Jete & Stil

Pse disa njerëz bëhen super nuhatës

Shumë njerëz kanë veti nuhatëse aq të jashtëzakonshme sa mund të nuhasin dhe aromat më delikate. E njohur si “Hiperosmi” kjo veti është pjesë e shumë njerëzve, por a është diçka e lindur apo fitohet gjatë jetës?

Hiperosmia është relativisht e rrallë, kështu që ka akoma shumë studiues që nuk dinë shumë gjëra për të por këtu keni disa nga arsyet pse një person mund të ketë hiperosmi.

Kushtet shëndetësore

Një numër studimesh kanë raportuar lidhjen midis gjendjeve të ndryshme shëndetësore dhe hiperosmisë, përfshirë Sëmundjen Lyme, migrenën, humbjet e lëngjeve trupore dhe mungesën e hormoneve. Megjithëse nuk është kuptuar plotësisht se çfarë çon në hiperosmi në këto raste, mund të jetë efekti që këto sëmundje kanë në elektrolitet e trupit, duke ndikuar kështu në sinjalet e krijuara në receptorët e aromës.

Studimet kanë treguar gjithashtu se disa mutacione gjenetike dhe kushte gjenetike janë të lidhura me ndjesinë e rritur të nuhatjes .

Ndikon shtatzania

Shumë gra shtatzëna shpesh fillojnë të ndjejnë aroma të ndryshme dhe të kenë shqetësime nga disa aroma që nuk i kanë shqetësuar kurrë. Një studim shkencor ka treguar se disa gra preken përkohësisht nga hiperosmia.

Duke krahasuar gjetjet e më shumë se 50 studimeve se si shtatzënia ndryshon nuhatjen, studiuesit arritën në përfundimin se edhe pse gratë shtatzëna nuk kishin intensitet më të lartë të nuhatjes, ato ishin më të ndjeshme ndaj aromave të caktuara.

Studiuesit ende nuk janë plotësisht të sigurt pse ndodh kjo. Sidoqoftë, kjo ndjeshmëri është zakonisht e përkohshme.

Ndikon truri

Një studim i vitit 2019 nga  Universiteti  i  Anglisë  Lindore, kishte për qëllim të zbulonte nëse truri i personave me hiperosmi  funksiononte ndryshe nga njerëzit e tjerë. Studiuesit krahasuan 25 burra që mendonin se kishin një nuhatje mbi normalen me 20 burra që e vlerësuan nuhatjen e tyre si normale.

Mbas studimit, ata zbuluan se njerëzve që mendonin se kishin një nuhatje të mirë iu ishte rritur aktiviteti i trurit në dy zona kryesore përgjegjëse për mbledhjen e informacionit të erërave dhe memorizimin e erërave. Por ndërsa studimi zbuloi këto ndryshime në tru, studiuesit nuk ishin në gjendje të konstatonin nëse kjo ishte shkaktuar nga gjenetika, apo nëse ishte e mësuar.

Është vërtetuar se aroma dhe kujtesa janë të lidhura fort dhe një studim i vitit 2014 tregon se kjo mund të jetë baza për hiperosminë. Studimi shqyrtoi 55 vullnetarë të cilët e mendonin nuhatjen e tyre si më të mirë se mesatarja. Ata i krahasuan ato me një grup njerëzish të së njëjtës moshë dhe gjini, të cilët e konsideronin nuhatjen e tyre si normale.

“Super nuhatësit” në këtë studim u ftuan të plotësonin një pyetësor në lidhje me përvojat e tyre. Ato treguan se aroma të ndryshme i lidhnin me gjëra që kujtonin. Për shembull, shumë prej tyre thanë se disa aroma ushqimesh i bënin të villnin pasi kishte ndodhur që kishin ngrënë një ushqim shumë të keq me po atë aromë.

Pra, a është hiperosmia e përhershme apo e përkohshme?

Carl Philpott, profesor i rinologjisë dhe olfaktologjisë në Universitetin e Anglisë Lindore ka bërë një studim në vitin 2003 me 230 vullnetarë për të testuar deri ku shkonte aftësia e tyre nuhatëse.

“Ne përdorëm një pajisje që tregonte tetë nivele aromash, nga më pak të dallueshmet tek ato më të fortat.” tha ai.  

Në përgjithësi doli që njerëzit bëheshin “super nuhatës” në momentin që fokusohen në atë aromë.

“Sa më shumë ti jepnin rëndësi, aq më shumë arrinin të nuhasnin aroma që kur nuk e kishin mendjen nuk i nuhasnin.” tha Philpott.

Mendoni për somelierët ose parfumierët  të cilët “stërvisnin” hundët që të jenë në gjendje të njohin shumë erëra unike. Në fakt, trajnimi për nuhatjen madje mund të lejojë që njerëzit që kanë pësuar humbje të nuhatjes ta rimarrin atë.

Duket se super nuhatësit janë një përzierje e njerëzve që mund të jenë gjenetikisht të aftë për të nuhatur më mirë, disa që stërviten për të nuhatur më mirë dhe disa që kanë një gjendje jo të mirë shëndetësore dhe të tjerët, duke përfshirë gratë shtatzëna, mund të përjetojnë vetëm ndjeshmëri të nuhatjes, jo hiperosmi të vërtetë.

Burimi: BBC. Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë