do të thoshte se e kishte të vështirë t’i detyronte nxënës që vinin nga familje në vështirësi ekonomike, të blinin një libër jashtë shkollor.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani.

Megjithëse të lë një shije të ngjashme me  fushatat e regjimit të shkuar në luftë kundër analfabetizmit ( që për hir të së vërtetës e patën efektin për kohën), kjo minifushatw e bashkisw Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës, “Udhëtoj përmes librit-Bileta juaj është libri”, duket se mbyllur pa nisur mirë. Do të kishte pasur më shumë kuptim, sikur të zgjaste fjala vjen në një muaj. Sepse, synimi i qeverisjes vendore dhe asaj qendrore, për të nxitur leximin, nuk mund të arrihet në vetëm një ditë. As aq nuk do të mjaftonte, por do të qe një hap për të nxitur ndoshta politika për librin dhe leximin. Ky ishte edhe aktiviteti kurorëzues i kësaj dite, ndërsa veprimtari të tjera, për rastin, të kthyera tashmë në traditë u organizuan në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, në UT, ku u mbajtën tryeza të rrumbullakëta dhe promovime librash.

Presidenti Ilir Meta duke firmosur një libër

Politika nuk mungoi as në këtë ditë. Jo vetëm përmes kryebashkiakut Veliaj dhe ministres Margariti, por edhe kryeministri dhe presidenti bënë urimet për rastin.  I rrethuar nga një grup nxënësit, Rama kishte zgjedhur të lexonte pjesë nga libri me ese i Ismail Kadaresë “Mëngjeset në Kafe Rostand”, ndërsa u përçoi të rinjve mesazhin se leximi do të jetë kurdoherë ushqimi shpirtëror për njerëzimin. Ky mesazh do të kalonte nga shefi i qeverisë në kuadër të aktivitetit “Lexo me mua”, një maratonë leximi, organizuar në Qendrën COD, për këtë ditë.

Presidenti i republikës do t’u bënte thirrje të rinjve për rikthim tek leximi, si miku më i mirë dhe dashuria më e madhe e të gjithë kohëve. Në kohërat e mëparshme, në Katalunja, të Spanjës, tradita e donte që kujt  blinte një libër i dhurohej një trëndafil. Tirana, më 2019-n, ofron një udhëtim falas. Edhe pse thuhet se libri është vetë një rrugëtim, shpirtëror dhe intelektual ata që nesër do të udhëtojnë në botën e paanë të librit, në një urban të linjave të transportit qytetas, do të kuptojnë se libri nuk mund të jetë më “abone”, ndërsa bashkia mund të nxjerrë një bilanc sesa “lexues” pati Dita Ndërkombëtare e Librit./ S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë